ASH: Ahmeti flet për kryeministër shqiptar, bojkotoi presidentin shqiptar dhe iku nga votimi i kryeparlamentarit shqiptar!

54

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët ka reaguar për kërkesën e BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Nga partia e Ziadin Selës shkruajnë se në këtë 18 vjetor BDI shënon 18 vite dështime, premtime të parealizuara, skandale korruptive, gënjeshtra dhe manipulime!

“18 vite qeverisje, 18 vite shans për ta dëshmuar veten, por gjithçka u dëshmua ishin interesat personale dhe partiake për të cilat qytetarët e kanë kuptuar vet, dhe nuk qëndrojnë të heshtur më. BDI nuk ka legjitimitet të flet as për nevojat e qytetarëve, e lëre më të flet për përfaqësim legjitim të vullnetit të popullit. Këtë legjitimitet ju e keni humbur me veprimet tuaja, sepse sot shqiptarët nuk kanë përfaqësim adekuat, nuk kanë trajtim të barabartë, nuk kanë ardhmëri e as cilësi për jetë sepse barku juaj i pangopur ende vazhdon të ngopet në kurriz të popullit!” thonë nga ASH.

Më tej në reagim shkruhet se sikur Bashkimi Demokratik për Integrim të kishte përmbushur obligimin e tyre ndaj qytetarëve për gjitha premtimet e dhëna dhe sikur të ishte i sinqertë në idenë për qeverisje shqiptare dhe jo konsensuale, do ta kishe përkrahur kandidatin për president shqiptar në zgjedhjet presidenciale!

“Por, ju vendosët për president konsensual sepse kjo përkrahje ishte vetëm një lojë politike e BDI-së në shkëmbim të interesave partiake me qëllim që të fitojë disa komuna më shumë në zgjedhjet lokale të cilat e dinte se i kishte të humbura. Kur Ali Ahmeti pati shansin për të dëshmuar se vërtetë mbështet udhëheqjen shqiptare iku si frikacak nga 27 prilli pasi që ishte në dijeni për sulmet e mundshme të kuvendit, dhe ishte pikërisht Ziadin Sela ai qe ndali fjalët e tija që sillen si një kasetë e prishur! Ishte vota e Ziadin Selës e jo e Ali Ahmetit, ajo që bëri ndryshimin” shkruhet në reagim.

Përfundojnë duke thënë se qytetarët nuk harrojnë dhe dinë të bëjnë dallimin, sepse edhe pas 18 viteve ende merremi me probleme të njëjta. Nga ASH rikujtojnë se vendi sot ballafaqohet me ikje masive të të rinjve dhe se sot shqiptarët dënohen vetëm pse janë shqiptar, sot shqiptarëve vendin e punës ua zënë të tjerët! Kreun e BDI-së Ali Ahmetin e quajnë udhëheqës të braktisur nga shumë pjesëtar të sinqertë dhe kredibil të ish UÇK-së.

Comments are closed.