Shkup, 10 janar – Futbollistët e Shkëndijës nën udhëheqjen e trajnerit Qatip Osmani, kanë vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme përgatitjet në Ohër, ndërsa këtu do të qëndrojnë deri më 16-të janar.
“Nga dita e martë jemi në Ohër, ndërsa dje filluam me nga dy stërvitje në ditë. Gjithashtu do të zhvillojmë edhe dy ndeshje në Ohër, por kjo varet nga ajo se a do të ketë edhe skuadra tjera derisa ne jemi në përgatitje”, shpreh për “gol.mk” Osmani.
Ndryshe, në fillim të përgatitjeve dimërore, kuqezinjtë prezantuan Mevlan Adilin, Seladin Mustafin dhe Sabit Bilalin si futbollist të ri, ndërsa stafi teknik nuk e përjashton mundësinë që ekipi të përforcohet edhe me një futbollist të dëshmuar. “Përforcimi i vërtetë është Mevlan Adili, i cili erdhi nga skuadra e UTA Arad nga Rumania. Dy të tjerët të cilët i sollëm janë të rinj dhe me perspektivë, të cilët do të duhet të dëshmohen në stërvitje. Realisht nuk kemi nevojë për futbollist të ri, por nëse vendosim të blejmë ndonjë, ai duhet të jetë i dëshmuar dhe futbollist kualitativ”, shtoi më tej Osmani, i cili e lëshon topin për toke kur është fjala për epërsinë që ka kundrejt Vardarit dhe ekipin e përgatitjet sikurse mos të ketë tetë pikë epërsi.
“Shumëherë kemi qenë dëshmitar të përmbysjeve, për at arsye nuk duam ta gënjejmë vetveten se gjithçka ka përfunduar. Në pjesën e dytë të sezonit ka edhe 18-të ndeshje dhe në lojë janë 54 pikë, që donë të thotë se asgjë nuk ka përfunduar”, përfundoi trajneri i KF Shkëndija.
Kujtojmë, pas përfundimit të fazës së dytë në Ohër, kuqezinjtë do të rikthehen në Tetovë ku do të stërvitet deri më 20 janar, ndërsa më pas pasojnë përgatitjet finale në Antalia, ku tetovarët do të zhvillojnë edhe katër ndeshje kontrolluese.