Interesimi i Liverpulit për Nabil Fekirin mund të ringjallet, zbuloi agjenti i futbollistit francez. Jurgen Klopp u ndal së kërkuari shërbimet e lojtarit 24-vjeçar të Lionit për shkak të problemeve mjekësore të sulmuesit të krahut të djathtë. Megjithatë, përfaqësuesi i Fekir, Zhan-Pierre Bernes, ka pohuar se Liverpuli mund ta blejë lojtarin pas kampionatit botëror. Gjersa u shfaq në një televizion francez dhe u pyet rreth lajmeve se po e kërkon Liverpuli, Bernes tha se asgjë nuk ka përfunduar mes anglezit dhe francezit. “Ai nuk ka nënshkruar sepse ende nuk ka mbaruar! Ky nuk është fundi i tregimit”, tha ai për televizionin “Canal +”. Liverpuli deri më tani ka transferuar futbollistin brazilian të skuadrës së Monakos, Fabinjo, gjersa po kërkon edhe përforcime të tjera. Ndryshe, lojtari po paraqitet me kombëtaren franceze në botërorin Rusia 2018.