Shkup, 6 shkurt – Nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, pas takimit me delegacionin e LSDM-së, tha shkurt se në tavolinë i kanë dorëzuar kërkesat e tyre. Ajo nuk deshi të japë detaje në lidhje me takimin, por theksoi vetëm se kanë pasur bisedime konstruktive me përfaqësuesit e LSDM-së, ndërsa fjalën e fundit tha se do ta thotë kryesia e BDI-së. Në ndërkohë, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shqerinska u shpreh se me BDI-në po bisedohet për dalje nga situata. “Me BDI-në biseduam se si të dilnim nga situata, të cilën e imponoi presidenti Gjorgje Ivanov”, ka thënë Sheqerinska, pas takimit me nënkryetarët e BDI-së. Ajo shtoi se bisedimet do të vazhdojnë në organet partiake deri në takimin e ardhshëm.