Po në këtë lagje, pikërisht në anën tjetër të rrugës së asfaltuar, vazhdon të mos fillojë të ndërtohet shkolla. Një shkollë e premtuar ndër vite si nga pushteti e lokal, ashtu edhe ai qendror
Urim HASIPI
Tetovë, 5 korrik – Një nga rrugët që më së shumti u dëmtua nga vërshimet e vitit 2015 ishte edhe rruga e njohur në mesin e tetovarëve si “Rruga e UÇK-së”, në Reçicë të Vogël. Kjo rrugë shërbente si arterie kryesore për kalimin e popullatës së Malësisë dhe ushtarëve të UÇK-së në vitin 2001, shkruan gazeta KOHA. Por pas vërshimeve, rruga u dëmtua shumë me tërë infrastrukturën përreth saj, si kanalizimi, trotuari, ndërsa ndriçim publik nuk ka patur asnjëherë. Së fundmi, është punuar që kjo rrugë më në fund të rregullohet me tërë standardet e mundshme, duke përfshirë edhe ndriçimin publik që duhet të vendoset. Për të parë punët përfundimtare, në këtë rrugë qëndroi për vizitë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Siç e dini, është rrugë e cila gjatë vërshimeve të vitit 2015 dhe më vonë 2016 është shkatërruar dhe ka bërë shumë probleme. Është një investim që kap vlerën prej 4 milionë denarësh, merr rregullim komplet të asfaltimit, kanalizimit atmosferik, gjelbërimit, trotuarit dhe ndriçimit publik që do të vendoset po ashtu. Përfundimisht është përmbyllur një hall i këtyre qytetarëve”, tha Arifi. Por, në këtë lagje, pikërisht në anën tjetër të rrugës së asfaltuar, vazhdon të mos fillojë të ndërtohet shkolla në këtë lagje. Një shkollë e premtuar dhe e stërpremtuar si nga pushteti e lokal, ashtu edhe ai qendror dhe ende nuk fillon të ndërtohet. Nga komuna tashmë e kanë përsëritur qëndrimin se ata kanë kryer obligimin e tyre, duke dhënë leje dhe caktuar lokacionin, kurse mjetet duhet t`i sigurojë pushteti qendror.
Kryetarja Arifi, e cila qëndroi për vizitë në këtë lagje, theksoi se janë bërë të gjitha dokumentacionet gati dhe pritet vetëm të gjenden mënyrat e financimit. “Siç e dini, kemi përsëritur disa herë, projektin për ndërtimin e shkollës e ka përpunuar Komuna e Tetovës, i ka dhënë lejet për ndërtim dhe lejet e nevojshme dhe ajo që është me rëndësi është se Qeveria duhet të vendos se me cilat fonde duhet ta investojë. Është çështje që, siç na është thënë, punohet që të realizohet sa më shpejtë”, tha Arifi. Nga Qeveria ende nuk ka asnjë vendim se a është vendosur në listë për investime shkolla në Reçicë të Vogël.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, ka thënë se nëse Qeveria nuk e ndërton, atëherë dikasteri që drejton ai, do të gjejë mënyrë për ta ndërtuar të njëjtën.”Jemi në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet lokale, me Komunën e Tetovës, gjithashtu kemi biseduar edhe në më tepër raste për të gjetur dhe modalitetin e financimit. Shkolla në Recicë të Vogël do të duhet të bëhet dhe është domosdoshmëri, patjetër do të duhet të bëhet, dhe ne atë projekt e kemi destinuar në komisionin qeveritar”, është shprehur Ademi. Kjo lagje, krahas problemit me infrastrukturën dhe mungesën e një shkollë, po ashtu shpesh përballet edhe me mungesë të ujit të pijshëm. (koha.mk)