Ylli i Real Madridit, Marko Asensio, ka zbuluar se trajneri Zinedin Zidan i kishte thënë atij se këmba e tij e majtë është më e mira që ka parë që nga Lionel Messi. Asensio ka bërë një fillim mbresëlënës në sezonin e ri, duke shënuar katër gola në gjashtë ndeshje për “Los Blancos”. 21-vjeçari spanjoll ndërkombëtar është lavdëruar për shfaqjet e tij, teksa Zidan ka qenë qartësisht i impresionuar. Asensio thotë se francezi e ka krahasuar atë me maestron e Barcelonës, Leo Messi, i cili është padyshim lojtari më i mirë në botë.
“Zidan më tha se, që nga Messi, ai kurrë nuk kishte parë një këmbë të majtë si e imja”, – i tha ai “COPE”. – Isha pak i impresionuar, sepse dihet se çfarë futbollisti është Messi”. Ylli argjentinas e ka ndihmuar Barcelonën që të bëjë një fillim të shkëlqyeshëm në sezonin e La Ligas. Të besuarit e Ernesto Valverde kanë marrë tri fitore, pavarësisht largimit të Nejmar për 222 milionë euro drejt PSZH. Asensio, skuadra e të cilit ka mbledhur vetëm pesë pikë nga tri ndeshjet e para të La Liga-s, pranon se ishte i befasuar që Barça nuk ishte në gjendje të mbante Nejmar. “Ne menduam se ishte e çuditshme që Nejmar u largua nga Barcelona. Ai ishte një lojtar i rëndësishëm për ta dhe nuk mundën ta mbanin. Kjo më duket paksa e çuditshme”, deklaroi Asensio.