Bruksel, 13 dhjetor – Luksemburgu është vendi i vetëm anëtar i cili e dënoi azilin e miratuar për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski në Hungari. Në një deklaratë për MIA-n, ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti, Zhan Aselborn thotë se është i habitur nga vendimi i autoriteteve hungareze.
“Mendoj se është e pabesueshme që ish-kryeministri i Maqedonisë i cili është i dënuar me dy vjet burgim mori mbrojtje ndërkombëtare në Hungari, vend i cili “i mbron kufijtë” prej vitit 2015 për refugjatë. Një delikuent të marrë mbrojtje në një vend të BE-së, kur ata të cilët ikin prej luftërave nuk e marrin atë është shumë e habitshme.
Siç njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, Aselborn bëri thirrje që Bashkimi Evropian ta kthejë “koherencën” lidhur me të drejtat themelore të njeriut dhe lidhur me çështjet për azil dhe migrim, duke e përfshirë edhe Konventën e Gjenevës.
“Nëse nuk ndodh kjo, BE do ta humb shpirtin e saj dhe vlerat e saj”, thotë i brengosur Aselborn.
Ministri i Punëve të Jashtme i cili gjithashtu është i obliguar për migrimin në qeverinë e tij, për MIA-n shprehu brengosje të madhe që “një e treta e vendeve anëtare nuk e nënshkruan Paktin për migrime” të KB-së në Marakesh.
“Ajo që është më e keqja është se ata që duhet të marrin mbrojtje ndërkombëtare nuk e marrin, ndërsa një delikuent e mori, një tip i cili është i gjykuar mori azil në një vend i cili i mbylli kufijtë e vet…”, thotë Aselborn.
Çështja e azilit për Gruevskin deri më tani asnjëherë nuk është ngritur në kuadër të Këshillit të BE-së, gjegjësisht të vendeve anëtare, mëson MIA.
Aselborn thotë se vendet anëtare nga këndvështrimi juridik nuk kanë mënyrë ta hapin atë çështje pasi vendimet për ndarjen e azilit janë strikt kombëtare. Por, thotë ai “mundemi në aspektin politik ta dënojmë këtë akt”.
Më shumë burime diplomatike në BE për MIA-n konfirmojnë se as në Këshillin e Punëve të Jashtme të hënën e as në Këshillin për punë të përgjithshme ku temë ishte shteti ligjor në Hungari, nuk është folur për Gruevskin.
Deri më tani dënimi i vetëm erdhi nga Parlamenti Evropian i cili i votoi dy amendamente me të cilat dënohet vendimi hungarez për azil. Por, as Komisioni Evropian e as vendet anëtare nuk reagojnë.
Aselborn nga ana e tij nuk dëshiron ta komentojë heshtjen e pushtetit ekzekutiv evropian, por thotë se gjendja në BE “thellë e brengos”.
Samiti i BE-së i cili do të mbahet sot dhe nesër në Bruksel në masë të madhe do t’i kushtohet Brekzitit. Në pjesën për Politikë të Jashtme duhet të bisedohet për Ukrainën dhe Rusinë. Ballkani nuk është në rend dite, ndërsa askush nuk pret Orbanit t’i shtrohet çfarëdo pyetje lidhur me Gruevskin. s