Londër, 13 prill – Themeluesi i Uikiliksit, Xhulijan Asanzh është dërguar në burgun Belmarsh në pjesën juglindore të Londrës, zbulon një burim i paemëruar gjyqësor britanik.
Burgu Belmarsh është shumë i siguruar, me kapacitet deri në 910 të burgosur, midis të cilëve ka edhe të atillë që shkaktojnë interes të madh mediatik. Midis tyre ishte Ronald Bigs, njëri prej kryerësve të vjedhjes në trenin postar nga Glazgov deri në Londër në vitin 1963, i cili vdiq në vitin 2013. Ndër të burgosurit ishte edhe predikuesi radikal Anxhem Çuudri, i cili është dënuar në vitin 2016 dhe i liruar dy vite më pas.
Policia britanike para dy ditëve e arrestoi Asanzhin në ndërtesën e Ambasadës së Ekuadorit në Londër, ku qëndroi shtatë viteve të fundit, pasi Ekuadori ia shfuqizoi azilin. Policia informoi se 47 vjeçari Asanzh është arrestuar në bazë të urdhrit të Gjykatës në Uestminster të dhënë më 29 qershor të vitit 2012, sepse nuk është paraqitur në terminin e paraparë.
Avokati i Asanzhit, Xhenifer Robinson deklaroi se klienti i saj do të luftojë kundër kërkesës për ekstradim, ndërsa ai proces mund të zgjatë prej 18 muaj deri në dy vjet.