Jasir Asani duket se i ka pasur nervat me veten. Të paktën këtë theksoi gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”. Ai sqaron se nuk i kishte me trajnerin skenat pas zëvendësimit, ndaj sqaron se ekipi është më i bashkuar se kurrë dhe pas fitores do të njohin vetëm rritje. Anësori shkon edhe më larg, ndërsa paralajmëron kundërshtarët dhe rezervon që pas javës së 6-të titullin kampion.
“E merituam ta fitonim këtë ndeshje. Dhamë gjithçka në fushë. Luajtëm në grup dhe të bashkuar, si një familje e vërtetë. Kështu do vazhdojmë dhe nuk mendoj se do të kemi problem asnjë ekip tjetër në Kategorinë Superiore në vazhdim. Nuk ishim aspak nën presion, pasi e dinim se kemi ekip shumë të mirë.
Jemi kampionë dhe këtë vit mendoj se do t’i arrijmë qëllimet tona. Mendoj se pas këtij derbi, do nisë ngjitja jonë, pasi këto fitore na motivojnë realisht shumë. Me këtë lojë, do shkojmë larg. Skema me 4 apo 3 mbrojtës? Nuk është gjë për ne, sepse jemi mësuar me të dyja modulet.
Trajneri preferon të luajë me 3 në fakt, por prej mungesës së Boldor që ishte disi i lënduar, e nisëm kështu. A do ta mbrojmë titullin? Besoj se po, prandaj jemi këtu. Jemi më të mirët dhe normal do ta mbrojmë”, u shpreh fillimisht sulmuesi. I pyetur për nervat, ai shpjegon: “Nuk kam asgjë me trajnerin. Por këto momente edhe ndodhin. Kisha ato nervat e mia, por e kalova”.