Shkup, 7 maj – Drejtori i ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura Irfan Asani realizoi takim me kryetarin e komunitetit evropian të hekurudhave Libor Lochman.Në këtë takim drejtori Asani, kryetarin e komunitetit evropian të hekurudhave Libor Lochman e ka informuar për situatën aktuale në trafikun hekurudhor në Maqedoni, duke u ndalur më tepër në gjendjen e infrastrukturës hekurudhore, njofton Koha.
“Në takimin e sotëm, kryetarin e komunitetit evropian të hekurudhave Libor Lochman e informuam për projektet të cilat ne si ndërmarrje Publike po i realizojmë e të cilat janë në interes edhe të komunitetit evropian të hekurudhave. Në këtë takim me vëmendje të veçantë prezantuam projektin final për ndërtimin e linjës hekurudhore në drejtim të Shqipërisë për të cilin për momentin shqyrtojmë mundësitë e financimit dhe fillimit të punimeve. Po ashtu kryetarin e komunitetit evropian të hekurudhave e informuam edhe për rrjedhën e punimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore në drejtim të Bullgarisë”, është shprehur Asani.
Kryetari i komunitetit evropian të hekurudhave Lochman në takimin me drejtorin Asani është shprehur se vizita e tij në Shkup është në kuadër të takimeve të rregullta me ndërmarrjet anëtare të komunitetit evropian të hekurudhave.
“Në këtë takim biseduam për projektet aktuale të ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura , për sfidat por edhe për rrjedhën e punimeve për ndërtimin e linjës hekurudhore në drejtim të Bullgarisë. Ne si komunitet evropian hekurudhor japim mbështetje të plotë ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura e cila është anëtare e jona”, ka deklaruar Lochman.
Komuniteti evropian i hekurudhave ka rreth 80 anëtare aktive në mesin e të cilave është edhe ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura.