Shkup, 6 prill – Këtë fundjavë duhet të niste sezoni i ri futbollistik në Suedi, ku me interes pritej debutimi i sulmuesit shkupjan, Jasir Asani në kampionat në radhët e AIK Stokholmit. Por,pezullimi i aktiviteteve sportive nga epidemia e Koronavirusit ka bërë që Asani duhet të presë për të luajtur në kampionatin suedez me AIK-un. Në dallim nga pjesa dërrmuese e vendeve evropiane, ku popullata është në shtëpi e izoluar, Suedia po aplikon një strategji më të butë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, përcjellë gazeta KOHA, Asani tregon se çfarë po ndodh aktualisht në Suedi, ku në dallim nga pjesa dërrmuese e klubeve të futbollit, skuadrat suedeze i kanë nisur përgatitjet në terren. Asani tregon se mezi pret që të nisë kampionati.
“Në Suedi epidemia e Koronavirusit nuk është problematike si në vendet e tjera. Njerëzit vijojnë jetën normale duke mos u privuar nga përditshmëria, gjithsesi kujdesi mbetet primar. Në ditët e fundit kemi nisur stërvitjet si ekip dhe nga java tjetër presim një përgjigje se si do të veprohet me fillimin e kampionatit”, u shpreh fillimisht Asani.
Në janar Jasir Asani kaloi në formë huazimi nga Partizani te AIK Stokholm. Huazimi është deri në qershor me të drejtë blerje nga suedezët. 24-vjeçari pret të tregojë veten në një nga klubet më të fortë në Suedi, ku në radhët e skuadrës ndodhen shumë lojtarë cilësor. Asani pohon se ndihet mirë në klubin e ri dhe mezi pret që të debutojë dhe të lërë gjurmë te klubi, duke mos e menduar kthimin prapa.
“Personalisht ndihem shumë mirë. Çdo ditë bëjmë nga dy seanca stërvitore, por më pas unë bëj edhe disa përgatitje shtesë që të jenë në formën më të mirë të mundshme kur të nisë kampionati. Ndihem me fat se bëj pjesë në një klub të madh dhe me lojtarë cilësor, ndaj shpresoj të bëj më të mirën për ekipin. Duke ditur që kemi nisur sërish stërvitjet shpresoj që së shpejti të nisë edhe kampionati”, shtoi Asani.
Kontrata e huazimit i mbaron në qershor, periudhë e cila mund të korrespondojë edhe me përfundimin e kampionatit në Shqipëri. Gjithsesi, sulmuesi nga Shkupi mendjen e ka për të bërë karrierë me AIK-un.