Kur gjërat shkojnë mirë në një skuadër, sigurisht që është grupi i cili ka peshën më të madhe në suksese, por tek Partizani, aty ku çdo kush shërben për tjetrin, ku agresiviteti i ka lënë vendin punës, përkushtimit dhe përulësisë, ka një yll.
Në fillim skeptikët me të drejtë menduan, “ky nuk mund të jetë Partizani, nuk ka sesi. Ky është ekipi i të rinjve, me lojtarë 20-vjeçarë, të cilët nuk mund të pretendojnë shumë”. Të gjithë sot shohin klasifikimin dhe heshtin, sepse 20-vjeçarët ia kanë dalë të paktën deri tani, të mposhtin eksperiencën e shumë lojtarëve në skuadra të tjera.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ylli i ekipit të tyre është vetëm 23 vjeç, dhe bëhet fjalë për shqiptarin nga Maqedonia, Jasir Asani. Në sezonin e kaluar lojtari e pa veten tek Pobeda e më pas tek Partizani, ku në 2017-2018 realizoi 4 gola.
Ky tani është starti më i mirë për të, pasi në harkun e 7 ndeshjeve, ka realizuar 3 gola. Por jo vetëm kaq, sepse ai di të argëtojë tifozët me lëvizjet e tij, di të shërbejë dhe të jetë i saktë, dhe për ta përmbledhur, ai di të jetë lojtari që çdo trajner do donte në skuadër.
Modestia nuk i mungon dhe gjithmonë është përpjekur të qëndrojë me këmbë në tokë. Ashtu si e gjithë skuadra, Asani nuk është fans i daljeve publike, me një Instagram tepër serioz, ku veç fotove nga stërvitja apo futbolli, e vetmja në një bar është me kapitenin Alban Hoxha.
Detyra e yllit ndoshta ishte për të tjerë, por petkun e ka marrë Asani dhe po e bën diçka të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në mesin e talenteve, Gega duhet t’i mbajë me këmbë në tokë, ndërsa atyre u mbetet vetëm të shkëlqejnë.