Shkup, 4 qershor – Do të jem ministër për të gjithë pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, partiake dhe fetare. Do të mundohem të krijoj identitet unitar kulturor për të gjithë dhe të ndërtoj ura të bashkëpunimit kulturor midis të gjitha bashkësive dhe të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, deklaroi Asaf Ademi pas marrjes së funksionit të ministrit të Kulturës.
Ai është kuadër i parë i Lëvizjes BESA, i cili bëhet ministër në Qeverinë e Zoran Zaevit dhe funksionin e mori nga paraardhësi i tij Robert Alagjozovski në kabinetin në Ministrinë e Kulturës. Për mediat, Ademi deklaroi se me Allagjozovskin kanë këmbyer mendime dhe ide për atë si të përmirësohet jeta kulturore në Maqedoni.
“U pajtuam se jemi në rrugën e duhur për eurointegrimin e vendit. Kjo duhet të reflektojë pozitivisht edhe në jetën kulturore në Maqedoni dhe që kjo të realizohet do të bëj përpjekje maksimale. U pajtuam edhe se jeta kulturore fillon të përmirësohet pas projekteve disavjeçare kulturore që kanë bërë punë jo të mira në lidhje me jetën multikulturore dhe multietnike në vend”, shtoi Ademi.
Ai është inxhinier ndërtimi, deri më tani ka qenë drejtor menaxhues i zyrës së INSCALE Global në Shkup, ndërsa ka edhe karrierë diplomatike si ish-ambasador në Danimarkë.
Ademi dhe Allagjozovski nuk u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve duke dëshiruar që takimi i sotëm i pranim-dorëzimit të funksionit të mbetet protokolar. Ministri i ri premtoi bashkëpunim dhe transparencë, ndërsa në pyetjen se çka do ta këshillojë pasardhësin e tij, Allagjozovski u përgjigj se nuk do t’i jepte këshilla sepse nga ajo që deri më tani e kanë biseduar, ministri i ri, siç tha, është i vetëdijshëm për situatën në kulturë dhe ka angazhime për të punuar në interes të zhvillimit kulturor dhe realizimit të nevojave kulturore të qytetarëve.
Allagjozovski theksoi se kultura gjendet në proces reformues dhe nga Ademi pret politikë të vazhdimësisë dhe realizimit të Strategjisë së sjellë për zhvillim kulturor.
“Presim marrëveshje të re kolektive për të punësuarit në kulturë. Kemi edhe një propozim-koncept të gatshëm për ligj të ri për kulturën, ashtu që ky është një lloj pranim-dorëzim i stafetës. Ne me shpejtësi të plotë e dorëzojmë punën dhe të gjitha rezultatet dhe proceset tona të deritanishme të ministrit të ri dhe të kabinetit të ri dhe presim se me të njëjtën shpejtësi puna do të vazhdojë më tej. Qëllimi është që qytetarët dhe punonjësit në kulturë të marrin një sistem bashkëkohor i cili në 11 vitet e fundit e dimë si është shkatërruar”, deklaroi Allagjozovski.
Ai e ka udhëhequr resorin e Kulturës nga 1 qershori i vitit 2017, gjegjësisht nga formimi i Qeverisë së Zoran Zaevit vitin e kaluar. Kumtoi se mbetet në pozitë të lartë në Qeveri si koordinues nacional për kulturë, zhvillim kulturor dhe bashkëpunim ndërdikasterial në kulturë, pozitë e cila tha, drejtpërdrejtë i është përgjegjëse kryeministrit për punë.