Në emisionin “Komiteti” të drejtuar nga Berat Buzhala, prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjinin, sekretari i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, ka folur për qëndrimin e kësaj partie pas mbajtjes së zgjedhjeve në Maqedoni. Ai ka treguar arsyet që Lëvizja Besa përkrah kreun e LSDM-së, Zoran Zaev, për të marrë mandatin e kryeministrit. Megjithatë, në rast se liderit i LSDM-së nuk i jepet mandat dhe nuk aprovohet kërkesa e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për përsëritjen e zgjedhjeve, sekretari i Besës ka thënë se partia e tij është duke hartuar një projekt në bazë të së cilit do të ofrohej zhbllokimi i situatës në Maqedoni. BESA, siç tha Gashi, ashtu edhe partitë e tjera shqiptare i dhanë shansin LSDM-së që të fillojë një epokë të re, ndryshe nga Qeveria e kaluar, por një pjesë e shqiptarëve mbetën të dëshpëruar kur reformat e LSDM-së filluan me Talat Xhaferin, ish ministrin e Gruevskit.