Zejnulla VESELI
Shkup, 5 shtator – Një ndër problemet më të vështira me të cilat ballafaqohet Maqedonia këto 8 vitet e fundit është papunësia dhe varfëria, si pasojë rrogave të ulëta që kanë qytetarët, shkruan gazeta KOHA. Me problemin e papunësisë më së shumti po përballet rinia, edhe atë 50 për qind prej të cilëve janë të moshës deri më 30 vjet. Këto të dhëna statistikore Maqedoninë e kanë radhitur si një nga vendet me shkallën më të lartë të papunësisë dhe varfërisë në Evropë. Pikërisht në seancë plenare në Parlamentin e Maqedonisë në rend dite tani më është Ligji për rritjen e rrogës minimale prej 12 mijë denarëve, por e cila sipas Qeverisë së re, deri në fund të viti 2020 kjo rrogë do të rriten në 16 mijë denarë. Mirëpo, shtrohet pyetja sa rroga minimale prej 12 mijë denarëve aktualisht mund të ndryshon standardin jetësore të një familje katëranëtarëshe. Ekspertët ekonomik vlerësojnë se edhe përskaj rritjes së rrogës minimale, qytetarët e Maqedonisë nuk do të jenë më të pasur dhe nuk do të jetojnë më mirë, sepse numri më i madh i qytetarëve edhe më tej do të endet rrugëve, me shpresë së një ditë do të arrijnë të gjejë punë, apo të rrisin buxhetin familjar me rrogë minimale prej 12 mijë denarëve. Kështu që edhe vitin e ardhshëm papunësia dhe rritja e rrogës minimale edhe më tej do të mbetet problemi numër një edhe i kësaj qeverie.
Arben Halili, ekspert ekonomik, shprehet se qytetarët e Maqedonisë edhe sikur t’ju rritet rroga minimale në vlerë prej 12 mijë denarëve, ata gjithmonë do jetojnë në ankth dhe frikë ekonomike, për shkak se nuk mund të sigurojnë gjërat ushqimore për familjet e tyre katëranëtarëshe.
“Çështja e rrogës minimale ka qenë një nevojë e patjetërsueshme për të nivelizuar rrogën në të gjithë sektorët. Siç e dini, sektori i tekstilit por edhe xehetarisë, kanë pas shpesh një rrogë nën minimalen dhe kjo shpesh ka nxitur debate për një standard dhe tretman të njëjtë. Gjithsesi, kjo në asnjë moment nuk duhet parë si ndonjë hap revolucionar, sepse nuk mund të pritet ndonjë efekt reflektues në shportën konsumatore të qytetarëve”, thotë për KOHA, Halili. Rroga minimale prej 12 mijë denarëve, thekson Halili, që në realitet është më pak se 200 euro, me siguri në vitin 2018 nuk do t’i bëjë qytetarët më të pasur se sa kanë qenë në vitin 2017. “E njëjta më shumë do përdoret për nevoja të politikës ditore se sa si hap konkret për përmirësimin e nevojave socio-ekonomike të familjeve. Në Maqedoni për të jetuar një standard të pranueshëm për kushtet tona, rroga minimale nuk mund të jetë nën 500 euro. Çdo rrogë tjetër më shumë do jetë e karakterit psikologjik se sa ndonjë hap konkret për të zgjidhur problemet reale”, thotë Arben Halili, ekspert ekonomik. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë(LSM), Darko Dimevski, thotë se rritja e rrogës minimale prej 12 mijë denarëve nuk do të ndikon edhe aq në rritjen e buxhetit familjarë, mirëpo një numër i madh i të punësuarve në Maqedoni do të ndjehen më të sigurt se kjo qeveri në të ardhmen do të punojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
“Edhe pse bëhet fjalë për masë populiste, në radhë të parë është shumë masë e qëlluar për punëtorin, sepse nuk është pak që një punëtori t’i rritësh rrogën për 2400 denarë, apo 40 euro. Larg mendsh se 2400 denarë nuk janë të mjaftueshme dhe se do të ndryshojnë buxhetin familjarë, mirëpo në një farë mënyre do të kthen dinjitetin e punëtorit dhe ne si sindikatë fuqishëm do të mbështesim çdo iniciativë të re të qeverisë, që shkon në favor të rritjes së rrogave të punëtorëve, sepse çdo e hyrë plus parash në buxhetin familjar do të thotë shumë për një familje katër anëtarëshe”, vlerëson ai. Edhe Dimovski thotë se që të mund një familje katër anëtarëshe të bëjë një jetë standarde, më së paku i nevojiten 34 mijë denarë. “Nëse një familje katërantarëshe i nevojiten 34 mijë denarë që të këtë një jetë standarde, atëherë mendoj se rroga minimale maksimum të jetë 17.500 denarë. Dhe kështu, nëse në një familje katër anëtarëshe ka të punësuar dy veta, atëherë shumë lehtë mund të arrihet vlera e rrogës minimale prej 35 mijë denarëve, duke bërë kështu të mundur që familja ketë një jetë më të mirë për të gjithë anëtarët e familjes. Kjo me siguri në afat prej tri viteve do të arrihet dhe rroga minimale në Maqedoni të jetë më e lartë se 17 mijë denarë”, thotë Darko Dimevski, kryetar i Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.