Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 shtator – Maqedonia posedon shumë pak brende që janë të njohura jashtë kufijve të saj si në shtetet fqinje, ashtu edhe në tregun evropian, shkruan gazeta KOHA. Ekonomistët thonë se brishtësia e ekonomisë vendore, rritja e dobët ekonomike, si dhe tregu i vogël i varur nga eksporti ndikojnë në faktin që Maqedonia në më shumë se 20 vite pavarësi – krijoi vetëm disa dhjetarë brende që megjithatë me shumë vështirësi depërtojnë në tregjet e huaja. Vlerësohet se menaxherët në vend, kryesisht mendojnë dhe funksionojnë në suaza lokale dhe jo globale dhe kënaqen me fitimin që e realizojnë në tregun vendor. Ekspertët e marketingut thonë se shkaqet kryesore pse brendet nga Maqedonia nuk njihen nga konsumatorët në rajon janë mungesa e investimit në promovimin e prodhimeve jashtë, mos-pozicionimi në marketet e mëdha dhe rrjetet e mëdha tregtare, gjegjësisht mungesa e investimeve me qëllim që prodhimet e Maqedonisë të kenë një imazh të njohur në rajon. Si faktor të tjerë janë edhe vogëlsia e tregut vendor apo numri i vogël i konsumatorëve vendor që nuk lejon rritjen e brendit në raport me tregun serb apo kroat për shembull, si dhe mos-prezenca me prodhimet tona në mediat e rajonit. Vlerësohet se krijimi i brendit në suaza rajonale dhe globale është një proces afatgjatë që kërkon investime të mëdha që në kushte në të cilat funksionon biznesi vendor paraqet një punë mjaft të vështirë.
Në shitoret e ndryshme në tregjet rajonale dhe evropiane, pak dallohen brendet e njohura nga Maqedonia që nënkupton se prodhuesit vendor – më shumë janë të orientuar ndaj konsumatorit në vend. Faktin se edhe në dy dekadat e ekzistencës së Maqedonisë si shtet i pavarur janë krijuar vetëm disa dhjetëra marka apo brende nga Maqedonia të njohura edhe jashtë kufijve të saj që shiten jashtë, shpjegohet nga ana e ekonomistëve me interesimin e vogël të afaristëve të vendit që të zhvillojnë brendet e tyre vetanake. Nën brend nënkuptohet emri, shenja, simbol apo dizajni me qëllim të identifikimit të produkteve apo shërbimeve të një kompanie dhe diferencimit të tyre nga produktet dhe shërbimet e konkurrencës. Njohësit e marketingut thonë se prodhimi prodhohet në fabrikë, fushë apo kopsht, ndërsa brendi në kokën e konsumatorëve. Me fjalë të tjera, brendimi i prodhimit për eksport është transformimi i prodhimit në brend në një fotografi në kokën e konsumatorit që me vete përcjell edhe premtimin se prodhimi do të plotësojë pritjet që ka konsumatori. “Kompanitë vendore nevojitet më shumë të orientohen në strategjitë e brendimit që të mund të kapin hapin në mos me kompanitë ndërkombëtare, atëherë së paku me kompanitë e rajonit. Sikur tek biznesi vendor mungon dëshira të investojnë në prodhimet e tyre me qëllim që ata të njihen në treg. Që të krijohet brend i suksesshëm nevojitet një tregim dhe asocim për çdo prodhim me qëllim që të hyn në vetëdijen e konsumatorëve” , thotë konsulentja e biznesit, Lençe Sotirovska. Nga ana tjetër, ekspertët e marketingut thonë se brendingu i suksesshëm i prodhimeve ka për qëllim që me cilësinë e lartë të prodhimeve që në vazhdimësi i ofrohet konsumatorit, vendimi për blerje të merret që para vetë procesit të blerjes.
Vlerësohet se problemi kryesor te bizneset tona është edhe orientimi i tyre të punojnë në treg të vogël dhe konkurrencë të vogël si dhe mungesa e fokusit të tyre që të eksportojmë më shumë ku pjesa më e madhe e kompanive pak investojnë në brendimin e prodhimeve . Në ndërkohë në shtet ekzistojnë edhe shembuj të kompanive të suksesshme që vitet e e fundit kanë promovuar brende të reja në Maqedoni dhe jashtë saj, siç janë – për shembull kompania Tikvesh me verërat e saja, Alkaloidi me brendin Bekutan, apo brendi i ajvarit “Mamass” që synojnë në mënyrë strategjike dhe afatgjatë të gjejnë pozitën e tyre në treg dhe që tregojnë se investimet në marketing dhe inovacione çdo herë sjellin rezultate. Prezencën e dobët të brendeve vendore edhe në tregjet e rajonale e tregon edhe matja e fuqisë së brendit në hapësirat e ish Jugosllavisë. Në top listën e 25 brendeve, krahas atyre globale – renditen edhe brende nga Sllovenia, Kroacia apo Serbia, por jo edhe nga Maqedonia. Në vendin e parë, në shtetet e ish Jugosllavisë janë CoCa Cola, çokollatat Milka, ndërsa pasojnë Cedevita, Vegeta, Argeta, Smoki, Orbit, Cocta, Nivea, Jana, Colgate, Fanta, Chipsy, Paloma, Sprite, Plazma, Lenor, Pepsi, Ki-ki, NesCaffe, Jaffa Cakes, Snickers , Gillette , Airvaves, dhe jogurti Dukat. Renditja e brendeve vetëm për Maqedoninë tregon se i pari është brendi Argeta, ndërsa pas pastetës sllovene renditen Jogurti qumështores së Manastirit, Coca Cola, Colgate, Stobi Flips i Vitaminkës së Prilepit, Nescafe, Milka, Vegeta, Orbit, dhe Palloma.
Sa i takon markave më të njohura botërore apo brendeve, Google këtë vit renditet në krye të klasifikimit që vlen afër 110 miliardë dollarë, duke lënë pas Apple, e cila tani mban vendin e dytë me vlerën prej 107 milionë dollarë. Në vend të tretë gjendet Amazon, në vendin e katërt kompania amerikane e telekomunikacionit ATT, ndërsa Microsoft zbriti në vendin e pestë. Sa i përket kompanisë Samsung, ajo është e pozicionuar në vendin e gjashtë. Në vendin e shtatë është Verizon i sektorit të telekomunikacionit, ndërsa në vendin e tetë kompania Valmart, gjiganti amerikan i tregtisë. Në vendin e dhjetë renditet banka kineze ICBC. Surpriza është kompania Facebook, që ka hyrë në “Top 10”, duke u renditur në vend të nëntë, nga vendi i 17-të që ishte vitin e kaluar, tregon klasifikimi i Brand Finance Global. (koha.mk)