Buxheti i vitit të ardhshëm nuk ka në plan asnjë punësim enkas për etnitetet joshumicë, konkretisht për shqiptarët. Njëjtë sikurse në 2017 dhe në 2018, edhe n’mot nuk janë paraparë konkurse për punësimin dhe arritjen e përqindjes prej 25.5 për qind të shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, megjithëse që para dy vitesh, përfaqësimi i drejtë sipas Marrëveshjes së Ohrit ka ngelur në 19 për qind
Zejnulla VESELI
Shkup, 28 nëntor – Nuk janë paraparë mjete për punësime të reja sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit me Buxhetin për vitin e ardhshëm, e cila siç thuhet zyrtarisht, për administratën do të kalojë në shenjë të reformave, në pajtim me kriteret e Komisionit Evropian, shkruan gazeta KOHA. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, duke prezantuar ditë më parë Buxhetin për vitin 2019, theksoi se nuk do të ketë punësime sipas parimit të Marrëveshjes së Ohrit, por megjithatë do të merret parasysh përfaqësimi i drejtë në administratë.
“Interesim të këtillë për këtë situatë nuk kishte më herët. Tani po del të jetë problem zgjidhja e këtij problemi disavjeçar, të cilin e kemi trashëguar. Tani po ngrihet zhurmë më e madhe sesa dikur kur situata ishte status quo, ndërsa disa prej atyre personave edhe pas dhjetë viteve kanë marrë paga, e nuk kanë shkuar në punë. Do të na jepni pak kohë që të zgjidhim këtë situatë në pajtim me ligjin”, është shprehur Mançevski. Për atë se deri ku është përcaktimi (shpërndarja) e të punësuarve, të cilët me vite marrin, paga por nuk shkojnë në punë, ai u shpreh që përgjigjet të merren nga Sekretariati për implementim të Marrëveshjes së Ohrit, me të cilin udhëheqë Hazbi Lika nga BDI. Nga kabineti i këtij të fundit, akoma nuk është prezantuar Buxheti për vitin e ardhshëm, madje nuk ka një shpjegim se si do të arrihet përqindja e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve e paraparë në Marrëveshjen e Ohrit.
Për mungesën e buxhetit për punësime sipas Marrëveshjes së Ohrit, ka reaguar edhe akademiku Izet Zeqiri. Ai ka pyetur se, në mungesë të buxhetit vitin e ardhshëm, si do të rritet përqindja e shqiptarëve gjithmonë konfirmon Marrëveshjes së Ohrit?
“Në vitin 2019 nuk do të ketë punësime për përfaqësim të drejt dhe adekuat nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Shtrohet pyetja si do të arrihet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve prej 25.7 për qind, kur përfaqësimi i shqiptarëve është ende 19 për qind?. Edhe 19 për qind përfaqësimi është jo i saktë, pasi e para, shumë institucione nuk raportojnë për përfaqësimin e shqiptarëve – thjeshtë refuzojnë, dhe e dyta, numri i të punësuarve në administratë shtetërore dhe publike është shumë më i madh se 123.127 të punësuar sa janë të raportuar deri sot. Po të bëjmë një analizë të saktë, do të shohim se përfaqësimi është shumë më i vogël se 19 për qind. Edhe ky numër do të rrezikohet si rezultat i mos sistemimit nëpër institucione të atyre që janë të punësuar në sekretariat për implementim të Marrëveshjes se Ohrit”, shkruan akademik Zeqiri.
Ndryshe, në vitin 2010, shqiptarët kanë pasur rritjen më të madhe të përfaqësimit në administratë, ndërsa asnjë punësim me konkurs nga Sekretari i Marrëveshjes së Ohrit nuk ka pasur vitin e kaluar, por as edhe këtë vit. Në vitin 2008, përfaqësimi i shqiptarëve në administratën publike dhe atë shtetërore ka qenë 12.76, në 2009 – 14.05 për qind, në 2010 rritet për 2.9 për qind, ose 16.92 për qind, në 2011 – 17 për qind, në 2012 – 17.8, në 2013 – 18.1, në 2014 – 18.6, në 2015 – 18.8, dhe në vitin 2016, përfaqësimi i shqiptarëve arrin në 19.2 për qind.
VETËM 250 NGA 1400 ADMINISTRATORË JANË SISTEMATIZUAR
Rreth 1400 administratorë të Marrëveshjes së Ohrit ende qëndrojnë në shtëpi dhe marrin rrogë, 158 prej tyre kanë refuzuar punën që u është ofruar, por Qeveria ende u ndan para deri sa t’u ofrohet shansi i dytë për punë. Rreth 800 të tjerë kanë deklaruar se dëshirojnë të punojnë dhe për ata kërkohet vend pune. Sipas Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit, 250 persona veçmë kanë filluar të punojnë. Ministri i Administratës, Damjan Mançevski pohon se ata që refuzuan punën e parë, do të hiqen nga lista e pagave vetëm nëse asnjë institucion nuk është i interesuar për ata. “Nuk kishte interes të tillë për këtë situatë më parë. Këta njerëz kishin probleme politike. Ne kemi rënë dakord, kemi ndryshuar ligjet, dhe tani ekziston një problem, se pse po zgjidhet kjo çështje”, tha Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë së Informatikës dhe Administratës. (koha.mk)