Për punën e njëjtë që bëjnë, të rinjtë paguhen dhjetëfish më mirë në Europë, prandaj ata vendosin të braktisin vendlindjen, madje edhe sikur Maqedonia të pranohej në NATO dhe BE. Sociologët kritikojnë mënyrën e selektimit të kuadrove dhe janë kundër ngritjes në karrierë të njerëzve që janë të afërt me partitë politike
Zejnulla VESELI
Shkup, 12 tetor – Pothuajse çdo ditë autobus plotë me të rinj jo vetëm nga Maqedoni Perëndimore por edhe nga qytetet e Maqedonisë Lindore si, Vinica , Koçani, Shtipi, Strumica , Velesi dhe Kumanova masovikisht udhëtojnë drejt Italisë, Austrisë dhe Zvicrës, sepse të rinjtë në këto vende e shohin perspektiven dhe ardhmërinë e përkohshme, shkruan gazeta KOHA.
Sociologu Ali Pajaziti është i mendimit se të rinjtë e braktisin vendin për shkak të humbjes së besimit lidhur me ardhmërinë e këtij vendi. ”Gjendja ekonomike, politike, klima e përgjithshme e krizës permanente që kur kanë lindur pjesëtarët e kësaj gjenerate e këndej i bën ata që të kaplohen nga një psikologji negative se diçka mund të përmirësohet këtu. Një faktor tjetër është edhe mosfunksionimi i “ashensorit objektiv social”, pra i ngritjes së kuadrove më të mira, më cilësore në majat e piramidës shoqërore”, thotë sociologu Pajaziti. Partizimi i çdo cepi të shoqërisë, thotë ai, ia humb kuptimin garës dhe konkurrencës mes të rinjve.
“Rënia e nivelit të arsimit, zgjedhja politike e kuadrove, në veçanti të atyre në arsimin e lartë, bën që të ketë përplasje mendore të të rinjve që nuk mundet ta kapërdijnë jo cilësinë. Korrupsioni është një faktor tjetër, kërkimi i parave për punësimet edhe në higjienë dhe në punë manuale, e shtyn një pjesë të popullatës të kërkojnë rrugëdaljen në emigracion. Dhe kategoria më absurde është ajo e “lazdranëve”, që i kanë të gjitha, punësime, banesë ose shtëpi, makinë, që shohin “filmat” e jetës suedeze, norvegjeze, amerikane, që nuk mendojnë kthjelltë, që sjellin vendimin pa kurrfarë vetëdijeje se çfarë po bëjnë. Njeriu së paku duhet ta dijë se i ka borxh vendlindjes, dhe ta pyesë veten “Çfarë nëse ikim të gjithë?”, thotë për KOHA, Pajaziti.
E vetmja zgjidhje për të ndaluar të rinjtë të ikin jashtë vendit është integrimi në BE dhe NATO. “ Zgjidhje parciale është integrimi në BE dhe NATO, ndryshimi i klimës politike, ardhja në pushtet të “njerëzve të mirë”, të moralshëm, që kanë ndikim në mjedisin social, të cilëve popullata iu beson. Stabilizimi i shtetit, që nënkupton mos parashtrimin e dilemave të tipit “mes ekzistencës dhe shpërbërjes”, thotë sociologu Ali Pajaziti
Edhe Sociologu Ilija Acevski, thotë se ikja e të rinjve është shkak i mospasjes perspektivë për të pasur një ekzistencë të sigurt në radhë të parë dhe se jeta është bërë shumë dinamike. Të rinjtë e Maqedonisë kanë hipur në një tren i cili po shkon më një shpejtësi marramendëse duke bartur të rinjtë e Maqedonisë drejt vendeve të Evropës me të vetmin synim të punojnë më shume se sa punohet në vendlindje por se mundi i atjeshëm paguhet 10 herë më shumë se në Maqedoni.
“Të rinjtë në Maqedoni pavarësisht se cilit etnitet i takojnë, janë të lodhur nga zgjedhjet e shpeshta dhe premtimeve të rrejshme nga partitë që qëllim të vetëm e kanë të fitojnë zgjedhjet dhe të udhëheqin me pushtetin, e në anën tjetër aspak nuk duan t’ia dinë për përmbushjen e premtimeve apo ikjen masive të rinjve’, thotë për KOHA, Acevski. Është vështirë në kohën sotme, thotë ai, të manipulosh më të rinjtë sepse pikërisht të rinjtë janë ata që më shumë janë të informuar se sa rëndë është të jetosh në Maqedoni dhe se çfarë jetë bëjnë të rinjtë në vendet e BE-së.
“Të rinjtë në çdo kohe kanë celularët në duar. Përveç që informohen saktë se çfarë të mira ofrojnë vendet e BE-së, e ne veçanti kur marrin thirrje telefonike nga të afërmit e tyre apo miqtë që iu thonë se çfarë bëni atje ejani këtu në Itali, Austri apo Zvicër dhe mblidhni molla apo rrush dhe do të paguheni 8 deri në 10 euro për një orë. Kështu si punëtorë sezonal në këto shtete, të rinjtë për tre muaj pune fitojnë 4500 euro deri më 5000 euro dhe në fund mund të kthehen me 3500 euro të fituara ndërsa për të fituar këtë shumë parash në Maqedoni i nevojiten se paku dy vjet punë pa ndërprerje. E dini se kjo logjikë ngulët thellë në trurin e të rinjve se në Maqedoni s’ka perspektive, sepse për të njëjtën punë siç është mbledhje mollash apo rrush brenda muajit merr vetëm 250 euro dhe atë në të shumtën e rasteve nuk i marrin me rregull. Pra të rinjtë e kanë pasigurinë që shteti iu ofron në vendlindje dhe në anën tjetër e ke sigurinë dhe alternativën më të mirë që të ofron një shtet anëtare e BE-së.”, thotë Acevski. Jo vetëm kjo qeveri por asnjëra qeveri ,sqaron ai, deri më sot nuk ka ofruar alternativë për jetë më të mirë që të rinjtë të punojnë dhe jetojnë në vendlindje.
“Nuk ka kurrfarë zgjidhje si t’i ndalojmë të rinjtë të ikin jashtë Maqedonisë. Kush se ka zgjidhje, vetëm gënjen. Edhe sikur të kalonte referendumi nuk do të kishte asnjë forcë ta ndalonte migrimin e të rinjve jashtë vendit. Mirëpo me hyrjen në BE dhe NATO do të ngjallej shpresa se ndoshta brenda pesë viteve do të kishim gjendje më të mirë ekonomike dhe standard më të larta të jetës por edhe atëherë nuk jam i sigurt se të rinjtë nuk do të iknin apo se do të ktheheshin edhe sikur Maqedonia të futej në BE dhe NATO. Nëse një person nga Maqedonia ka qëndruar të paktën një muaj në një shtet të BE-së edhe sikur t’i ofron shteti të gjitha të mirat, jam më se i sigurt se asnjëri prej tyre nuk do të kthehet në Maqedoni pas gjithë atyre të mirave që ua kanë ofruar vendet e BE-së”, thotë Ilija Acevski profesor i sociologjisë. (koha.mk)