Urim HASIPI
Tetovë, 2 mars – Pas publikimi të lajmit në gazetën KOHA se oborret e kopshteve të fëmijëve në Tetovë janë shndërruar në çerdhe, ku të rinjtë gjatë natës konsumojnë alkool, autoritete drejtuese të pesë kopshteve në qytet thonë se janë në dijeni për këtë problem. Ramije Dauti, drejtoreshë e kopshteve për fëmijë “Rinia” në Tetovë, thotë se disa herë personalisht ka takuar ata persona të rinj, por të gjitha përpjekjet kanë rënë në ujë, sepse problemi vazhdon të jetë akoma prezent. “Patjetër se jemi në dijeni. Vite me radhë ndodhën kjo, nuk është e rastësishme. Kam biseduar me ata të rinj, të cilët grumbulloheshin në qendrën sportive. Kam kërkuar që nëse ata kanë talent për grafite, atëherë le ta bëjnë diçka më atraktive për fëmijët, se sa të shkruajnë gjëra të pahijshme dhe t`i bëjnë dëm çerdhes, sepse vite me radhë kishim dëme materiale. Kohëve të fundit nuk kemi dëme, por ata vazhdojnë të grumbullohen. Kam reaguar dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që në orët e vona të kryejnë kontrolle, por nuk kanë konstatuar se ka dëme apo prishje të rendit dhe qetësisë publike, por nuk kemi informata se është ndërmarrë diçka konkrete që ata të largohen prej aty”, tha për KOHA, drejtoresha Dauti.
Po ashtu në këtë kaluarën janë instaluar edhe kamera, me qëllim që më lehtë të zbulohen ata që qëndrojnë në këta oborre dhe demolojnë oborret e kopshteve për fëmijë, por të njëjtat janë dëmtuar.
“Kemi instaluar edhe kamera në vitet e mëparshme në çerdhen, në qendrën sportive, por edhe ajo nuk kishte sukses, sepse i demoluan, i prishën dhe u tregua si metodë e pasuksesshme. Shpesh herë kemi denoncime edhe nga ana e fqinjëve që jetojnë afër çerdheve, edhe nëse është në orët e vona, unë shkoj personalisht, bisedoj me ata të rinj dhe nuk mund të bëjmë diçka më shumë, sepse nuk kemi roje nate nëpër objekte. Kemi pasur të angazhuar edhe kompani private të sigurimit, por edhe ajo nuk u tregua diçka efikase. Nuk mund të premtoj zgjidhje të shpejtë, por punohet në atë drejtim sepse është një problem që ekziston që nga themelimi i çerdheve”, deklaroi Ramije Dauti.
Nga ana tjetër, policia njofton se këtë vit deri më tani në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, nuk është paraqitur asnjë rast i grumbullimit të të rinjve në oborret e shkollave dhe kopshteve të fëmijëve në Tetovë dhe konsumimin e pijeve alkoolike nga të njëjtit. “Por, pavarësisht nga kjo, tanimë janë përforcuar dhe ditëve në vijim edhe më shumë do të intensifikohet prezenca e policisë rreth këtyre objekteve për parandalimin në kohë dhe zbulimin e kundërvajtjeve eventuale në kundërshtim me ligjin e rendit dhe qetësisë publike, me vërejtjen për konsumimin dhe dehjen me pije alkoolike në vende publike, për shembull, dënimi është nga 100 deri në 400 euro” , deklaroi zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Marijan Josifovski. Nga policia njoftuan se në bashkëpunim me pushtetin lokal, do të ndërmerren edhe masa dhe aktivitete të tjera për të siguruara një rend dhe siguri maksimale rreth shkollave, dhe kopshteve për fëmijë. Në ndërkohë, lidhur me problemin e qenve endacak që bredhin në këto oborret e çerdheve, drejtoresha Dauti nënvizoi se me vendosjen e rrethojave dhe mburojave edhe ky problem do të evitohet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.