Refuzimi i mbi 200 provave dhe mos përfillja e palës mbrojtëse në rastin e Kumanovës nga GJPSH, janë shkaqet kryesore të cilët duhet hetohen me asistencën ndërkombëtare, e të cilën e premtoi edhe vetë kryeministri Zoran Zaev, mirëpo rrethanat aktuale nuk japin shpresë së ky hetim do të filloi së shpejti
Omer XHAFERI
Shkup, 13 prill – Asistencës ndërkombëtare për rastin e Kumanovës as që i vjen era. Shkeljet procedurale dhe mos dorëzimi i aktgjykimeve në gjuhën shqip të akuzuarve për Lagjen e Trimave, paraqesin shkaqet kryesore se pse Gjykata e Apelit nuk mundet ta shqyrtojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë, në këtë rast të Gjykatës Penale të Shkupit, shkruan gazeta KOHA.
Pala mbrojtëse e të dënuarve në rastin e Kumanovës shprehet e indinjuar nga veprimi i GJPSH-së dhe zvarritje me mos përkthimin e aktgjykimit, i cili u shqiptua më 2 nëntor të vitit të kaluar.
Avokati Naser Raufi për gazetën KOHA shprehet se pala mbrojtëse e ka pranuar aktgjykimin dhe të njëjtin e ka ankimuar para Gjykatës së Apelit, megjithatë parakusht që kjo gjykatë ta procedoj aktgjykimin e shkallës së parë, siç theksoi ai, është që të akuzuarit ta kenë të pranuara vendimin e GJPSH-së.
AKTGJYKIMI I PAPËRKTHYER
“Për shkak se aktgjykimi ende nuk u është dorëzuar të akuzuarve për Lagjen e Trimave, të njëjtit edhe tutje qëndrojnë në paraburgim. Kjo është praktikë e re dhe deri më sot nuk ka ndodhur. Ne si palë mbrojtëse kemi kërkuar që në Prokurorinë për krim të organizuar të formohen ekipe, të cilët me asistencë ndërkombëtare – do të punojnë në zbardhjen e plotë të rastit të Kumanovës. Ne jemi në pritje dhe deri më sot asgjë të re nuk ka. Po ashtu, edhe nga Prokuroria Speciale Publike kemi kërkuar të prononcohet për këtë çështje, megjithatë përkundër kërkesës tonë për takim, ata ende nuk na janë përgjigjur”, thotë Raufi. Refuzimi i mbi 200 provave dhe mos përfillja e palës mbrojtëse në rastin e Kumanovës nga GJPSH-ja, janë shkaqet kryesore të cilët duhet hetohen me asistencën ndërkombëtare, e të cilën e premtoi edhe vetë kryeministri Zoran Zaev, mirëpo rrethanat aktuale nuk japin shpresë së ky hetim do të filloi së shpejti.
Ngjashëm si kolegu i saj, edhe avokatja Artene Iseini-Ademi potencon se procedura për shqyrtimin e rastit të Kumanovës nga Gjykata e Apelit në Shkup, ka ngelur për arsye të mos përkthimit të aktgjykimit në gjuhën shqipe e cila më pas duhet t’ju dorëzohet të akuzuarve.
“Ky aktgjykim vazhdon të mbetet peng në Gjykatën Penale të Shkupit. Jemi në pritje që vendimi i gjykatës t’ju dorëzohet të akuzuarve, pastaj të kalojë afati i ankesës dhe më pas – lënda të shqyrtohet në GJPSH. Kjo pritje e gjatë disa mujore është jashtëligjore, për shkak se të akuzuarit edhe më tutje vazhdon të qëndrojnë në paraburgim. Një pjesë e tyre kanë kërkuar të shkojnë në vuajtjen e parakohshme të dënimit me burg, me të vetmin qëllimin – mënjanimin e kushteve mizore që mbizotërojnë në sektorët për vuajtjen e masës së paraburgimit, por nuk u janë pranuar kërkesat. Kur jemi te asistenca ndërkombëtare për zbardhjen e rastit të Kumanovës, më duhet të them se asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim. Ne shpresojmë se Gjykata e Apelit do ta shfuqizojë vendimin e shkallës së parë dhe e gjithë lënda të rigjykohet nga e para. Në këtë fazë duhet të kyçet edhe hetuesit e ri. Shumë gjëra duhet të zbulohet, për shkak se tepër fakte nuk janë marrë parasysh”, tha avokatja Iseni.
Pas përmbylljes së procesi gjyqësor për Sopotin, me marrjen përsipër të rastit Monstra, opinioni më i gjerë është në pritje që edhe rasti i Kumanovës të procedohet nga Prokuroria Speciale. Burime të gazetës KOHA nga kjo prokurori thonë se për lëndën në fjalë është duke u punuar, operativa e kësaj prokurori po e heton rastin, megjithatë ende nuk dihet se vallë – ngjarjet e Lagjes së Trimave të vitit 2015 do të procedohen ose jo nga prokuroria e Katica Janevës.
HOXHA, SEFAJ, RUSTEMAJ DHE ELSHANI NË PRAG TË GREVËS SË URISË
Në burgun e Manastirit, për më tepër se 18 muaj vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim Enver Hoxha Kllajn, Genci Sefaj, Lendrit Rustemaj dhe Fadil Elshani. Kushtet mizore dhe primitive kanë ndikuar që ato mos t’i bëjnë ballë këtyre masave të paraburgimit.
“Të njëjtit nga Gjykata Penale e Shkupit kanë kërkuar që ta vuajnë dënimin me burg para se aktgjykimi kundër tyre të bëhet i plotfuqishëm. Arsyeja e vetme janë kushtet mizore. Një masë e tillë kaq e gjatë është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare po ashtu edhe me dispozitat e kornizës ligjore të Maqedonisë. Të akuzuarit në fjalë qëndrojnë në qeli dy metra me dy, nuk përjashtohet mundësia që ata të shkojnë në grevë urie. Tash duhet të llogaritet se në këtë hapësirë ato e kanë edhe tualetin”, thotë avokatja Iseini. (koha.mk)