Shkup, 12 shkurt – “Vendos rrip” është motoja me të cilën Këshilli republikan për siguri të trafikut në rrugë (KRSTRR) e filloi fushatën për siguri në trafik. Në fazën e parë dhe fillestare, siç kumtoi KRSTRR, fushata përfshiu disa aktivitete edukative përmes mediave elektronike dhe sociale. Në fazën e dytë fushata do të përfshijë disa aktivitete terreni, si organizim të ligjëratave edukative për nxënësit dhe studentët, kontrolle të përforcuara nga policia e trafikut, ngjarje edukative në më shumë vende publike dhe aksione edukative për distribuim të materialeve edukative për trafik.
“Përdorimi i rripit është obligim ligjor si për shoferët, ashtu edhe për udhëtarët, në ulëset e përparme dhe të pasme. Shoferët dhe udhëtarët duhet të kuptojnë se përdorimi i rripit të sigurimit është i dedikuar para së gjithash për sigurinë e tyre personale dhe kjo është esenciale për atë se cilat do të jenë pasojat nga aksidentet e trafikut. Ligji parashikon dënime për shoferët dhe udhëtarët të cilët nuk përdorin rrip, por nuk ka dënim më të madh se pasojat nga aksidentet e trafikut në të cilat pjesëmarrësit nuk kanë përdorur rrip”, potencojnë nga KRSTRR në kumtesë. Prej aty kumtojnë se hulumtimet dhe vlerësimet tregojnë se më pak se 40 për qind e shoferëve përdorin rrip të sigurimit.
“Kjo përqindje është më e vogël kur bëhet fjalë për bashkudhëtarë në ulësen e përparme të cilët përdorin rrip. Numri i udhëtarëve në ulësen e pasme të cilët përdorin rrip është përafërsisht baraz me zero. Për krahasim, shkalla e përdorimit të rripit të sigurimit në ulëset e përparme në vendet e Bashkimit Evropian është rreth 90 për qind, ndërsa në ulëset e pasme nga 60 deri në 70 për qind dhe BE-ja këtë e konsideron si ‘problem serioz’”, qëndron në kumtesë. Hulumtimet tregojnë edhe se në qytetet më të vogla më pak përdoret rripi në krahasim me Shkupin dhe se kur shoferët dhe udhëtarët udhëtojnë në largësi më të shkurtër në vendbanim më pak përdorin rrip në krahasim me udhëtimet të cilat realizohen në destinacion më të gjatë, jashtë vendbanimit. Gjendja e këtillë, thonë nga KRSTRR, duhet të ndryshojë.
Pesëdhjetë për qind të shoferëve të cilët jetën e kanë humbur nëpër rrugë, kanë pësuar për shkak se nuk kanë përdorur rrip, gjegjësisht hulumtimet nga organizatat relevante ndërkombëtare tregojnë se rripi i sigurimit e ka zvogëluar rrezikun nga pasoja fatale gjatë aksidentit të trafikut për 50 për qind. Fushata do të mbështetet nga më shumë personalitete publike dhe nga kompanitë e përgjegjshme shoqërore. (koha.mk)