Goditja e parë e Interit në merkaton e kësaj vere nuk do të jetë Nicolò Barella, as Edin Dzeko, por Valentino Lazaro. Lojtari i Hertha është me të vërtetë shumë afër kalimit te zikaltrit. Sipas “Il Corriere dello Sport”, marrëveshja tani është çështje orësh, apo ditësh. Klubi gjerman dëshiron ta shesë Lazaro për 20 milionë euro, pa llogaritur premiot e ndryshme, ndërsa Interi ka ofruar 17 milionë euro për të, plus bonuse të tjera.
Ndjesia është se operacioni mund të mbyllet me një “emërues të përbashkët”, sepse marrëveshja me lojtarin është arritur për pak kohë. Lazaro, një austriak i lindur në vitin 1996, përfaqëson profilin ideal për modulin 3-5-2 të trajnerit Conte. Në vend të kësaj, Interi nuk ka asnjë ngut për ta mbyllur operacionin “Barella”. Gjithashtu, edhe në këtë rast, marrëveshja me lojtarin është arritur, por nuk ka dakordësi me Cagliari.
Së fundi, në lidhje me kapitullin “Dzeko”, një tjetër lojtar i kërkuar posaçërisht nga Antonio Conte. Klubi zikaltër po pret që ujërat te Roma të qetësohen, përpara se të nisin ofensivën për sulmuesin boshnjak. Po nga Roma, në javët e ardhshme, sipas “Tuttosport”, mund të mbërrijë edhe Aleksandar Kolarov. Me pak fjalë, Interi i trajnerit Conte po merr formë…