Në të 12 veprimtaritë vihet re në përgjithësi përqindja e vogël e fondeve të miratuara, sidomos në disa veprimtari të veçanta. Diferencën e bën Folklori, ku projektet shqiptare kanë marrë përqindjen më të madhe 31.45 nga buxheti i përgjithshëm. Më pak kanë marrë veprimtari të tilla si Botimet, Muzika, Drama, Interdisiplinaret. Reagimet dhe ankesat kanë ardhur menjëherë pas shpalljes së fituesve, të zhgënjyer nga fondet e vogla, por edhe refuzimet për projekte dhe manifestime tradicionale
Evis HALILI
Shkup, 26 shkurt – Rreth 85 milionë denarë, ose më pak se 17 për qind e buxhetit të përgjithshëm për realizimin e projekteve me interes nacional do të vihen në dispozicion të kulturës shqiptare, apo shndërruar në euro – këtë vit shqiptarët nga Ministria e Kulturës do të marrin 1.5 milionë nga rreth 8.8 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Pas shpalljes së rezultateve të konkurseve nga Ministria e Kulturës për realizimin e Programit të këtij viti në të 12 veprimtaritë, vihet re në përgjithësi përqindja e vogël e fondeve të miratuara, sidomos në disa veprimtari të veçanta. Diferencën e bën Folklori – ku projektet shqiptare kanë marrë përqindjen më të madhe – 31.45 nga buxheti i përgjithshëm (gjithsej 12.551.000 denarë), ku me 42 për qind shkojnë për financimin e institucioneve, të tjerat 24.77 për qind për ansamblet e shoqëritë e tjera. Aktiviteti skenik renditet i dyti me 24.14 për qind (gjithsej mbi 17 milionë denarë) nga buxheti i përgjithshëm (508.827.346 denarë), prej të cilave institucionet nacionale 21.95 për qind, ndërsa projektet e tjera kanë marrë 30.73 për qind. Botimet renditen të tretat, ose 23.77 për qind (mbi 17 milionë denarë). Muzika dhe aktiviteti muziko-skenik këtë vit ka marrë një përqindje shumë të vogël, ndërsa projektet shqiptare nuk kanë arritur të përfitojnë as 13 për qind nga buxheti i vënë në dispozicion për këtë veprimtari, mbi 13 milionë denarë.
Më shumë sesa për institucionet, kjo shumë i dedikohet projekteve në kategorinë “të tjerë”. Projektet interdisiplinare po ashtu kanë arritur një përqindje të vogël 13 për qind (mbi 1.900.000 denarë) nga buxheti i përgjithshëm për këtë veprimtari. Veprimtari të tjera, si “Integrimet europiane”, përqindja është zero, derisa “Mbrojtja e trashëgimisë” 6.03 për qind. Reagimet dhe ankesat kanë ardhur menjëherë pas shpalljes së fituesve, të zhgënjyer nga fondet e vogla, por edhe refuzimet për projekte dhe manifestime tradicionale. Shtëpia botuese “Shkupi” përmes një kërkese publike reagon për refuzimin e tetë projekteve botuese dhe katër panaireve ndërkombëtare. “Duke injoruar këto vlera letrare botërore, ne injorojmë letërsinë dhe kulturën evropiane dhe si shtet – e zbehim përpjekjen tonë për eurointegrime. Aq më shumë që ne si botues, vihemi në pozitë të palakmueshëm ndaj të gjithë atyre botuesve, autorëve, agjencive autoriale, përkthyesve… E kjo, do të ishte turp edhe për ne si botues, por edhe për Ministrinë e Kulturës dhe shtetin në përgjithësi”, thuhet në reagimin e kryetarit Azam Dauti.
Po ashtu, kanë reaguar nga Festivali ndërkombëtar “Skupi Fest”, fondi i të cilëve është përgjysmuar. “Është skandaloze që ky manifestim ndërkombëtar 16-vjeçar të marrë këtë shumë qesharake, kur festivali ynë u mbajt edhe në vitin e pandemisë. Arti dhe artistët nuk meritojnë lëmoshë, por mbështetje institucionale për t’u zhvilluar”, thotë drejtori artistik Muzbajdin Qamili. Ngjashëm, Ministria e Kulturës këtë vit ka refuzuar mbështetjen dhe të disa festivaleve të tjera, si “Akt Fest”, “Standup Komedi”, apo ato për fëmijë “Bletëzat” që kanë një trashëgimi dhjetëra vjeçare. Ka reaguar edhe drejtuesi i Festivalit për fëmijë “Bletëzat”, Mevaip Abdiu. Ministria e Kulturës anashkalon Festivalin më të vjetër për fëmijë – ‘Bletëzat’ – Tetovë. Pa merak, festivalin edhe pa ndihmën tuaj do ta realizojmë, bile edhe më mirë. Shëndet!”, shkruan në Facebook, Mevaip Abdiu. Nga Alternativa, e cila qeverisi dy vitet e fundit këtë institucion, po ashtu kanë reaguar duke e cilësuar si tendencioze përqindjen e ndarë për projektet shqiptare, por dhe të pritshme nga udhëheqësia e tij. Reagimet kanë qenë të shumta në rrjetet sociale, individë, shoqata …, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për rezultatet e sivjetshme të konkurseve. “Deklarativisht, të gjithë janë shumë të shqetësuar për fëmijët, zhvillimin e tyre krijues, edukimin, artin. Dhe jo vetëm i yni, unë shoh që këtë vit asnjë festival i teatrit për fëmijë në Maqedoni nuk mori asnjë qindarkë”, thotë Krume Stefanovski që organizon festivalin ndërkombëtar të hijeve.
AZIRI: JAM I ZHGËNJYER NGA REZULTATET
Sekretari shtetëror Valmir Aziri pohon se është i zhgënjyer me rezultatet e Programit, fondet e vogla të akorduara dhe projektet e refuzuara. “I zhgënjyer, por jemi edhe të shqetësuar për ato institucione nacionale, shoqata, individë…, projektet e të cilëve kanë marrë shumë pak mbështetje, janë vlerësuar jo si duhet, në shumë raste edhe janë refuzuar. Jemi në konsultime me to për të parë se çfarë mund të zhbëhet në këtë situatë të krijuar”, thotë Aziri. Sekretari shtetëror dhe zëvendësministri nuk janë konsultuar gjatë emërimit të anëtarëve të komisioneve, për të cilat ministrja Irena Stefoska, u shpreh se e ka bërë përzgjedhjen pas rekomandimeve nga ekspertë të kulturës. (koha.mk)