Ajo jeton prej pothuajse dy dekadash në Tiranë dhe është me origjinë nga Turqia. Doktoreshë Arzu Mamo vjen në një intervistë speciale për Infrared të gazetës KOHA për të rrëfyer mbi trendin më të ri dhe më të fuqishëm në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e jo vetëm, ndërhyrjet estetike. Me Dr. Arzu kemi bërë një bisedë të këndshme nga e cila mësuam se ajo me pacientët e saj bëhet mike dhe i bën të ndihen në klinikë si në shtëpinë e tyre, vip-a e njerëz të zakonshëm!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Dr. Arzu, ju jeni turke me origjinë por jetoni e punoni prej vitesh në Tiranë..!
Po është e vërtetë, unë punoj dhe jetoj prej 19 vjetësh në Tiranë, që na viti 2000 dhe ushtroj profesionin e stomatologes e më pas me specializime në fushën e estetikës kam arritur të realizoj veten por edhe atë që njerëzit kërkojnë për një kujdes të plotë ndaj vetes.
KOHA: Çfarë sjell ndryshe Arzu në fushën ku lëvron?
Puna është pasioni im. Punoj me një dëshirë të madhe dhe mundohem që çdo pacient ta ndihmoj me të gjitha mundësitë e mia. Çdo pacient bëhet miku apo mikja ime. Në “ArzuBercem Medical Estetic” të gjithë mund të gjenden si në shtëpinë e tyre.
KOHA: Flasim pak për ndërhyrjet estetike, a ka kërkesa për këto ndërhyrje, janë bërë trend apo jo?
Në ditët tona, të kryesh një ndërhyrje estetike për arsye të përmirësimit të imazhit është tërësisht normale dhe numri i kërkesave është rritur në krahasim me vitet e tjera, si nga femrat po ashtu edhe nga meshkujt. Me kalimin nga “ekskluziviteti” i VIP-ave te të gjithë të interesuarit, nga “vetëm” femra edhe tek meshkuj, duket se ndërhyrjet estetike po përhapen nga viti në vit.
KOHA: Për cilat shërbime ka më shumë kërkesa?
Plazma, ripërtëritja e kolagjenit në fytyrë, botoksi, realizimet me acid hilaruonik janë ato që kërkohen më shumë.
KOHA: Pse mendon se është kjo rritje kërkese për t’i zbukuruar me anë të këtyre ndërhyrjeve Dr Arzu?
Femrat në veçanti kërkojnë që pamja e tyre të jetë sa më perfekte dhe nuk kursejnë kur bëhet fjalë për ndërhyrjet estetike. Është bukur të dukesh bukur, po nga ana tjetër, duhet mbajtur nën kontroll që kjo mani të mos i kalojë kufijtë, sidomos tek të rinjtë. Të gjithë i duan operacionet, duke filluar nga moshat e reja dhe deri te moshat e rritura, që nga VIP-at e deri te njerëzit e thjeshtë.
KOHA: Tek ju drejtohen edhe vip-a apo jo?
Po, shumë prej tyre vijnë dhe kërkojnë zbukurime në pamjen e jashtme dhe sigurisht që unë ia ofroj në mënyrën më të saktë dhe të duhur.
KOHA: Ka vip-a tekanjozë apo janë të gjithë falënderues në fund të fundit?
Nuk mund të përmend emra për shkak të etikës profesionale, por mund të them që jam e lumtur që nga duart e mia të gjitha personazhet publike kanë dalë të kënaqur dhe unë jam shumë falënderuese për besimin e tyre. Jo vetëm të vip-ave por të gjithë atyre që vijnë në klinikën time.
KOHA: Dr. Arzu a ka një standard bukuria?
Në fakt, bukuria e jashtme është e ndërlikuar dhe ndikohet nga shumë elemente. S’mund të vlerësojmë në mënyrë të thjeshtë bukurinë e ndonjë pjese të trupit. Nuk mund të vlerësojmë vetulla, hundë, sytë dhe gojën perfekte. Duhet të theksojmë bukurinë harmonike dhe unike të pamjes së përgjithshme. Në botën tonë, nuk ekzistojnë persona me bukurinë absolute. Çdo njeri e ka një defekt në pamjen e jashtme. Për shembull, disa persona nuk kanë sy të njëjtë. Këto defekte ose diferenca të trupit mund të ekzistojnë gjithmonë në jetën tonë. Pamja e bukur mund t’na ofrojë epërsi në dashuri, martesë, punë etj. Por mos harrojmë se aftësia e punës, karakteri dhe morali personal luajnë rol më të rëndësishme në jetën tonë.
KOHA: Pra, ju ktheheni edhe në një lloj psikologeje me pacientët tuaj?
Para ndërhyrjeve estetike çdo individ duhet të niset nga situata praktike, të rregullojë gjendjen psikologjike dhe të bëjë vetëvlerësim të drejtë të vetes dhe të asaj që kërkon. Më pas, nëse vendos që të rregullosh diçka në fytyrë, të zbukurohesh këtë duhet ta bësh vetëm tek një profesionist, sepse mund të ketë pasoja të cilat tek e fundit ai që nuk është specializuar për këtë gjë mund edhe të mos mbajë asnjë përgjegjësi. Flisni me doktorin apo doktoreshën e duhur për këtë gjë që edhe rezultatet të jenë konkrete, të vërteta dhe pritshmëritë të jenë maksimale.