Artistët shqiptarë më të margjinalizuar

Ministria e Kulturës në të ardhmen do të duhej që në kuadër të strategjisë së saj të përqendrohet më tepër tek kriteret e përfaqësimit të artistëve jashtë vendit, ku artistët shqiptarë zakonisht janë më të margjinalizuar

Delvina KËRLUKU

Shkup, 8 mars – Janë disa artistë shqiptar që do ta përfaqësojnë Maqedoninë, me veprat e tyre, jashtë shtetit. Por ky numër është shumë i vogël në krahasim me artistët maqedonas që kanë marrë të drejtë për të prezantuar projektet e tyre në mbarë botën, shkruan gazeta KOHA.  Në programin vjetor për vitin 2019 të Ministrisë së Kulturës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshihen të gjitha turnetë dhe përfaqësimet e artistëve, të cilët do të jenë prezent me projekte e programe në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare me karakter kulturor, e të cilat do kenë mbështetje institucionale.

Në veprimtarinë teatrore do të jetë Qendra e Teatrit për Fëmijë, në Shkup, e cila planifikon të merr pjesë në Festivalin ndërkombëtar të kukullave në Izmir, të Turqisë me dramën “Në botën e fabulave”, e punuar sipas fabulave të Ezopit, me regji të Besfort Idrizit. Ky është teatri i vetëm shqiptar nga Maqedonia që prezantohet në këtë festival.

“Ky festival është ndër festivalet më të mëdha për shfaqje me kukulla në Turqi. Ne kemi aplikuar dhe na kanë ftuar për të marrë pjesë në festival. Festivali është vetëm me karakter revial dhe jo garues. Ne jemi ndër të vetmit që luajmë 6 shfaqje në këtë festival. Shkojmë me shfaqjen “Në botën e fabulave” e punuar sipas fabulave të Ezopit”, thotë regjisori Besfort Idrizi, për gazetën KOHA. Sipas tij, shkuarja e teatrit jashtë vendit po përcillet me shumë sfida,sepse shteti është ai që nuk u jep hapësirë të duhur artistëve që të prezantojnë vlerat skenike në botë. Vështirësitë zakonisht janë të natyrës financiare, ndonëse në të shumtën e rasteve shpenzimet mbulohen nga festivali mikpritës, sqaron Idrizi.

“Në të kaluarën ka pas një praktikë të keqe ku është dashur që një vit më herët të kërkohen mjete nga Ministria e Kulturës për të mundësuar pjesëmarrjen nëpër festivale ndërkombëtare dhe ky ishte një hendikep i madh sepse asnjë festival ndërkombëtar nuk e dërgon ftesën një vit më herët. Tani nga ky vit kjo praktikë e ministrisë është ndryshuar dhe kërkesat për pjesëmarrje nëpër festivale ndërkombëtare jane ‘ad hock’, që është shumë më e mirë se në të kaluarën”, informon regjisori Idrizi, i cili do të jete pjesë edhe e përfaqësuesve në laboratorin e regjisorëve në qendrën teatrale “Linkoln”, në New York.

Në skenat muzikore të botës do të prezantohen gjashtë artistë shqiptarë dhe tri shoqata me veprimtari muzikore. Në Korçë do të udhëtojë me një recital kantautorja Ëndrra Ademi, Ismet Veseli, masterklas, do të prezantohet në skenën muzikore të Gjermanisë, kurse këngëtarja Kanita Suma do të merr pjesë në Festivalin ndërkombëtar tradicional të folklorit në Voralberg të Austrisë. Në një festival me karakter konkurrues do të merr pjesë pianisti Shëklzen Baftijari, ndërkaq Nita Grubi, masterklas violinë “Musiktage Seefeld” do të udhëtojë për në Austri. Si përfaqësuese në një koncert në Antali të Turqisë do të jetë Besarta Murtezani.

Edhe në në zhanrin e folklorit pjesëmarrja e ansamableve muzikore shqiptare në skenat jashtë vendit është larg përfaqësimit adekuat. Nga 23 pjesmarrës, vetëm 7grupe muzikore janë shqiptare , “Shpresa” do të udhëtojë në Mernemer të Turqisë, “Shqiponja”, në Festivalin ndërkombëtar në Izmir të Turqisë, “Zëri i Karshiakës”, udhëton për në Poloni, “Jahi Hasani” nga Gostivari do të përfaqësohet në Festivalin ndërkombëtar të folklorit në Itali, etj.
Në artin vizual, nga 30 pjesëmarrës që do të udhëtojnë jashtë shtetit, vetëm 5 artistë janë shqiptarë. Në projektet interdiciplinare, marrin pjesë vetëm katër shoqata shqiptare, si dhe një numër i vogël i artistëve shqiptar në disiplinat e tjera të artit, që do të prezantohen jashtë shteti.

Me qëndrim kritik ndaj përfaqësimit margjinal të artistëve shqiptarë jashtë vendit, flet piktori I mirënjohur Reshat Ahmeti i vlerëson se në bagazhin e veprimtarisë që kanë maqedonasit, që daton nga vitet 60-ta, për dallim nga shqiptarët që kanë filluar të lëvizin dhe të prezantojnë veprat e veta nga vitet 90-ta, shihet se ka një dallim të madh. Ai është i mendimit se arti kërkon investime dhe për rrjedhojë rezulton që artistët maqedonas janë më të favorizuar në këtë pikëpamje, shprehet Ahmeti. Ministria e Kulturës në të ardhmen do të duhej që në kuadër të strategjisë së saj të përqendrohet më tepër tek kriteret e përfaqësimit të artistëve jashtë vendit, ku artistët shqiptarë zakonisht janë më të margjinalizuar. (koha.mk)