Shkup, 5 tetor – Artistët amerikan Catherine Wethington – soprano, Derek Han – piano, si dhe String Trio – Kosova (Sihana Badivuku, violinë – Kosovë, Blerim Grubi, violë – Maqedoni e Veriut, Aristidh Prosi, violinçelo – Shqipëri), me 7 dhe 8 tetor në Galerinë Kombëtare – “Hamami i Daut Pashës” në Shkup në ora 19 e 30 minuta do të hapin edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest 2018”, informon KOHA.
Në mbrëmjen e parë më 7 tetor përveç paraqitjes së artistëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), mysafire e mbrëmjes do të jenë edhe artistja Zanë Abazi, flautë – Kosovë, e cila ka qenë edhe finaliste e garës ArsKosova 2019. Ndërsa më 8 tetor mysafirë të mbrëmjes do të jenë Arben Ademi, violë – Kosovë, Fraim Gashi, kontrabas – Kosovë.
Festivali është në organizim të organizatës jofitimprurëse “Muza” ndërsa mbështetet nga Komuna e Çairit dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup. (koha.mk)