Delvina KËRLUKU
Enver SELIMI u lind më 1977 në Tetovë. Kreu Fakultetin e Artit Figurativ, dega grafikë te profesor Fatmir Kripa në Tetovë. Magjistroi po ashtu në grafikë te profesor Trajçe Bllazhevski, në Shkup. Realizoi pesë ekspozita personale në Tetovë, Shkup dhe Prizren. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive në Tetovë, Gostivar,Kumanovë, Shkup, Prishtinë, Bruksel, Korçë, Novi Pazar, Berlin, etj. Po ashtu ka marrë pjesë në disa bienale dhe trienale në Tetovë, Sofje dhe Manastir, koloni artistike në vend dhe jashtë vendit. Është anëtar i shoqatës së artistëve figurative në Tetovë. Posedon galeri private ‘Art Décor’ në Tetovë, punon 13 vite si profesor në gjimnazin e Tetovës, rregullisht merret me murale, kryesisht të ndërtesave, xhamive, çerdheve, lokaleve, dhomave etj.
KOHA: Në pikturat tuaja pasqyrohet një ujë i kulluar, ku përtej shihen shenja gjurme, qoftë ngjyrë e zezë, qoftë ngjyrë e kuqe. Ç‘simbol është ky?
SELIMI: Për piktorin, pos tjerash, ngjyrat janë mjet pune. Janë fjalë, janë emocione, qortim, dashuri, zemërim…, janë gjithçka me anë të të cilave piktori shpreh brendinë e tij artistike, është mënyra se si ai komunikon me artdashësit. Artistët në përgjithësi kanë një horizont skajshmërisht të largët e të gjerë. Botëkuptimi i tyre shpeshherë nuk përkon me realitetin dhe detyrimisht që ngjyra blu pasqyron botën e tij të pafundme dhe lirinë absolute shpirtërore, e pastaj ngjyrat tjera janë pjesë përbërëse apo pjesëzat që plotësojnë mozaikun, varësisht nga momenti i krijimit dhe mesazhi i piktorit.
KOHA: Pikturë tjetër, që në syrin e një gjeografi paraqet tokën e mbuluar me ujë, në syrin e një kongresmeni duket një tryezë e rrumbullakët, nga pjesëmarrës të vendeve të botës, për diskutim, në syrin e shkrimtarëve një shpirt i dalë nga trupi i tij. Në syrin e piktorit ç‘shihet?
SELIMI: Jo domosdoshmërisht uji paraqet oqean, qiell apo diçka tjetër që prek dhe sheh syri i njeriut. Për piktorin uji është ndonjëherë sinonim i një shpirti të lirë, herë i qetë e herë i vrullshëm, që noton brigjeve andej e këndej për të gjetur qetësinë apo për të prishur rutinën duke kërkuar sfida të reja. Nganjëherë shpreh dhimbje apo nostalgji, dashuri, nganjëherë shpreh kapriçot e piktorit për të paraqitur një panoramë abstrakte që të len vrojtuesin e lirë që të notojë brenda pikturës.
KOHA: Si nisi karriera juaj në pikturë. Ishte vet dëshirë, e trashëguar apo e imponuar dhe me kohë, punë e zotëruar?
SELIMI: Arti me veçantinë e tij është një “zanat” që nuk mund të imponohet në asnjë mënyrë, nëse nuk ke talent. Për fatin e mirë ky talent dhurohet nga Perëndia dhe ata që kanë fatin ta zotërojnë këtë talent, janë të uruar.., por sigurisht që nuk mjafton vetëm talenti por, duhet dhe shumë punë e investim që një piktor të gjej veten, stilin dhe degën ku do të gravitojë. Me një fjalë unë këtë profesion nuk e kam të imponuar assesi por thjesht është përzgjedhja ime me të cilën jam shumë i lidhur dhe i nderuar.
KOHA: Fëmijëria e piktorit shpesh pasqyrohet në veprat e tij? Si e përshkruani atë moshë?
SELIMI: Fëmijëria ime është shumë e larmishme, plot ngjyra.., ashtu si çdo kush edhe unë kujtimet më të ëmbla dhe më të çiltërta i kam nga ajo moshë. Kam pasur fatin që të rrethohem nga një gjiri familjar shumë i këndshëm dhe shoqëror. Zakonisht kam qenë natyrë e qetë në dukje, por që brenda meje kisha “vullkan” ndjenjash e emocionesh të paqarta për moshën. Edhe kur akoma se kisha kuptuar se do bëhesha piktor unë për çdo gjë apo ngjarje kisha të vërtetën time. Ndodhte që edhe një dialog i shkurtër më krijonte dramë të madhe shpirtërore, meditime e perceptime joreale. Nuk e di, mbase energjia që gëlonte brenda meje më jepte pasqyrime të veçanta. Asnjëherë nuk vendosja pikë për asgjë. Pastaj me kalimin e kohës, kur fillova të praktikoj artin gjithë atë energji, gjitha ato pasqyrime i shprehja në letër e më vonë në pëlhurë duke luajtur me ngjyra e forma të ndryshme varësisht se çfarë doja të thosha dhe të përcillja tek vrojtuesi.
KOHA: Cila është piktura e jetës tuaj?
SELIMI: Është vobektësi profesionale për një piktor profesionist që mëton shumë e me shumë për të dhënë e të thotë se e kam bërë veprën e jetës. Unë kam punuar shumë si në pikturë, vizatim, grafikë, portrete, punoj edhe murale me shokët e mi dhe në të shumtën e rasteve jam i kënaqur me punën e bërë, duke u bazuar ne vizitat e ekspozitave të mia dhe kritikën artistike, por gjithsesi mendoj se akoma nuk e kam dhënë maksimumin tim nga vetja. Kam shumë art për të dhuruar … Arti është një fushë e gjerë që të lejon të hulumtosh e manipulosh me stile e ngjyra deri në gjetjen e asaj që kërkon, por në të njëjtën kohë është zanat që nuk përfundon kurrë së mësuari e zbuluari teknika e mënyra të reja veprimi. Prandaj po them se akoma jam rrugës për veprën e jetës.
KOHA: Frymëzimet për të pikturuar i gjeni nga jeta e përditshme, nga natyra, nga fatkeqësitë natyrore, nga lufta dhe dukuri tjera?
SELIMI: Të them se frymëzimi më vjen nga kjo apo ajo do isha shumë i kufizuar. Artistët bëjnë diferencën pikërisht sepse frymëzohen nga gjithçka dhe në çdo situatë. Nganjëherë një fragment i pakëndshëm të ngacmon sa një skenë lufte. Ngacmohesh artistikisht saqë të intrigon që gjithë mllefin dhe indinjatën ta shfaqësh në pikturë. Ndodh që edhe një petale luleje të të mbush me frymëzim që simbolizon dashuri, gëzim, të mbush me emocion deri në ekstazë, saqë detyrimisht kjo energji pozitive përfundon në një vepër arti që përçon vetëm mirësi tek syri i njeriut. Nuk mund të di dhe ta përcaktoj frymëzimin, thjesht është gjithmonë prezent dhe në kërkim të të veçantës, pret shpërthimin artistik në momentin e duhur.
KOHA: Arti, piktura dhe shkenca është dashuria dhe ideali jetësore. Edhe pse keni lindur për art dhe jetoni për artin, në vendin tonë të jesh piktor nuk është lehtë, por është sakrificë?
SELIMI: Në fakt është e vërtetë se unë jetoj me artin, sepse më shumë se profesion e kam pasion. Thjeshtë është mënyrë jetese për mua. Them kështu sepse arti është ajo forcë brenda meje që edhe nga detajet jep gjëra të mëdha. Në çdo situatë qoftë e pakëndshme, e lumtur, qoftë duke pushuar apo qoftë edhe nga në ëndërr ngacmohesh artistikisht për të krijuar. Pra arti është gjithnjë në veprim. Gjithë kjo të krijon një satisfaksion të papërshkrueshëm sepse energjia që është brenda teje asnjëherë nuk të lejon të prekësh monotoninë. Kjo që thash ka të bëjë me shpirtëroren dhe kënaqësinë që të jep arti yt, ndërsa kur flasim për anën materiale nuk mund të them se arti të bën jetën më të lehtë ekonomikisht, ashtu si çdo profesion tjetër në këtë nënqiell. Kur jemi te ajo se sa njerëzit e çmojnë artin dhe artistin mund të them se është një situatë e kënaqshme, solide. Problemi është se akoma për shumicën absolute të popullatës, blerja e një pikture është një luks i tepruar sepse të ardhurat i kanë përtej çdo mundësie reale për të investuar në pikturë. Prandaj po them se njerëzit e kuptojnë e duan dhe e çmojnë artin por, mundësia për ta prekur është e vogël.
KOHA: Sa kanë rëndësi ekspozitat në jetën e një piktori?
SELIMI: Ekspozitat për piktorin janë si një vitrinë ku ai shpalos krijimtarinë e tij, që janë jetike në fillimet e çdo piktori. E rëndësishme është që piktori të mbahet gjallë vazhdimisht me punimet e tij dhe sigurisht që në këto ekspozita mjaft i rëndësishëm është pëlqimi nga publiku dhe kritika artistike. Më pas kur piktori të arrijë një afirmim solid dhe pjekuri profesionale, ekspozitat duhet që të përçojnë një mesazh të caktuar apo të ndjekin një mision të mirëfilltë dhe serioz sepse, përndryshe nuk do dallonin nga vitrinat e dyqaneve.
KOHA: Cili është rrugëtimi juaj drejt botës së artit pra, shkolla, mësuesit, kolegët, etj?
SELIMI: Rrugëtimi im drejt botës së artit është shumë i hershëm, më herët se sa unë isha në gjendje ta kuptoja talentin tim. Më pas kur prindërit nuhatën talentin dhe dashurinë time për artin figurativ më udhëzuan që të ndjek nga afër dy profesorët e nderuar tetovarë, Miftar Memeti dhe Nehat Beqiri dhe njëkohësisht të marr udhëzime dhe leksione nga ta. Pata fatin që t’i kem profesorë në shkollë të mesme dhe në fakultet. Më pas në studimet universitare përveç profesorëve dhe piktorëve të nderuar tetovarë që i përmenda më lartë i gjithë stafi akademik ishte i importuar nga universiteti i Prishtinës. Profesorë të njohur, piktorë të dëshmuar punonin me ne. Aq sa ishte vështirë të punoje me ta në të njëjtën kohë ishte kënaqësi dhe privilegj gjithsesi një motiv i pashtershëm për të përvetësuar gjithçka mundeshim, bile dhe përtej mundësive reale. Ndërsa, studimet posuniversitare i kam kryer në Shkup në universitetin “Shën Kirili dhe Metodij”. Sa i takon relatave me kolegë lirisht mund të them se thuajse i gjithë spektri i rrethit tim shoqëror i takon botës së artit. Kështu që, me plot mburrje mund të them se kolegët dhe profesorët e mi sot janë miqtë e mi më të mirë.
KOHA: Ka shumë piktorë që njeh historia e artit dhe që kanë dhënë përkushtim të madh në kulturën botërore. Cili është piktori që pëlqeni. Stili Juaj a përputhet me mënyrën se si e shpreh mendimin dikush tjetër, në pikturë?
SELIMI: Sigurisht që ka mjaft piktorë botëror që kanë lënë gjurmë dhe që akoma janë dhe do jenë model për gjeneratat në vijim. Fama e tyre është e përjetshme dhe vështirë se mund të kapen nga të tjerë. Unë si fëmijë, natyrisht në një moshë të njomë 7-8 vjeç, jo se ndiqja apo frymëzohesha nga ndonjë emër i spikatur por vizatoja “ ëndrrat e mia” fëmijërore, në mënyrën time. Gradualisht duke e njohur botën e artit figurativ në përgjithësi, fillova të ndërtoj botëkuptimin tim dhe stilin që pa dashje e kam ndjekur e që përkon të ngjasojë apo te klasifikohet ne stilet e njohura dhe të dëshmuara në botën e artit. Prandaj pa hezitim mund të them se natyra ime e krijimit përqafon stilet si realizmin, ekspresionizmin, barokun, abstraksionin sigurisht piktorët që gravitojnë në këto stile siç janë Rembranti, Van Gogu, Kandinski apo e kisha përmendur një piktor anglez që ende jeton Colin Davidson dhe shumë të tjerë, janë edhe udhërrëfyesit e mi se si të arrij majat në profesion.
KOHA: Ne kemi nevojë që në lakun e kohës të kapemi të gjithë si shoqëri, që të mësojmë të dalim nga ishulli ku jetojmë, nga izolimi social dhe llogaria anti humane, ku jemi pozicionuar. Si e shihni botën e artistit, me miq apo në një vetmi të thellë. Pse?
SELIMI: Shpresoj mos të tingëllojë si prepotent, por pikërisht bota e artistit në të shumtën e rasteve është më e avancuar shpirtërisht se sa e të tjerëve, prandaj përsëri po them se artistët bëjnë diferencën. Arti të jep aq shumë hapësirë dhe mundësi të lëvrosh e hulumtosh duke ndjekur të bukurën saqë e flasim suksesshëm realitetin… Nuk dua të them se neve nuk na lëndon antihumanizmi, pabarazia sociale, injoranca dhe zemër ngurtësia e politikëbërësve apo kapriçot e pasanikëve të çastit. Përkundrazi, shpirtërisht lëndohemi shumë, sepse ne krijojmë me shpirt dhe emocion. Përparësia jonë është se ne futemi në botën tonë artistike, duke ndjekur “gjahun” tonë artistik në mënyrë që të shprehim qoftë gëzimin apo dëshpërimin. Edhe pse mund të përjetojmë dhimbje arrijmë që tërë atë energji negative dhe mllef ta kanalizojmë në një vepër arti me mesazh domethënës. Unë zakonisht jam i rrethuar me miq, por çasti i krijimit të diçkaje kërkon një “izolim” nga zhurmat e zakonshme (saqë e flakim suksesshëm realitetin….)
Me një fjale si Enver jam mjaft i rrethuar me miq e familjar por, momenti i krijimit është i rezervuar vetëm për mua dhe brushën time.
KOHA: Ëndrrat nuk bëhen realitet për të gjithë, por vetëm për ata që kanë qenë aq largpamës, sa të jenë të rreshtuar me fitimtarët? Dhe ç‘domethënie ka familja dhe ç‘domethënie ka piktura në jetën tuaj?
SELIMI: Me plot besim dhe ngazëllim mund të them se deri tani jam i kënaqur profesionalisht dhe personalisht. Gradualisht plotësohem me hap të sigurt në të dy sferat. Punoj në profesionin që e admiroj, jam bashkëshort i lumtur dhe jam prind i bekuar me dy fëmijë që janë drita e syve të mi. Arsyeja pse dua të zgjohem çdo mëngjes. Jetoj dhe veproj në një rreth të shëndoshë intelektual dhe njerëzor. Un jetën e jetoj hap pas hapi në mënyrë që të shijoj çdo moment të jetës me gjithë uljet dhe ngritjet e saja. Deri tani mund të them se aq sa kam investuar në jetë po më kthehen për të mirë, prandaj po guxoj të them se i takoj grupit të njerëzve të lumtur me një sukses të lakmueshëm. Aspiratat e mia janë gjithmonë për më shumë dhe do punoj e investoj për suksese tjera. Familja dhe profesioni im janë dy anët e medaljes sime në shikim të parë. Janë dy gjëra që më plotësojnë. Familja është “unë” ndërsa, arti është krijimtaria ime. Familja është gjaku, zemra, frymëmarrja, arti është emocioni, shprehja. Nuk bëj kompromis kur është fjala për artin përpos që familja gjunjëzon këtë kryeneçësi të artit brenda meje. Pa e shijuar ndjesinë e të qenurit prind, ndoshta do isha një piktor i zymtë dhe i bezdisshëm.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.