Evis HALILI
Shkup, 17 maj – Blini bileta që të zhvillojmë më shumë kulturën. Ky është mesazhi i fushatës që kanë nisur një pjesë e institucioneve të kulturës për të nxitur frekuentimin e ngjarjeve kulturore dhe mbështetur artin. Po sa kushton një biletë? Varësisht institucionit dhe shfaqjes që vihet në skenë variojnë edhe shumat për një shfaqje teatrore, baleti, apo operistike për fëmijë dhe të rritur që shkojnë nga 100 deri në tre apo gjashtë mijë denarë, shkruan gazeta KOHA. Shifrat astronomike të biletave gjatë këtij viti kulmuan në disa institucione, si Opera dhe Baleti, ku biletat për performacën e pianistit Riçard Klajderman i kaluan tre mijë denarët. Shfaqje të shtrenjta ishin edhe ato si mjuzikëlli për Toshe Proeskin, “Kleopatra”, Koncerti i Vitit të Ri e të tjera. Çmimet më të ulëta të biletave i kanë qendrat e kulturës nëpër rrethe, skenat shqiptare dhe kryesisht shfaqjet për fëmijë. Por pavarësisht fushatave, mesazheve dhe aktivitete të ngjashme shifrat që arkëtohen në biletaritë e institucioneve të kulturës, sidomos ato shqiptare janë zhgënjyese. Pasqyra bëhet më e qartë nëse i referohesh të dhënave statistikore, sipas të cilave një familje harxhon më së pakti për kulturë dhe rekreacion. Tendenca për t’i kushtuar më pak rëndësi kulturës është rritur tre vitet e fundit, duke bërë që shumë familje t’i minimizojnë shpenzimet e tyre në këtë kategori. Pwr shembull, gjatë një viti një familje në qytet mund të harxhojë deri në gjashtë mijë denarë për kulturë dhe argëtim, ndërsa një familje në fshat mund t’i lejojë vetës të shpenzojë deri në 1600 denarë. Për të rritur përqindjet e shitjeve organizatorët e festivalit “Vera e Ohrit” sapo kanë nisur fushatën. Sipas tyre blerja e një bilete nënkupton respektimin e artistit që performon, por edhe investim që spektatori e bën për zhvillimin e kulturës së vet.
“Publiku do shfaqje cilësore dhe që të kemi në skenë artistë të njohur botërorë duhet që artdashësi ta respektojë shfaqjen e tyre. Publiku ynë duhet të investojë në kulturën e vet. Qëllimi ynë është që të rrisim përqindjen e shitjes së biletave. Duke blerë një biletë të Verës së Ohrit mbështesni kulturën dhe zhvillimin e vlerave kulturore. Me angazhime të tilla do të promovohet edhe në të ardhmen arti dhe turizmi kulturor”, thonë për KOHA nga Vera e Ohrit. Teatri Shqiptar i Shkupit edhe pak do të mbyllë një fushatë të ngjashme “Pranverë në teatër”, e cila kishte si qëllim sensibilizim e publikut dhe rritjen e numrit të spektatorëve. Fushata nisi në kushte jo të favorshme, në Qendrën Teatrore të Fëmijëve për shkak të rikonstruktimit të ndërtesës së teatrit. Dhe rezultatet e kësaj fushate që po mbyllet janë të dobëta. “Fushata nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Edhe pse janë vënë në skenë shfaqje me më pak aktorë, për t’iu përshtatur skenës. Duhet akoma shumë punë për të sensibilizuar publikun”, thonë nga ky institucion. Ngjashëm edhe në Dramën Shqipe në Kumanovë. Edhe pse një biletë nuk kushton më shumë se 100 denarë numri i biletave të shitura ka ardhur duke rënë.
“Një pjesë, rreth 30 për qind e biletave të një shfaqje shpërndahet, të tjerat shiten. Por në përgjithësi shitjet nuk janë si më parë dhe numri i biletave të shitura është i vogël”, thotë Enver Halimi nga Drama Shqipe. Një situatë e ngjashme është edhe në Teatrin e Tetovës. Numri i biletave të shitura gjatë një viti në këtë institucion është i vogël, edhe për shkak të pauzave të gjata që bëhen gjatë muajve të ftohtë kur teatri nuk funksion.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara