Nga Xheladin MURATI
Edukata është një treguese e sigurt e gjendjes qytetëruese të një populli, të një shoqërie. Pavarësisht kufizimeve të saja që ka, arti i të edukuarit e bën të mundshme përmirësimin e asaj që nuk bën. Edukata është zbukurimi i mendjes dhe shpirtit. Nëpërmes saj vijnë përsosja, qetësia, dija dhe virtyti, elemente më të rëndësishme të njeriut. Arti edukimit është art i punës dhe mësuesit e njohin artin e punës. Po qe se kjo i mungon mësuesit atij nuk i mbetet asgjë. Gjithmonë mësuesi mundohet ta gjejë një mundësi për realizimin e punës edukative-arsimore dhe ajo punë të jetë unike si nga ideja ashtu edhe nga metoda, forma dhe teknika. Këtu qëndron arti i edukimit.
CILI ËSHTË QËLLIMI I ARTIT TË EDUKIMIT?
Kur flasim për edukatën, zakonisht mendojmë për aspektet teorike të saj. Ndërsa kur flasim për edukimin mendojmë procesin praktik, shohim se si zhvillohet dhe sundohet nxënësi. Pushtimi apo promovimi i saj bëhet nga edukatori, mësuesi. Nëpërmes artit të edukimit nxënësit e shijojnë madhështinë e saj. “Arti i edukatës, që ushtron mësuesi, është më i larti e më fisniku i arteve, nuk kanë thënë kot ars atrium education” – thotë Aleksandër Xhuvani, pedagog i njohur shqiptar. Arti i edukimit reflekton gjithanshëm pozitivisht dhe me efikasitet në zhvillimin e nxënësit. Reduktohet depresioni dhe stresi, rritet cilësia e zhvillimit. Arti i edukimit forcon trupin dhe intelektin, si dhe ofron shumë përfitime tjera shpirtërore, morale – etike, estetike , sociale-emocionale e të ngjashme. Pra arti i edukimit ndihmon fuqinë intelektuale, vështrimin e brendshëm të nxënësit, ndërton kriticizmin ndaj ngjarjeve dhe sjelljeve jo të përshtatshme me rrethin. Prandaj edukata duhet të ripërkufizohet gjithnjë. Dy parimet bazë të arsimtarit, edukatorit për edukim në procesin e edukimit janë: parimi njerëzor dhe parimi i patriotizmit. Mendoj që të jesh arsimtar, edukator duhet t’i kesh të dyjat, njëra pa tjetrën nuk bëjnë dhe nuk e kompletojnë edukatorin. Edukimi fillon me takimin e të dyjave. Në këtë kontekst, edukimi do të duhej të reflektonte sa më shumë realitetin jetësor, do të duhej të jetë një pasqyrë e problemeve shoqërore që e preokupojnë jetën, në qendër të së cilës është njeriu modern i kohës tonë. Ai është nxënësi si protagonist i së nesërmes, dhe atë duhet ta karakterizon elementi njerëzor dhe patriotik. Në fakt, ka shumë arsye përse mësuesia, edukimi renditet tashmë si një nga profesionet më të rëndësishme, së pari sepse pas kësaj qëndron një vullnet i fortë dhe dëshirë e madhe për të bërë gjëra të mira dhe ndryshe, siç është arti i edukimit. Gjithashtu investimi në formimin e individit dhe efektet nga ajo e bëjnë diferencën e qëllimit. Mësuesit duhet të bëhen të pushtetshëm si arkitekt të programit mësimor dhe procesit të edukimit. Kjo edhe për arsye se edukata prekën zemrën, thelbin dhe rëndësinë e vërtetë të njeriut. Prandaj edukatën duhet ta kthejmë në shkollë. Në fakt mësuesi, edukatori janë arkitekt të vërtetë me mundësi të gjera shprehjeje për të ndikuar tek individi. Edukata nuk hahet, por na bën më të mirë, më të vetëdijshëm, na pasuron shpirtin, prandaj duhet të merremi me te jo formalisht por esencialisht. Edukimi është kod etikë i sjelljes mbase ai flet se si duhet të sjellemi me njëri tjetrin në familje, në shkollë, në rrugë e gjetiu si në jetën personale ashtu edhe në ate profesionale. Kryesisht kodi etik i edukimit mbështetet në ndershmëri, drejtësi, guxim, dashamirësi, mirësjellje, besnikëri, sinqeritet, vetëkontroll e të ngjashme. Faktikisht mirësjellja i ka rrënjët në edukatë të mirë dhe respekt. Prandaj nuk duhet të pushojmë së foluri rreth edukatës sepse ajo është arma për ti bërë ballë jetës sonë. Pra nuk ka art më të lartë se arti i edukimit. Virtytet dhe vlerat morale, bujaria dhe kultura e rafinuar qytetare, kuraja dhe sensi për ndryshime pozitive, përshtatje me ndryshimet, janë elementet që e bëjnë njeriun, nxënësin të përballet me problemet dinamike të jetës. Pikërisht këtu duket arti i edukimit, artikulimi i interesave personale me ato shoqërore, aspektet njerëzore dhe humane që kanë të bëjnë me ngritjen e ndërgjegjes dhe vetëdijes morale, kombëtare, shoqërore. Me përgjegjësi themi se edukata nuk guxon të harrohet, të lihet mënjanë sepse njeriu mund të shkatërrohet çdo ditë nga pak. Ai duhet t’i mbijetojë kohës duke e përsosur veten me edukim.
CILA ËSHTË KORNIZA PEDAGOGJIKE SA I PËRKET REALIZIMIT TË ARTIT TË EDUKIMIT?
Një prej sfidave me të cilat përballen mësuesit, edukatorët si aktor të edukimit është fakti që megjithatë edukimi është art kolektiv dhe puna e mësuesit varet jo vetëm nga ai por edhe nga një numër i madh faktorësh të tjerë, subjektiv dhe objektiv. Për ta objektivizuar artin e edukimit, qasjet didaktike janë të domosdoshme. Për të qenë pjesë e inxhineringut edukativ është me rëndësi të përdoren, metoda, teknika, mjete, plane e programe, metodologji, stil pune, modele edukimi, dizajnim i përmbajtjeve, parashtrim i objektivave, menaxhim të procesit. Mendoj se serioziteti i detyrës së edukimit kërkon që të shqyrtohen mirë hapat që ndërmerren në edukim, për shkak se edukimi nuk do sjellë zgjidhje të problemeve, ashtu siç ndodh edhe sot. Arti i edukimit ndihmon me forcën e tij në cilësinë e procesit edukativ, në selektim të normave dhe vlerave personale e shoqërore dhe formimit të persosnalitetit. Në këtë kontekst gjykoj se edukata mbartë me vete mite dhe histori të jashtëzakonshme. Shpejtësia e kohës sonë na nxit që edhe dizajnimin e punës edukative të rregullojmë në mënyrë të tillë që ajo të reflektojë suksesshëm në ngritjen e individit. Ky është arti i edukimit, ku edukatori ndjek ndryshime në formimin e nxënësit qofshin të mëdha apo të vogla ato. Arti i edukimit kërkon punë me përkushtim, bindje dhe përgjegjësi. Përgjegjësia është shumë e rëndësishme tek çdo profesion, por tek mësuesia ajo vjen në shprehje shumë për dy arsye: prej faktit se një mësues ka përgjegjësi se e projekton ardhmërinë e nxënësit, e dyta, sepse lënë gjurmë në shoqëri për shumë breza. Duke u bazuar në teoritë e përgjithshme të edukatës, ajo që vëmë re fillimisht tek procesi i edukimit është arti i të realizuarit të edukimit, finesat e edukimi, stili i edukimit, pasioni dhe përkushtimi. Arti i edukimit karakterizohet me një arkitekturë të mirëfilltë metodike e cila mundëson infrastrukturën e formimit të njeriut dhe ndërton trasenë e qëllimeve zhvillimore. Thjesht edukimi kërkon mençuri dhe talent.
ÇFARË MUND TË BËHET MË SHUMË NË KËTË DREJTIM?
Mësuesi bëhet pjesë e ndryshimeve shoqërore e perceptimeve individuale nëpërmes punës edukative. Edukimi është dashuri, është respekt, është art të cilin mësuesi mundohet ta sendërtojë në punën praktike. Nga kjo që theksuam më lartë vlen të theksoj se: 1) Arti i edukimit varet rëndësishëm nga arsimtari dhe nga ritmi i jetës dhe nga ndryshimet në shoqëri të cilat reflektojnë shumanshëm në edukim. 2) Psikologjikisht arti i edukimit realizohet ngjashëm si leximi në heshtje i cili përfshin mësuesin dhe nxënësin. Por ky ndikim reflektues nuk mund të vihet nën kontroll personal. 3) Arti i edukimit nënkupton përtypjen e fjalëve pa i thënë ato me zë të lartë, por me besim, mbase kuptimi i tyre për të ndërtuar një botë më vete në kokën e nxënësit është reflektues. Dhe për këto arsye, arti i edukimit për mua mbetet treguesi më i mirë i punës së mësuesit, ngase është një paraqitje sfiduese profesionale dhe nuk është çështje kalimtare por esenciale. Rruga e artit të edukimit si koncept asnjëherë nuk duhet të qëndrojë në vend, arti i vërtet i edukimit është gjithmonë në lëvizje, në kërkim të rrugëve të reja për modernizimin e mësimdhënies. Mbi bazë të kësaj që parashtruam del konkludimi: (1) Arti i edukimit është pikërisht mënyra për të përmirësuar apo pikturuar sundimin e metodologjisë, dhe për të shtuar investimet didaktike-metodike në procesin e mësimdhënies dhe njohjes mësimore. (2) Avancimi i artit të edukimit, është një ndër shtyllat kryesore për të cilat mësuesi angazhohet, dhe një fokus i tillë rezulton me sukses dhe efikasitet. (3) Arti i edukimit mbetet sfidë institucionale dhe personale e çdo mësuesi. (koha.mk)