Artela Brahimi është këngëtarja nga Shkodra që “boom” në muzikë bëri me këngën “Vajzat si melhemi” në klipin e së cilës ajo prezantoi edhe dy vajzat e saj. Ky fundvit e ka gjetur Artelën me dy prurje të reja “Potpuri” të cilat i ka lancuar në xhirimet e Vitit të Ri dhe tre të tjera janë ardhje. Artela flet edhe për muzikën në përgjithësi dhe realitetin e saj në kohët që po jetojmë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ta nisim këtë intervistë me një prezantim tëndin për lexuesit e KOHA…!
Përshëndetje dhe faleminderit që më zgjodhët pikërisht mua si personazhin e radhës. Për ata që akoma nuk më njohin Artela është një vajzë nga Shkodra, e cila që në fëmijërinë time kam qenë e lidhur shumë me muzikën e asaj kohe, festivalet e fëmijëve në teatrin “Migjeni” dhe evenimente të tjera në qytetin tim.
KOHA: Të gjeti ty muzika apo e gjete ti atë?
Në fakt, ishte gjetje e dyfishtë dhe pse u humbëm nëpër kohëra sërish u rigjetëm, tashmë më të pjekura në jetë, por edhe në profesion.
KOHA: Artela, sapo ke sjellë dy “Potpuri”, në këtë fundvit, si përzgjodhe këngët, si shkuan xhirimet?
Po e vërtetë dhe po vijnë dhe 3 të tjera. Realisht, po bëhet trendi i fundit muzikor tani të risillen në versione të ndryshme këngët e mëparshme. Unë e vendosa në këtë mënyrë ti risjell duke ruajtur sado pak versionin origjinal. Xhirimet shkuan perfekt dhe gjej rastin të falënderoj produksion “Sharri” dhe “Mandi” në Prizren për realizimin e tyre.
KOHA: Si u pritën deri tani këto dy prurje të reja?
Po besoj se mirë, pasi fundiviti sjell bollshëm prurje nga të gjithë muzikantët e këngëtarët e njohur dhe të rinj.
KOHA: Cila ka qenë kënga që ti zure vendin e duhur në muzikë?
Kënga që ka qenë oguri im më i mirë edhe pse jo më super klikime, është dhe do mbetet kënga që kam dedikuar dy vajzave të mija të cilat janë prezente në atë klip, “Vajzat si mehlemi”.
KOHA: Sa punë mendon se duhet për të arritur suksesin e dëshiruar?
Shumë, por shumë punë, përkushtim total.
KOHA: Sa të ndihmon pamja e jashtme në muzikë?
Kohët e fundit për fat të keq muzika më shumë shihet se dëgjohet. Pamja ndihmon, por unë nuk përdor asnjëherë këtë pasi dua të vlerësohem për vokalin tim jo për paraqitjen time.
KOHA: Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë, ku e sheh të bukurën dhe ku, të vështirën?
E vërtetë, është shumë e bukur por kur mendon se këndon 3 orë pa ndalim live dhe ndodh të nesërmen mos kesh zë as të thuash “mirëmëngjesi” e kupton që është profesioni më i vështirë.
KOHA: Je nga ato këngëtare që i zgjedhin bashkëpunëtorët apo presin të zgjidhen nga ata?
Preferoj të zgjidhem e pastaj të zgjedh, (buzëqesh).
KOHA: Sa e sigurt ndihesh në vetvete?
Tepër e sigurt në gjithçka që bëj .
KOHA: Ku dëshiron më së shumti të këndosh?
Kudo që syri im i thotë mendjes: “Këtu është territori yt”, (buzëqesh).
KOHA: Çfarë projektesh ka për të ardhmen Artela?
Shumë, por Zoti para Artela pas Tij. Në Shqipëri jo çdo gjë varet në talent për fat të keq kjo është fatkeqësia e të gjithë artistëve në përgjithësi, ke paranë ke famën. Realiteti i hidhur i botës së artit.