Në tregun e muzikës popullore, ka një zë që dallon nga të tjerët. Ajo ka bërë çmos, që të ngelet në zemrat dhe mendjet e publikut e mund të themi me plotë gojën se ia ka dalë. Në një rrëfim për Artela Brahimi zbulon të thënat dhe të pathënat e profesionit, grima ndjesish nga kjo kohë e pazakontë, për shkak të pandemisë, si dhe detaje të tjera të pabëra publike. Për të muzika rrok universet dhe bëhet një nga arsyet e mbijetesës. Këngëtarja që dhuron shumë dashuri përmes produksioneve të saj na tregon dhe për periudhën e ndritshme të fëmijërisë. Oazi i saj i lumturisë janë familjarët, miqtë dhe përmbi gjithçka tjetër muzika, që i përkëdhel zemrën. Rrugëtimet në art janë të vështira, ama, kur pasioni dhe puna janë në krye atëherë rruga e suksesit është më e lehtë dhe ato i tregon në intervistën për gazetën KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Çfarë je në gjendje të bësh me një mikrofon në dorë dhe me një publik përpara?
Kam përshtypjen se i kam dhënë provat se çfarë mund të bëj me një mikrofon dhe jo vetme, por edhe pa mikrofon, sepse shquhem për te kënduarin a capella, para një publiku; të ndez zemrat e tyre dhe të paktën për aq kohë sa këndoj për ta, të ndihen mirë.
KOHA: Me çfarë do të doje ta sfidoje veten artistikisht e profesionalisht?
Sfida më e çmuar është kur je aty ku do dhe i tregon botës që ia arrite.
KOHA: Je mërzitur ndonjëherë duke kënduar?
Jo, kam pasur të bëj me publik të dashur dhe shumë të mirë. Kam marrë vlerësime, duartrokitje e lule, por mërzitje asnjëherë.
KOHA: Si nis ideja e një kënge e më pas, e një klipi për ty?
Jam gjithnjë shumë e matur në këngët që realizoj, sepse kërkoj gjithmonë cilësi dhe vlerë. Muzika popullore ka vlera dhe nuk duhen shpërdoruar; duhen dashur dhe kënduar me shpirt.
KOHA: Ka ndonjë person me të cilin nuk ke patur mundësinë të punosh, por që do të doje të punoje?
Të punosh me artistë të ndryshëm, që kanë bërë emër në artin shqiptar, është fat, por edhe aftësi personale. Kam vite në skenë dhe jam munduar me shpirt që me cilindo që më ka takuar situata dhe puna të bashkëpunoj, të jem korrekte.
KOHA: Një këngë që nuk është për shijen tënde…
Nuk ka këngë të shëmtuar, nuk mund të mendohet një këngë si e tillë.
KOHA: Si e konsideron veten Artela në muzikë?
Jam vetvetja para atyre që e duan muzikën që sjell për ta. Bëhem njësh me publikun kur jam në skenë apo qoftë edhe kur këndoj në ambiente familjare.
KOHA: Je dakord me muzikën që po bëhet në këto kohë, pak para nisjes së pandemisë?
Më ke bërë një pyetje të vështirë, por besoj se secili e gjen veten e tij aty ku duhet. Publiku vlerëson, publiku dëgjon dhe shikon.
KOHA: Ka diçka që nuk të pëlqen në këtë pikë?
Ndryshimet janë normale në çdo fushë. Muzika është art dhe nuk e bën dot kushdo, ashtu si nuk është çdokush diplomat apo jurist. (Buzëqesh)
KOHA: I bën kjo gjërat më të lehta apo më të vështira?
Sot jetohet me të vërtetën e shtrembër, por jo për mua. Unë jetoj dhe punoj në mënyrë time, në mënyrën e drejtë. Mendoj se do të jem kështu gjithmonë.
KOHA: Çfarë të bën nervoze?
Kam mësuar të mos nervozohem shpejt dhe shpesh, i mendoj gjërat shumë dhe i marr me terezi. Nuk zgjidh gjë edhe nëse nervozohesh.
KOHA: Kënga më me vlerë shpirtërore që ke realizuar deri më tani?
Oh, të gjitha, nuk mund të bëj dallime! I dua shumë të gjitha këngët e mia.
KOHA: Një gjë për të cilën ke qenë konfuze gjatë karrierës tënde muzikore…
Asnjëherë dhe për asgjë. Shpirti im është plot me humanizëm dhe dashuri. Nëse i vë në përdorim këto, edhe karriera profesionale do të ecë, nuk ka ku të shkojë.
KOHA: Me çfarë e ka edukuar shpirtin Artela?
Me dashurinë për jetën. Jeta është e bukur kur e jeton siç do dhe kur ke pranë njerëzit që do.
KOHA: Nëpër cilën rrugë i ke hedhur hapat në muzikë?
Kam qenë gjithnjë me këmbë në tokë. E kam dashur muzikën që në gjenezë dhe gjithmonë i kam thënë vetes: “Duaje muzikën, këndoje, por qëndro me këmbë në tokë!”.
KOHA: Muzika është vetëm për veshin apo edhe për sytë?
Nëse nuk ka vesh, në muzikë s’ka sy e nëse syri është i bukur, veshi mbushet. Gjithçka është e lidhur. Bukuria dhe muzika gërshetohen, por muzika, thellë-thellë, është talenti dhe zëri.
KOHA: Çfarë është dashuria në sytë dhe në mendjen tënde?
Dashuria është ajo që çdo njeri e provon dhe e jeton me mënyrën e vet, por për mua dashuria më e madhe është ajo për familjen. Atë e kam të çmuar.
KOHA: Në duart e kujt do ta lije me kënaqësi zërin tënd?
Në duart e dikujt që është profesionist dhe që di që në fund do sjellë fryte në punën time.
KOHA: Në ç’pikë do të doje të përmirësoheshe?
Në çdo pikë. Njeriu është gjithmonë në kërkim për më të mirën.
KOHA: Je më e prirur të kapësh cilësitë e mira apo të këqija të të tjerëve?
Dëgjoj shumë, i respektoj të gjitha çfarë thonë e bëjnë, por s’marr nga të tjerët sepse kur imiton, s’je vetvetja!
KOHA: Një kujtim i ëmbël fëmijërie…
Eh, kam aq kujtime nga fëmijëria sa do të më duheshin ditë të tëra t’jua tregoja. Dalja per here te pare ne skene ne teatrin “Migjeni” kur kam qene 6 vjeçe. Fëmijëria është ajo periudhë e jetës që sa herë që kujtohet, të sjell nostalgji. Njeriu ka nevojë për nostalgjinë…
KOHA: Në fund, nëse të them: “Faleminderit Artela, ti, çfarë më thua?
Ju më thoni faleminderit dhe unë ju them faleminderit gjithashtu… Ju uroj të gjithëve, Zoti ju bekoftë vetëm me mirësi dhe lumturi.