Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se tek fëmijët, kripa bën keq, por nuk i kemi drejtuar pyetje një specialisti deri tani. Si i bën keq kripa fëmijëve, në cilën sasi, a sjell probleme tek veshkat e fëmijëve? Këtyre pyetjeve i përgjigjet një nga specialistët më të mirë të kësaj fushe, Dr. Artan Koni, androlog-urolog shumë i njohur dhe i suksesshëm, i cili flet për InfraRed të gazetës KOHA
KOHA: Doktor Artani, një pyetje ose më saktë disa pyetje që mundojnë prindërit gjatë gjithë kohës për fëmijët e tyre është, me aq sa kanë dëgjuar dhe lexuar, a i stimulon kripa gurët në veshka?
Më vjen mirë që keni ndaluar në një çështje mjaft të rëndësishme për moshën pediatrike.. Kripa është një komponent i rëndësishëm për gurët në veshka. Megjithatë, vetëm sasia e tepërt e kripës në ushqim, nuk mjafton për të formuar gurë në veshka. Nëse konsumojmë shumë lëngje, kripa diluohet dhe nuk formon gurë. Në raste të tjera, mungesa e disa enzimave që ndihmojnë në parandalimin e gurëve, është më e rëndësishme se vetë sasia e kripës. Mund ta përmbledhim duke thënë se sasia e kripës është e rëndësishme, por nuk është i vetmi faktor.
KOHA: A është problem nëse ata konsumojnë në ushqime më shumë kripë se masa? Realisht sa është masa e kripës që duhet konsumuar?
Kripa është e domosdoshme për rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Kështu që reduktimi i kripës te moshat pediatrike është e rrezikshme. Megjithatë, sasia më e madhe se mesatarja shton rrezikun për gurë në veshka. Rëndësi ka që ushqimet të jenë me kripë, por të mos i shtohet kripë shtesë gjatë ngrënies. Përveç kësaj, sasia e lëngjeve ditore duhet të jetë e bollshme, duke reduktuar mundësinë për formimin e gurëve në veshka.
KOHA: Një fëmijë më gurë në veshka, çfarë problemesh i sjell konsumimi i kripës? Ju si specialist çfarë këshillash jepni?
Fëmijët me gurë në veshka si fillim duhet të ekzaminohen nëse kanë ndonjë problem tjetër metabolik, nëse ka mungesë apo tepricë të ndonjë enzime a hormoni në gjak. Për këta fëmijë, duhet bërë kujdes që përderisa kanë formuar njëherë gur në veshka, kanë shumë shanse që të formojnë përsëri pas 3 apo 5 vjetësh. Rrjedhimisht, duhen bërë ndryshime të kujdesshme në stilin e jetesës, duke e diskutuar edhe me prindërit. Them ndryshime të kujdesshme, sepse nuk duhet harruar që ndryshimet radikale mund të influencojnë zhvillimin normal të fëmijës.