Tash që kam lindur tre fëmijë, këshilloj femrat që të lindin sa më shumë për ngritje të natalitetit
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Ajo është një nga emrat që krijon hite, këngët e saja janë të pavdekshme ndërkohë që edhe përkundër asaj që është bërë nënë Arta nuk ka ndalur së krijuari muzikë. Tash, e vendosur në Prishtinë për shkak të shkollimit të fëmijëve, këngëtarja është fokusuar në finalizimin e projekteve muzikore. Ky fundvit ndoshta do të jetë me plot befasi nga ajo, e këtë e thotë edhe në intervistën dhënë për Infrared të gazetës KOHA.
KOHA: Me çfarë je duke u marrë për momentin?
Kohën e fundit kam punuar shumë, se për çfarë është fjala do të zbuloni së shpejti.
KOHA: Si e sheh karrierën në këto momente nga shumë vite më parë që ke nisur me muzikë?
Karriera ime ka pas moment kur ka arritur majat më të larta por njeh edhe periudha të qeta, varet se sa je aktive por këngët e mia vazhdojnë të dëgjohen dhe unë po punoj në këngë të reja, siç dihet unë kam lindur tre herë dhe ajo ka ndikuar në karrierë por tash jam e dedikuar të kthehem fuqishëm dhe të punoj pa pauza.
KOHA: Je tërhequr paksa nga projektet muzikore duke i dhënë hapësirë më shumë mbrëmjeve muzikore dhe ahengjeve familjare?
Edhe përkundër lindjeve unë kam sjellë prurje të reja, tani jam duke e pasuruar repertorin tim dhe së shpejti pranë publikut me gjëra të reja që besoj se do të pëlqehen.
KOHA: Ku e ndien më rehat veten Arta?
Gjatë karrierës kam dëshmuar se jam peshk që lundroj në ujëra të ndryshëm, me sukses kam sfiduar zhanre të ndryshme dhe ndihem komode sigurisht.
KOHA: Tash si nënë e tre fëmijëve, sa kohë gjen për t’iu përkushtuar atyre?
Unë fëmijët i kam kryer dhe do fokusohem në karrierë, do sjellë gjëra të bukura dhe do kënaqë publikun me performance live, këndimi live për mua do jetë prioritet, do sjellë edhe videoklipe, por prioritet do e kem muzikën live kudo që të paraqitem, playback-u për mua ka vdekur dhe uroj që edhe këngëtarët tjerë të gjeneratave pas meje të bëjnë të njëjtën gjë, por e kuptoj se disa nuk munden për shkak të kapacitetit vokal por të paktën të provojnë, këndimi playback nëpër mbrëmje është vërtetë ofendim i publikut.
KOHA: Cili është mesazhi që ju i jepni kolegeve në rastin e krijimit të familjes, pasi shumica zgjedhin karrierën para familjes?
Të bëjnë sa më shumë fëmijë, të rritin natalitetin që ka stagnuar, fëmijët sjellin lumturi në familje.
KOHA: Për momentin cilat janë planet dhe projektet që je duke realizuar?
Siç e thash më lartë kam punuar shumë dhe puna ime do të publikohet së shpejti, nuk dua të zbuloj shumë por do ketë përpunime dhe melodi të reja.
KOHA: A planifikon që ndonjërin nga fëmijët të angazhosh në sferën e muzikës?
Kjo do jetë ekskluzivisht zgjidhja e tyre.
KOHA: Cila ka qenë kënga që të ka sjellë këtu ku je edhe pse njihesh si këngëtare e hiteve?
Kam pasur fatin të jem autore e shumë hiteve dhe jo një hiti të caktuar, baladat e mia janë bërë hite të gjitha, pastaj këngët e fillimit të karrierës kanë qenë të gjitha me vite para kohës madje shumica prej tyre mund të konkurrojnë edhe këngët tash të të tjerëve edhe pse janë bërë para 20 viteve, shumë nga këngët e mia nuk kanë afat skadimi, kjo është arsyeja.
KOHA: Cili është relacioni që bën në jetë mes Kosovës dhe Gjermanisë?
Tani që e kam vajzën në shkollë, jam vendosur permanent në Prishtinë.