Tetovë, 20 qershor – Autori i disave veprave shkencore dhe ish politikani Xheladin Murati, së fundi për lexuesit ka sjellë botimin e tij më të ri që titullohet, “Arti i të bërit politikë”, libër ky që është i veçantë për nga problemet që trajton. Sipas autorit, ky libër është një tekst që në vetë ngërthen përditshmërinë politike, reflekton mendime shumë domethënëse të sprovuara në praktikimin e politikave. Autori me këtë libër përçon edhe mesazhin se si duhet të bëhet politika. “Në procesin e veprimtarisë politike dhe shoqërore, pata rast të merrem drejtpërdrejti me politikë. Isha deputet dhe nënkryetar i Parlamentit të Maqedonisë në dy mandate 1991-1994, 1994-1998), një kohë edhe kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik (1994) edhe aty u përballa dhe mësova të dalloj problemet në jetën shoqërore si politikë-bërjen, fenomenet politike, vendimmarrjet politike, menaxhimin e politikës e të ngjashme. Në fakt, fenomenet e fillimit të pluralizmit politik ishte koha kur politika ishte diçka e re për njerëzit tanë, që çliruan nga zgjedha e njëmendësisë. Prandaj ishte plot sfida dhe mosmarrëveshje. Perceptimi, njohja e proceseve politike krijonte përgjegjësi, por nuk shkaktonte kënaqësi”, thotë autori për këtë libër. Libri përbëhet nga parathënia dhe është i ndarë në 6 pjesë.
Në pjesën e parë “Besoj me shumë te populli”, autori bën një vështrim të mirëfilltë mbi rëndësinë e politikës. Në pjesën e dytë “Logjika dhe filozofia e veprimit politik”, pjesa e tretë “Politika – antagonizmat dhe përshtatjet, pjesa e katërt “Pozita dhe opozita, reflektime”, pjesa e pestë “Maqedonia në udhëkryq, pjesa e gjashtë “Dizajnimi i politikës aktuale”. Murati thotë se në politikë ka qenë konsinstent në qëndrimet e tija. “Në procesin e politikë-bërjes ishte me rëndësi aftësia për të mbajtur qëndrim të drejtë ndaj realitetit, të përvetësimit politik të hapësirës, por gjithnjë duke pasqyruar dhe zhvilluar gradualisht proceset politike. Politikisht veprova paralel me profesionin tim të ligjëruesit të pedagogjisë në universitet. Mendoja në stilin politika është sot për nesër, pedagogjia është e përhershme. Isha pjesë e të parës, në të dytën mbetem përgjithmonë”, nënvizon më tej Murati. Sipas tij, ky është një libër që ofron rrugë për të ndryshuar vizionin mbi veprimin politik. “Politika sot ka ndryshuar nga dy dekadat e gjysmë më parë. Ajo edhe atëherë, edhe sot luan një rol të veçantë në zhvillimet shoqërore. Rrethanat historike të disfavorshme në të kaluarën nuk u lejuan shqiptarëve të kenë pozicion dhe status të merituar. Po edhe sot në pluralizmin politik, në demokraci, politika mbetet e rezervuar për shqiptarët”, sqaron ish deputeti shqiptar në kuvendin e Maqedonisë. (koha.mk)