Delvina KËRLUKU
Ali Sinani lind në vitin 1977 në fshatin Dobridoll të Maqedonisë Perëndimore. Në vitin 2002 diplomoi në Akademinë Universitare të Arteve figurative në Shkup (drejtimi pedagogjik), nën udhëheqjen e Prof. Rubens Korubin. Gjatë vitit 2009 mori titullin e magjistrit të shkencave të artit në po të njëjtën Akademi Universitare të Arteve në Shkup, nën udhëheqjen e Prof. Antonio Maznevski. Gjatë vitit 2016 mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin internacional të Novi Pazar-it në Serbi, nën udhëheqjen e Dr.P rof. Fehim Huskoviç. Ka realizuar mbi 100 ekspozita personale dhe kolektive nëpër Europë dhe së fundi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka qenë i angazhua si demonstrator në drejtimin e vizatimit dhe pikturës me nxënësit e Shkollës së Aleveteve në Horne të Zvicres. Ish kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Zvicrës Art SAVOUR në St.Gallen. Demonstrator kursesh në drejtimin e vizatimit dhe pikturës në studion e tij “Studio Arti” në St.Gallen të Zvicrës. Anëtar i shumë shoqatave të artistëve figurativ. Fitues i çmimeve, në shumë vende të botës. Sinani jeton dhe vepron në qytetin Helvet St. Gallen të Zvicrës.
KOHA: Keni realizuar afro 100 ekspozita personale e kolektive në Maqedoni, Europe dhe së fundi në SHBA. Na tregoni si nisi ekspozita e parë dhe më tutje?
SINANI:Pasi që përfundova shkollën fillore në fshat, të mesmen në Gostivar, Akademinë e arteve në Shkup, si çdo i ri, edhe unë ndodhesha para një udhëkryqi. Por, me kohë kisha dhënë prova dhe prirjen time për artet pamore, më saktë për pikturë. Por, dilema tek unë ishte se ku të vazhdoj ëndrrën time. Pasi përfundova studimet në Shkup, vendosa të shpërngulem në Zvicër. Në maj të vitit 2002, piktura ime e ekspozuar në kuadër të shënimit të përvjetorit të rënies së poetit dhe piktorit Agim Ramadani, paraqet një zbulim të çmueshëm për artdashësit shqiptar në Zvicër. Në atë viti, si piktor i ri, me një identitet tashmë në rrugë të definimit, u rashë në sy qarqeve krijuese të shqiptarëve në Zvicër. Kështu, në ekspozitën e mbajtur në muajin maj të vitit 2002, në Helvetia Platz të Cyrihut, ishte pikërisht piktura ime që la përshtypjen më të mirë, dhe si krijime që sillnin një shprehje të re, ku u shpërblye pa hezitim me çmimin ‘Paneli i Art’. E veçanta e këtij shpërblimi ishte se rrethanat qëndronin të këtilla, se unë ende nuk njihesha nga arena artistike shqiptare e zvicerane, por isha, si të thuash, tërësisht anonim. Në po të njëjtin vit, pra 2002, prezantova ekspozitën e parë personale në St.Gallen, në galerinë Marco Zotti, më 6 shtator ku edhe ekspozita kishte karakter shitës. Si çdo i ardhur në Perëndim edhe mua m’u deshtë të përballem me vështirësitë e ambientit të ri, vendin e panjohur e një botë krejt ndryshe, me një shoqëri krejtësisht të re e me një gjuhë mjaft sfiduese. Por, ndryshe nga shumica unë kisha një synim, një dëshirë, depërtimi në botën e artit perëndimor. Por, për të arritur këtë mua më duheshin mbështetje materiale, ndërsa nga ana tjetër isha i vetëdijshëm se edhe Zvicra nuk është caku i fundit i ambicieve të mia. Pasi, realizova mjaft kontakte me artist të huaj dhe vizitova galeri e muze të arteve përfitova boll për tu ngjitur në karrierë. Vazhdova punën me plot vështirësi, por në të njëjtën kohe ishte edhe kënaqësi, sepse e gjithë kjo përvojë më solli synimin e mëtejshëm të përkryerjes së artit tim ,përfshirë punën në Zvicër ku mjetet materiale janë jetëshkurtër, të cilat nevojiten për aq kohë sa t’ia mundësosh vetes trasimin e rrugës së artit, ku me punën e vazhdueshme arrihet edhe suksesi i padiskutueshëm.
KOHA: Keni lindur në Dobridoll të Maqedonisë Perëndimore, cila është fëmijëria juaj, si e përshkruani fshatin?
SINANI: Rrëfimi im fillon në këtë fshat, ku unë si i biri i një mësimdhënësi të gjuhëve të huaja përfitova njësoj si nga biblioteka dhe librat që më rrethonin në shtëpi, po ashtu edhe nga afërsia që e karakterizon jetën në fshat. Ngjyrat e agimit që i derdh dielli pa kursim në trajtë rrezesh mbi proçkën, aty afër stërkalat që shpërndan ujin që gurgullon, reflektimi i rrezeve në to, vesa, bari, e gjithë kjo paletë që ofron natyra do të sublimohet përmes shpirtit delikat në tablo të pëlqyera pikturash. Por, për të arritur këtë duhej kohë dhe jo pak mund, ku si çdo i ri i kësaj moshe kërkoja dëshmi nga kompetentët për këtë prirje, ku vazhdova studimet në Akademinë e arteve në Shkup, ku do të përpiqem që këto fshehtësi t’i bëj të njohura, tashmë përmes një rruge më sistematike, asaj që të ofron të qenurit student, në akademi. Përpjekjen e zejes dhe rrugës përfundimtare drejt përfitimit të një identiteti të dallueshëm artistik, ia dedikoj prof. Rubens Korubin, ku edhe mbrojta temën e diplomimit në vitin 2002, ku ky mentor, piktor me reputacion më hapi horizonte të reja për pikturë, ku në vitin 2009, po në të njëjtën akademi mbrojta temën e magjistraturës, nën udhëheqjen e prof. Antoni Maynevski, ku në këtë rrethim artistik i pajisur me ide e novitete të nevojshme në vitin 2016 mbrojta me sukses tezën e doktoraturës nën udhëheqjen e Dr. prof. Fehim Huskoviç, në Novi Pazar – Serbi.
KOHA: Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Maqedonisë kanë emigruar. Pas mbarimit të studimeve në Shkup, rruga ju çoi të jetoni dhe veproni në Zvicër. Kjo është zgjedhje e duhur për të arritur sukses?
SINANI: Jeta dhe kontaktet me artist dhe piktor të kulturave të ndryshme më kanë mësuar të kuptoj se njeriu kur lëviz nga vendlindja e tij nuk është se ka ndërmend ta tradhtojë kauzën jetike, por e bën këtë i nxitur nga nevoja për t’u zhvendosur dhe për të parë se kush është realiteti që na rrethon jashtë nesh. Kjo pra është arsyeja që njeriu dëshiron të provoj dhe të jetojë në kontakt me kultura të ndryshme, por në të njëjtën kohë të realizoj edhe një dëshirë.
KOHA: A mendoni se Maqedonia është një vend ku krijohet art dhe ku vlerësohet puna e artistëve?
SINANI: Fuqia e artit është e madhe nëse flet me zemër, shpirt, vërtetësi, kjo është si besimi që duhet të kultivosh çdo ditë. Nuk është me rëndësi se cili ka pikturuar por, me rëndësi është se çka ka pikturuar e çka ka punuar, sepse art do të thotë të godasësh me vlerë. Në Maqedoni nuk vlerësohet arti dhe shumë pak krijohet art me vlerë, sepse artistët janë degraduar vetvetiu duke e shitur dinjitetin, dhe çka është e dhimbshme që dirigjohen nga butonat partiake, artisti duhet te merret me profesionin e vet, e jo të ndodh që brenda ditës të luajë rolin e piktorit e brenda natës luan rolin e informatorit. Respekt te veçantë kam për një numër artistësh që janë punëtor dhe shembull për brezin e ri, ku i qëndrojnë besnik guximit dhe punës në krijimtari. Nuk duhet të jetë qëllimi ynë përfitimi nga punimet e pikturat, por qëllimi final duhet të mbetet në afirmimin e mundësive që shoqëria të përfitoj nga ne. Sa parimore dhe e dobishme do të ishte në Maqedoni, te shqiptarët, që secili ti qasej lëmit të vet, të them që kanë studiuar, për arsye se një numër udhëheqësish i kemi me diploma që pajisen nëpër shtypshkronja, ky është një realitet i hidhur, mjerim! Sa parimore do të ishte kur mjeku do të fliste për mjekësin, teologu për teologjinë, piktori për art-pikturë, sa bukur do të lidheshin temat njëra me tjetrën dhe në mënyrë automatike do të bindeshim se secili në shoqëri e ka vendin e vet, siç ndodh në perëndim, dhe në mënyrë reciproke shoqëria do të kishte nevojë, për ndihmën e njëri – tjetrit. Ndërsa, në ditët e sodit në Maqedoni për një temë flasin njerëz jo kompetent të kategorive dhe profileve që nuk kanë të bëjnë me profesionin.
KOHA: Bota e artit është shumë e pasur dhe e larmishme, sepse në hapësirën e saj ekzistojnë lloje të ndryshme të tyre (artesh) që ndryshojnë shumë prej njëri-tjetrit dhe klasifikohen si përvoja krijuese në sistemin e arteve në kohën e kaluar dhe në të sotmen?
SINANI: Shkenca të arsimon, kurse kultura të edukon. Civilizimi është gjithmonë i thatë është sinonim i shkencës dhe teknologjisë por që i mungon shpirti kurse, nga ana tjetër i mungon arsimi, pra shkenca – civilizimi. Kuptimi art është kuptimplotë që në momentin kur aty përmbledh një shprehi ndjenjash mbi botëkuptimin e një ndryshimi të vazhdueshëm. Ky është një vërtetim i një të vërtete të njohur ku tregohet përmbajtja e re ideologjike dhe ndjenja e re e shpirtit ku njeriu dhe shpirti nuk janë të jashtëm por, brenda në vepër ku artisti duhet ta shpreh besimin dhe forcën në kuptim të vlerave.
KOHA: Artet në vetvete kanë një vizion shumëdimensional dhe gjithëpërfshirës. Ku fle arti juaj?
SINANI: I pazbërthyer është arti im për ata recipient të cilët nuk kërkojnë të bukurën, por përpiqen që brenda veprës të identifikojë shenja të njohura komunikimi, identike me ato që kanë në repertorin e vet kulturor, asisoj kodesh që drejtojnë receptorët e perceptimit të tyre personal. Inspirimi që vjen në pikturat e mia, hap çështjen që kanë të bëjnë me psikologjinë e punimeve se sa me vet artin.
Edhe unë veprat e mia i kam titulluar dhe atë në një rend tematik dhe procedural – Gjurmët, Tradita, Nostalgjia, Ndarja, Sekretet, Shpresa, Ndjenjë lumturie, Lulëzim lulesh, janë këto vepra stacionet e biografisë time. Gjatë kërkimit të mjeshtërive zbuloj ekzistuesen, atë kapital të konservuar në traditë dhe e studioj atë. I shtyrë nga një nostalgji për epokat e shkuara, përpiqem që deri në maksimum ti imitoj mjeshtrit e mi. Ia dal me sukses. I pakënaqur ndahem nga mjeshtrit e mi dhe vazhdoj të gjurmoj brenda vetes forma të reja. Ndeshem me një kufij të zjarrtë, prej ku nis territori dhe labirinti sekret dhe enigmatik. Në labirint më kap syri një dritë, e cila ma nxit shpresën përfundimisht të kem gjetur rolin e kuptimit në art. Gjatë procesit të pikturimit mundohem që sipërfaqen e pikturës ta paraqes në aspekt estetik sa më inspirativ, me perspektivë dhe me vijë përfundimtare sa më të përsosur. Ndërsa, elementet që i paraqes në punimet e mia mundohem t’i definoj abstrakte-asociative, sepse, si bazë mundohem të hetohet një lehtësi dhe freski në kolor, ngjashëm siç janë treguar në natyrë.
KOHA: Në pikturat tuaja shfaqen një mori ngjyrash, ato janë ngjyra të jetës të secilit nga ne?
SINANI: Vija jetësore më ka imponuar që ta përjetoj errësirën e kaosit shoqëror në vendlindje dhe më pas ajo të filloj dalë ngadalë të përfitojë në dritë që kur jam transferuar në Zvicër. Sfondi ideor si dhe koloriti im në realitet janë një mimezis i kësaj ndjenje që më ka brengosur. Në punimet e mia jam përqendruar në ngjyrën e kaltër që është në përpjesshmëri të drejt kuptimore me format e përdorura në pëlhurë. E kaltra është ngjyra e seriozitetit, ku ajo e simbolizon besnikërinë, urtinë, inteligjencën, të vërtetën, qetësinë. Herë pas herë në piktura, në plan të parë del edhe e kuqërremta që e bashkon energjinë e të kuqes dhe fatin e të verdhës që është në raport të ngushtë me gëzimin dhe diellin. Kurse e kuqërremta e errët, siç shfaqet në disa piktura, është shfaqja e brengës për shkak të pabesisë që në këtë rast e shpreh përmasën ekspresioniste në pikturë. Ngjyra e bardhë lë përshtypje të çiltërsisë, paqes dhe urtisë iluministe..
KOHA: Për ekspozitat dhe veprat tuaja janë shkruar në mediat e Ballkanit, por edhe të Evropës. Çfarë ndikim kanë mediat në artin tuaj?
SINANI: Kuptohet që mediat kanë karakter pozitiv, ku prania mediale ka qenë gjithmonë e pashmangshme dhe e domosdoshme gjatë prezantimeve të mia, ku merren si rezultat i informacioneve dhe i fakteve të mjaftueshme, por si prodhim – rezultat i realitetit, të cilat konsiderohen si fakte. Nuk kërkoj vlerësimin e veprave të mia as ndonjë shpërblim, por kërkoj një gjetje të vazhdimësisë së përhershme të prezantimeve të mia, që do të shfaqen në media të ndryshme.
KOHA: Të qenit piktor, kërkon punë dhe përkushtim për një vepër arti. Na tregoni kohën që i dedikoheni pikturës, sa ndani kohë për familjen dhe miqtë?
SINANI: Piktura kërkon kohë dhe punë serioze për të ngelur piktor i përjetshëm, ku artisti që njeh të vërtetën e jetës dhe realitetin e veprës dëshmon se Zoti me talentin që ia ka dhënë, i ka caktuar edhe një mision në jetë, që t’i fisnikërojë shpirtrat e njerëzve, të atyre që do të kenë mundësi të shijojnë veprat e tij. Me të vërtet punët shpërblehen sipas qëllimit dhe sinqeritetin e përforcoj edhe më tepër kur e kam parasysh qëllimin. Artisti duhet të njohë dy të vërteta, të vërtetën e jetës dhe realitetin e veprës. Pra, mos jetë indiferent në zhvillimin e kulturës duke sjell lidhshmërinë komplete të elementeve artistike. Jetoj nga arti, jetoj për të jetuar mirë por, nuk jetoj për tu pasuruar, ku pasuria më e madhe është familja, mbi të gjitha është diçka e shenjtë dhe gjithmonë gjendet kohë për ta. Prandaj, është këshillë e dobishme për çdonjërin qe mos të frikësohet nga puna, mos ta bind veten se nuk mundet, të gjitha mundet t’i tejkalojë, ku arti është një ndodhi që fund nuk ka, prej nga kërkojmë dritën hyjnore të ngjitjes.
KOHA: Çdo sukses që arrini i dhurohet familjes, vendlindjes, apo…?
SINANI: Duke qenë anëtar i asociacioneve të ndryshme të artistëve perëndimor – Suiss Art, Art Savour, Kuenstlerarchiv, Ars Artis etj, ekspozojmë rregullisht me këta shoqata. Siç përmenda edhe më lartë, kam realizuar mbi 100 ekspozita personale e kolektive, duke filluar prej Zvicrës ku jetoj dhe veproj, Italisë, Austrisë, Gjermanisë, Francës, Bon Stil të Kosovës, Maqedonisë dhe së fundit në SHBA. Për këtë sukses Unioni Europian, European Art Net, në vitin 2014 më nderoj me dy çmime SIK ISEA-Swiss institut for Art Research dhe Kunst Bulletin. Si ekspozitë më të suksesshme dhe më mbresëlënëse do ta veçoj ekspozitën e vitit te kaluar në Nica, të Francës – në Sveta Gallery, që u hap më 19 korrik. E veçantë dhe risi ishte një performansë – homazh për viktimat e tragjedisë në Nica, që ndodhi në datën 14, po në të njëjtin muaj. Sukseset e arritura gjithmonë i përgëzoj me njerëz meritor, familja, shoqëria, miqtë e dashamirët dhe adhuruesit e mi, ku jo rrallë herë shkojmë edhe pas gjurmëve të paraardhësve tanë për të lidhur të tashmen, e lëmë mbrapa dhe të ardhmen që na pret.
KOHA: Cili është krahasimi i piktorëve të huaj, me tanët?
SINANI: Pas një shëtitje të suksesshme, të piktorëve nëpër stile e kohë, që i bëra si piktor dhe studiues, duke i zotëruar ato me mjeshtëri, vërejta se këta artist krijojnë gjuhën e vet figurative dhe marrin qëndrim krejt tjetër fare nga stilet, dhe me stilet e krijuara vet filluan të pikturojnë shpirtin e epokës së re dhe vizionet pas saj. Jetën dhe artin nuk e paraqesin nëpërmjet formave të trashëguara, ku në këtë kontekst duke krijuar jo vetëm një botëkuptim të rri mbi artin dhe estetikën, por njëkohësisht duke i dhënë artit figurativ një stil të ri, nëpërmjet së cilit flet shpirti i një epoke në të cilën piktori jeton dhe krijon ku nëpërmjet veprave arrin të pasqyroje thellësinë e shpirtit dhe vetëdijes njerëzore, idealet, qëllimet dhe kontaktet e qenies me pjesët tjera të universit, gjendjen e brendshme të kohës dhe ardhmërinë e humanitetit të rrezikuar nga vetvetja.