Arsyetohet Prokuroria, fajin ia hedh MPB-së

Shkup, 9 maj – Prokuroria Publike në reagimin e sotëm thekson se në asnjë moment nuk e pengon hetimin dhe se nuk i pengon organet kompetente për dokumentimin e ngjarjeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. “Përkundrazi, në pajtueshmëri me ligjin, Prokuroria Publike jep urdhra për zbulim të të njëjtave dhe do të veprojë çdoherë për të gjithë kallëzimet penale me të cilët janë dokumentuar vepra më të rënda penale. Njëherit, çdo ngjarje penale juridike është e veçantë dhe nuk mund të tërhiqen paralele gjatë veprimit”, thuhet në reagim. Nga Prokuroria Publike informojnë se deri tani kanë pranuar kallëzime penale nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm kundër kryerësve të dyshuar për hyrje të dhunshme në Kuvend dhe pengim të personave zyrtarë në ushtrimin e funksionit të tyre. “Deri në këtë moment, nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk është dorëzuar kallëzim i dokumentuar penal për asnjë vepër tjetër penale. Potencojmë, Prokuroria Themelore Publike nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka marrë kallëzim penal kundër personave konkret për vepra të kryera penale, në kuptim të shkaktimit të lëndimeve të lehta, rënda trupore dhe veprime tjera. Në qoftë se Ministria e Punëve të Brendshme dorëzon kallëzime të dokumentuara për vepra më të rënda penale dhe për kryerës të veprave më të rënda penale, ndaj tyre do të pasojnë masa proporcionale”, thuhet në reagim. Madje, thuhet se Prokuroria Publike edhe vetë ndërmori veprime për dokumentim të gjithë rastit dhe se ka dhënë dhjetëra urdhra për zbulim të kryerësve të veprave më të rënda penale, por për ta, siç thuhet, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka grumbulluar dëshmi, ato nuk janë dokumentuar, as Prokuroria nuk është njoftuar për veprimin e tyre. Prokuroria Publike shpjegon edhe se është legjitimuar në zbulimin e kryerësve të veprave penale për shkak të mosharmonizimit të Ligjit për prokurori publike me Ligjin për procedurë penale. “Ky mosharmonizim është jashtëzakonisht për fajin e Ministrisë së Drejtësisë e cila në pesë vitet e fundit nuk vepron sipas propozimit të dorëzuar të Prokurorisë Publike për ndryshim të Ligjit për prokurori publike me të cilët do të ishin të mundësuara parashtresat për veprim të Prokurorisë Publike në kuptim edhe të rolit zbulues”, thuhet në reagim.