“Megjithatë, qeveritë e djathta nuk janë çdoherë pozitivisht të orientuara siç është rastin me Greqinë. Në përgjithësi, migracioni asnjëherë nuk ka pushuar. Por, numër i tyre rritet dhe zvogëlohet. Kësisoj, të kërkoni strehim të sigurt dhe vendbanim të qetë nuk mund të të ndalë as pandemia. Nga ajo prej të cilës ikin ata është shumë më e rëndë se vetë pandemia me Kovid-19”, thotë aktivistja Smailoviq
Omer XHAFERI
Shkup, 7 gusht – Për pesë vite me radhë, duke filluar nga viti 2015, në pikat kufitare me Greqinë dhe Serbinë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut si rezultat i situatës me imigrantët, shpalli gjendje krize. Një vendim i tillë edhe për tridhjetë ditë të reja u soll të mërkurën. Njohësja e zhvillimeve me imigrantët, Mersiha Smailoviq, nga organizata joqeveritare “Legis”, për gazetën KOHA, thotë se njëra prej arsyeve se pse rregullisht vazhdohet gjendja e krizës në këto dy pika kufitare është funksionimi ligjor i kampeve për imigrantë. Rritjen e numri të imigrantëve edhe në kohë të pandemisë me Kovid-19, ajo e ndërlidh me ndryshimin e pushtetit dhe ndryshimin e politikës ndaj imigrantëve dhe refugjatëve nga pushteti i ri në Greqi.
“Një numër i madh i migrantëve dhe refugjatëve, të cilët fituan statusin e azil kërkuesve në Greqi, u përjashtuan nga kampet dhe për momentin Athinë është e vërshuar nga refugjatë të cilët flenë rrugëve. Kjo për shkak se Qeveria e Greqisë, vendosi që të mos u jap mbështetje edhe pse është e obliguar në bazë të ligjeve. Megjithatë, qeveritë e djathta nuk janë çdoherë pozitivisht të orientuara siç është rastin me Greqinë. Në përgjithësi, migracioni asnjëherë nuk ka pushuar. Por, numër i tyre rritet dhe zvogëlohet. Kësisoj, të kërkoni strehim të sigurt dhe vendbanim të qetë nuk mund të të ndalë as pandemia. Nga ajo prej të cilës ikin ata është shumë më e rëndë se vetë pandemia me Kovid-19”, tha aktivistja Smailoviq.
Kampet e stërmbushura në ishujt grek dhe zbrazja e kampeve në Athinë dhe Selanik, me vendim të Qeverisë, janë disa prej arsyeve se pse në Maqedoninë e Veriut, periudhën e fundit, edhe pse aktuale ende është pandemia me Kovid-19, është shtuar numri i migrantëve, të cilët futen ilegalisht përmes kufirit jugor. Përveç kësaj, siç thekson Mersiha Smailloviq, edhe më tej ka migrantë të cilët kalojnë përmes detit me anije.
“Ne si organizatë nuk interesohemi për profilin e imigrantëve se vallë ikin nga lufta apo për shkaqe ekonomike, gjegjësisht ne i ndihmojnë çdonjërin që ka nevojë. Dikush mund të largohet nga Pakistani, por që jeta e tij është e rrezikuar. Secili ka arsye se pse largohet nga shtëpia e tij. Shteti duhet t’i mbrojë migrantët nga trafikantët të cilët i keqpërdorin. Së fundmi, pati raste në një automjet ku u gjetën 200 imigrantë. Po ashtu, u regjistruan edhe aksidente komunikacioni”, tha Smailoviq.
Dy kampet më të njohura të migrantëve në vendin tonë janë ai i Vinojugut dhe Tabanocit, ndërkohë që të dyja nuk e kanë ngarkesën e viteve 2015 dhe 2016, respektivisht ky i fundit sipas Smailoviq, për arsye të panjohura për ta, është mbyllur me vendim nga Qeveria.
Ndryshe, opinioni i gjerë në vendin tonë ishte dëshmitarë se edhe gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, kur kufizohej lëvizja e lirë e qytetarëve, gjatë periudhës mars-prill-maj – transiti i migrantëve në vend nuk pushoi se funksionari. Dënimet e larta për trafikim me njerëz dhe rastet e ndryshme tragjike nuk janë treguar frytdhënëse në zvogëlimin e këtij lloji të krimit. Migrantët që zakonisht vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Lindja e Largët, jo çdoherë janë viktimë e trafikantëve. Këtë më se mirë e dëshmon rasti i fundit i ndodhur në Veles, ku tre migrantë, e kanë sulmuar një të moshuar 67 vjeçar dhe ia kanë vjedhur të hollat. Organet e rendit lidhur me këtë rast kanë raportuar se punojnë për zbardhjen e tij. (koha.mk)