Me një vizitë në Komunën e Kisela Vodës, kandidatja për kryetare Danela
Arsovska sot vazhdoi ciklin e vizitave në të gjitha komunat e Shkupit.
Gjatë takimit në këtë komunë, Arsovska realizoi kontakte të
drejtpërdrejta me banorët e Kisela Vodës dhe me përfaqësuesit e disa
organizatave të shoqërisë civile, ku diskutuan për problemet dhe
mangësitë aktuale në këtë komunë, si dhe potencialet e vendbanimeve të
saj.
“Banorët e të gjitha komunave të Shkupit duhet të përfshihen në mënyrë
aktive në krijimin e koncepteve për të përmirësuar funksionimin në të
gjitha nivelet të kryeqytetit. Janë ata të cilët e dinë më së miri se
çfarë konkretisht i duhet komunës për t’u bërë një vend më i mirë për të
jetuar. Betoni në vend të gjelbërimit, rrugët e gërmuara në vend të
trafikut të regulluar, parqet e shkatërruara në vend të këndeve të
lojërave, kanalizimet dhe rrjetet ujësjellse pa kapacitet janë vetëm
disa nga ankesat që i dëgjova nga banorët. Prandaj mendoj se takime të
tilla janë një mundësi e madhe për të dëgjuar problemet e komunave dhe
për të nxjerrë përfundime se si mund të zgjidhen ato ”- tha Arsovska
gjatë vizitës.
Danela Arsovska u premtoi banorëve se brenda mundësive dhe kompetencave
të saj, ajo do të punojë në mënyrë të palodhshme për t’i mundësuar
komunës të marrë pamjen e një vendi modern dhe bashkëkohor, tërheqës për
të jetuar dhe punuar.
“Kur një komuniteti urban të Shkupit siç është Kisela Voda i mungojnë
gjëra themelore, tipike për një komunë e cila gjendet në kryeqytet,
atëherë ju e dini që sistemi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor. Unë
dua, kam dëshirën dhe aftësinë për të qenë udhëheqëse e atyre
ndryshimeve,” tha Arsovska.