Shkup, 7 dhjetor – Brendet e Maqedonisë vështirë pozicionohen, i vogël është përfaqësimi i produkteve tona në tregjet globale, ndërsa e gjithë kjo është për shkak të mosekzistimit të strategjisë kombëtare për mbështetje institucionale për forcimin individual të markave vendase. Mbështetja e kompanive të Maqedonisë që si forcë lëvizëse e ekonomisë kanë të zhvilluar prodhime dhe shërbime cilësore, përmes investimit në zhvillim dhe ndërtim të brendeve të fuqishme, pozitivisht do të ndikojë në ekonominë kombëtare, por edhe promovimin e Maqedonisë si vend i origjinës së markës së njohur të produkteve, informojnë nga Lidhja e Odave Ekonomike.
Konform analizës së Brand Finance të Britanisë për vitin 2019 në rangimin kombëtar të top 100 sipas vlerës, Maqedonia nuk është në listë. Nga vendet e rajonit, Greqia është në vendin e 57, Sllovenia në vendin e 60, Bullgaria 68, Serbia në vendin e 76, ndërsa Kroacia në vendin e 78.
Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike, Daniela Arsovska ka thënë se krahas asaj që kompanitë duhet të mendojnë për zhvillimin e vet, politika ekonomike në vend është e rëndësisë së madhe për mbështetje në ndërtimin e markave vendase përmes strategjisë për aktivitet në tregjet e huaja, promovim individual si dhe parandalim të më shumë çrregullimeve në tregun e konkurrencës jolojale.
“Produkteve të Maqedonisë individualisht mund t’u ndihmohet në kreacionin e vlerës unikate, të orientohen në tregje ku mund të arrijnë sukses, t’u ndihmohet me teknologji të reja që do të rriste produktivitetin, të ngritët fushatë për njohje të vendit, rajonit dhe globalisht. Një numër i madh i produkteve në vend se të përpunohen te ne, eksportohen si lëndë e parë ose gjysmë-produkte dhe shiten si pjesë e markave të njohura në shtetet tjera”, ka thënë Arsovska.
“Lidhja e Odave Ekonomike e Maqedonisë propozon fillimin e pilot- projektit ku do të investohej në kompani individuale me potencial të lartë që mund të japin rezultate jo vetëm që të arrihet rritje i ndërmarrjes individuale dhe markës, por edhe Maqedonia të fillojë të njihet si vend i origjinës së atyre markave individuale të suksesshme”, ka thënë Arsovska.
Forcimi i markave vendore nënkupton edhe forcim të markës kombëtare si kapital i rëndësishëm i botës së sotme globale që i promovon investimet, jep vlerë të eksportit dhe do të na rendit në të ardhmen në listë si vend nga i cili dalin produkte të markave të njohura dhe cilësore.