Në kuadër të projektit “Platforma evropiane për ekselencë për inovacione të gjelbërta dhe arsim dhe aftësim profesional – Greenovet” dhe iniciativës “Java evropiane e aftësive profesionale”, sot u mbajt tribun me temë “Shkathtësi për qytet të gjelbër”.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska foli për rëndësinë e edukimit ekologjik dhe nevojën që të ketë ndikim pozitiv tek të rinjtë në mënyrë që ata të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit jetësor.
Siç kumtoi Qyteti i Shkupit, Arsovska përkujtoi për projektet e realizuara të Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjeve publike të qytetit në drejtim të ruajtjes së mjedisit jetësor.
“Qyteti i Shkupit është duke punuar në disa projekte që japin kontribut të madh në ruajtjen e mjedisit jetësor, e më i madhi është sigurisht projekti për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup. Ky projekt që po e realizojmë në bashkëpunim me NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”, është projekti më i madh ekologjik në rajon dhe kap vlerën e 136 milionë eurove. Me realizimin e këtij projekti dhe ndërtimin e termocentralit, i cili duhet të përfundojë në afat prej 36 muajsh nga fillimi i aktiviteteve, do të pastrohet 90 për qind e ujërave në Shkup, informoi Arsovska.
Ajo shtoi se për herë të parë në vend po punohet në futjen e sistemit për riciklimin dhe ripërdorimin e mbeturinave ndërtimore, rritjen e hapësirave publike të gjelbra në të gjitha komunat e Shkupit, duke punuar në vendosjen e paneleve diellore në institucionet nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit, për të shfrytëzuar burimet e rinovueshme të energjisë dhe shumë projekte të tjera.
Projekti “Platforma Evropiane për ekselencë për inovacione të gjelbërta dhe arsimin dhe trajnimin profesional – GREENOVET” është një projekt ndërkombëtar që përfshin 14 partnerë nga vendi ynë dhe nga Austria, Portugalia dhe Finlanda.
Bartës të aktiviteteve të projektit në vend janë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike – Shkup pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi. Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë, ASUC “Boro Petrusevski”, Rade Koncar TEP dhe Qendra Kombëtare për Zhvillimin e Inovacionit dhe Mësimin Sipërmarrës.
Projekti synon të inkurajojë zhvillimin e arsimit dhe trajnimit profesional (ATP) në fushën e inovacioneve të gjelbërta në të gjithë Evropën, duke krijuar qendra ekselence në arsimin dhe trajnimin profesional që do të mundësojnë një ekonomi inovative, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.