Arsimi kërkon një riorganizim të gjithmbarshëm pa politizime. Mësimi në largësi apo onlajn, siç dëshirojmë ta quajmë, për shumë arsye nuk e arsyetoi veten. Ai është një sistem apo model mësimdhënieje që kërkon një përvojë tjetërfare. Me zbatimin dhe insistimin e mësimit në largësi apo onlajn vetëm humbën vlera e arsimit, misioni dhe funksioni i shkollës dhe nxënësit mbeten pa dije, pa vlera, pa arsimim
Nga Xheladin MURATI
Arsimi në RMV duket se gjendet në kaos, madje po shkon drejt kaosit më të madh. Kjo jo vetëm për shkak të reflektimit të virusit korona po edhe nga menaxhimi i arsimit në përgjithësi dhe posaçërisht nga menaxhimi i pandemisë. Arsimi sot në vendin tone duke u përballur me pandeminë gjendet midis realitetit të zymtë dhe shpresës për ndryshim. Këtu shtroj edhe pyetjen: A duhet lënë ministreshën Carovska të “bëjë punën e vet”, apo ka nevojë për ndërhyrje?
PREMISAT
- Mungon strategjia dhe objektivat e qeverisë për organizimin e shkollës.
- Arsimi sot ndodhet ndërmjet rreziqeve dhe mundësive, duke shkuar në humbje.
- Arsimi dhe shkolla përballen me probleme e vështirësi të shumta.
QASJET DHE ASPEKTET
Arsimi dhe shkolla aktualisht gjenden para një bllokimi dhe kufizime të shumta që reflektojnë një ndikim shkatërrues mbi vlerat e mirëfillta arsimore. Në fakt, sot përballemi me dy qëndrime të ndryshme në përballjen me sfidat e pandemisë Covid-19. Së pari, këshillohet dhe urdhërohet izolim total, distancë sociale, mbyllje, karantinë gjendje krize, mbyllje në shtëpi. Këtë e bëjnë ekspert të mjekësisë dhe politika udhëheqëse e shtetit. Së dyti, poashtu ekspert të njohur botëror shëndetësor madje edhe lider të politikës botërore preferojnë që popullata mos të izolohet, mos të mbyllet, institucionet të punojnë, shkollat, universitetet mos mbyllen po të punojnë si dhe tubime sportive, kulturore të mbahen me prani fizike, meq në këtë mënyrë do të bëhet imunizimi i tufës dhe virusi do të kalon më shpejt.
PYETJA ËSHTË: KUJT T’I BESOHET?
Jam dakord me faktin se shëndeti i nxënësve duhet të jetë dominantë, por duhet ta kemi parasysh edhe ankthin dhe depresionin që vjen e rritet në mesin e nxënësve nga ndalesa e përcjelljes së mësimit me prani fizike në shkollë. Shqetësimi kryesor te nxënësit është izolimi dhe efekti shkatërrues i tij në jetën emocionale të nxënësve. Politika zyrtare dhe politika arsimore në veçanti janë unik në qasjen ndaj arsimit dhe synimi i tyre siç vërehet shkon nga mbyllja e shkollave dhe mbajtjen e mësimit në largësi. Kjo e dyta, nuk u tregua efikase në vitin e kaluar shkollor 2019-2020 dhe as në këtë vit 2020-2021 që filloj me një muaj vonesë, me pa arsye. Kjo për arsye të mos funksionimit të platformës nacionale për mësim në largësi. I tërë procesi mësimor në largësi sipas mendimit tim mund të përshkruhet në dy fjalë: A më kuptuat? (pyet mësuesi) dhe A më dëgjuat?
Mësimi në largësi është një përvojë e re. Shumë gjëra po ndryshojnë. Mësuesit dhe nxënësit nuk janë të lumtur me të, sepse gjërat po shkojnë ashtu që cilësia mungon, interesi për mësim ka humb dhe i tërë procesi mësimor po zhvillohet njëkahësh. Sistemi i mësimit me prani fizike të nxënësit në klasë ndoshta nuk është sistemi më i mirë i mësimdhënies, por më të mire nuk ka. Ministria e arsimit dhe subjektet e tjera arsimore duhet t’i japin prioritet projekteve dhe të veproj si promotore e politikës parimore që nxënësit të vijojnë mësimin në shkollë. Mbase virusi nuk ndalet, gjithsesi, duke u kujdesur për kushtet e tjera për parandalimin e përhapjes së virusit. Ajo duhet të jetë promotore e mësimit me prani fizike se sa të mësimit në largësi, i cili nuk realizohet dhe nuk tregon rezultate, madje as platforma nacionale nuk funksionon si duhet.
Për shkak të efekteve negative të mësimit në largësi dhe mungesës së pajisjeve elektronike të nxënësve, të shkollave dhe të platformës, mësimi rrezikon të dështoj totalisht dhe ta minoj stabilitetin arsimor në vend. Avantazhet e mësimit me praninë fizike të nxënësve në shkollë janë të shumta që nga aspekti i vlerave e deri tek edukimi i vlerave të mirëfillta, poashtu është shumë lehtë të depërtosh në shpirtin e nxënësit. Ndërsa disavantazhe nuk besoj që mund të ketë. Disavantazhet reflektohen te mësimi në largësi. Gjerësisht në librin tim “Arsimi dhe shkolla përballë sfidave të pandemisë”, Tetovë, 2020. Në arsimin sipëror puna andryshon. Studentët kanë më shumë në dorë organizimin e jetës së tyre, ndjekjen e ligjëratave në largësi, përdorimin e mundësive personale dhe të teknologjisë dhe të kohës. Pra mungesa fizike nga sallat dhe amfiteatrot e fakulteteve i tejkalojnë limitet e përcjelljes së ligjëratave.
Për fat të keq është i pranishëm një mendim i plotpajtueshëm me situatën. Nuk ka institucione dhe studiues t’u kundërshtojnë hapur këtyre proceseve, duke iu kundërvënë logjikës të kësaj që ndodh me shkollat dhe arsimin tek ne. Në fakt, trysnia e asaj që jemi mësuar ta quajmë presion i pushtetit imponon qëndrime tolerante e gjakftohta.
PËRFUNDIM
Arsimi kërkon një riorganizim të gjithmbarshëm pa politizime. Mësimi në largësi apo onlajn, siç dëshirojmë ta quajmë, për shumë arsye nuk e arsyetoi veten. Ai është një sistem apo model mësimdhënieje që kërkon një përvojë tjetërfare. Me zbatimin dhe insistimin e mësimit në largësi apo onlajn vetëm humbën vlera e arsimit, misioni dhe funksioni i shkollës dhe nxënësit mbeten pa dije, pa vlera, pa arsimim. Konkludimi im për situatën arsimore në të cilën gjendet shkolla aktualisht sot, i cili vlen edhe për zonjën ministreshë të arsimit është: Mos u tregoni idelaliste në veprimin tuaj në fushën e arsimit sepse gjërat nuk janë ashtu si duhet dhe ssi thuhet. Tregohuni më realiste sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jeni më e qëndrueshme dhe e kapshme. (koha.mk)