Skender Iseni, profesor në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” në Çair, njëherësh promovues i idesë për arsimin profesional, thotë se në vendin tonë, për shkak faktorëve të shumtë ekonomikë, kulturorë, socialë, ende ekziston mendësia se me kryerjen e gjimnazit të përgjithshëm, mund të prosperohet më shumë në karrierë. Mirëpo, sipas tij, nuk mund të pritet zhvillim ekonomik në një vend nëse nuk e kemi te zhvilluar arsimin profesional
Hekuran JASHARI
Shkup, 4 qershor – Në vendet e zhvilluara perëndimore kemi parë se ka një përputhje të plotë mes tregut të punës, dhe zgjedhjes së profesionit të nxënësve. Atje në bazë të nevojave të tregut, institucionet përkatëse promovojnë rëndësinë e arsimit profesional, në mënyrë që nxënësit pas kryerjes së maturës të gjejnë punë në profesionin ku ata e kanë zgjedhur.
Ky fenomen është shqetësues për vendin tonë, ndërsa vazhdon shpërpushja në mes nevojave të tregut dhe shkollimit të mesëm. Nxënësit tanë më tepër janë të orientuar në gjimnazin e përgjithshëm, ndërkaq arsimi profesional – për shkak të mos theksimit të rëndësisë së saj, nga ana e institucioneve është lënë në harresë të plotë. Rrjedhimisht, nxënësit që kryejnë gjimnazin, nga suficiti në treg – janë të detyruar të vazhdojnë studimet në mënyrë që të jenë sa më konkurrues në treg. Kjo çështje mund lehtësisht të zgjidhet nëse institucionet ndërmarrin masa në këtë fushë. Për të pasur një fotografi më të qartë fillimisht, do të sjellim një statistikë rreth numrit të nxënësve dhe mësimdhënësve në shkollat e mesme. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 2018 ka pasur gjithsej 131 shkolla të mesme, në të cilën kanë mësuar 72.482 nxënës të shpërndarë në 3481 paralele.
Sa i përket numrit se sa prej tyre kanë të kryer arsimin profesional, sipas të dhënave të vitit 2017/2018, rreth 60 për qind, apo 12.968 nxënës kanë kryer arsim profesional, ku interesimi është më i madh për drejtimin e mjekësisë, në krahasim me atë të teknikës, tregtisë, apo arkitekturës. Ministria e Arsimit, së fundmi ka filluar me disa reforma në këtë aspekt. Risi për këtë vit është edhe lajmi se semimaturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në gjimnazin e ri që është hapur për Informatikë-Matematikë dhe Fizikë në Shkup, si dhe duke ofruar bursa për ata që regjistrohen. Nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që të stimulojnë arsimin profesional, kanë bërë të ditur se do të ofrojnë bursa për të gjithë ata maturantë që vijojnë studimet për Matematikë apo Fizikë. Temë diskutimi ka filluar të jetë edhe modeli gjerman i arsimimit dual, ndërsa në disa qytete të vendit tashmë ka filluar të zbatohet ky model, ku nxënësit do të kombinojnë pjesën teorike me atë praktike.
Skender Iseni, profesor në shkollën e mesme “Zef Lush Marku” në Çair, njëherësh promovues i idesë për arsimin profesional, thotë se në vendin tonë, për shkak faktorëve të shumtë ekonomikë, kulturorë, socialë, ende ekziston mendësia se me kryerjen e gjimnazit të përgjithshëm, mund të prosperohet më shumë në karrierë. Mirëpo, sipas tij, nuk mund të pritet zhvillim ekonomik në një vend nëse nuk e kemi te zhvilluar arsimin profesional. “Përpos tjerash, arsimi profesional në vete ngërthen edhe shumë dobi të tjera që e rritë kreativitetin, disiplinën, dhe koncentrimin tek nxënësit”, thotë Iseni. Sipas tij, janë të domosdoshme reformat në arsim, ku më në fund do të fillojmë të jemi me këmbë në tokë dhe të profesionalizohemi në fusha ku ka nevojë tregu, në mënyrë që ushtrimi i profesionit të nxënësit të jetë në dobi të shoqërisë, e jo të shndërrohet barrë për byronë për punësim. (koha.mk)