Raportet e politikës qendrore e lokale në fushën e arsimit duhet vendosur mbi bazë të parimit komplementar dhe jo subordinar, suprimues dhe reduktues. Është shumë e rëndësishme që midis tyre të funksionojnë mekanizmat e jetës demokratike, që ato mos veprojnë në kundërshtim me njëra-tjetrën, apo politika qendrore t’ia mohoj disa të drejta ose kompetenca politikës lokale
Nga Xheladin MURATI
Ç’është politika qendrore? Ç’është politika lokale? Ç’është dallimi mes njëra-tjetrës? A bëhet fjalë për nivele veprimi me qëllime të përbashkëta apo të ndryshme? Përgjigja është e qartë se këto dy nivele dallojnë mes vete për nga funksioni dhe dimensioni. I pari varet dhe ka të bëjë me kushtet e përgjithshme që siguron shoqëria që të arrihet cilësi në arsim siç janë hapësira, klasa, kabinete, libra, mjete etj. Ndërsa i dyti ka të bëj me angazhimin konkret të komunave apo politikës lokale për plotësimin dhe sigurimin e kushteve për shkollat.
PREMISAT
Për të trajtuar temën në fjalë kemi premisat vijuese: 1. Çdo politikan(drejtues) është përcaktuar nga faktorët dhe rrethanat që e kanë sjellë atë në vendin që ka zënë. 2. Politika e pushtetit qendror duhet të jetë në funksion të politikës lokale arsimore. 3. Modeli demokratik i politikës arsimore qendrore presupozon jo vetëm ndikimin e saj në politikën lokale, por rrezaton qenësisht në përkrahjen dhe realizimin e politikës së saj.
ASPEKTET DHE QASJET
Në fakt, kur flasim për këto dy nivele të politikave kemi parasysh se ato përbëhen nga disa elemente kyç si: 1. Sistemi nacional arsimor, 2. Politika nacionale për arsimin, 3. Programi nacional për arsim, 4. Politika lokale arsimore dhe 5. Programe arsimore lokale.
Cilësia kryesore për ndërtimin e raporteve midis niveleve dhe të marrëdhënieve efikase janë: shkalla e tërheqjes ndaj njëri-tjetrit, respekti i ndërsjellë, kuptimi i qartë i detyrimeve të dyanshme dhe aftësitë afirmuese. Respekti si një parim moral është i domosdoshëm në planin institucional si në politikën qendrore ashtu edhe në atë lokale… Funksionimi i niveleve duhet të mbështetet në sundimin e ligjit, sinqeritet, barazi, transparencë dhe autenticitet. Kërkesat dhe vendimet mes tyre nuk duhet të shprehen në mënyrë tendencioze e të paracaktuara, por natyrshëm. Në fakt, raportet në mes politikës qendrore dhe asaj lokale do të zhvillohen natyrshëm dhe në mënyrë komplementare nëse definohen qartë komponentet e veprimit si: 1) Politika e zhvillimit të barabartë rajonal – komunal, 2) Të caktohen prioritetet dhe nevojat e rajonit, 3) Të kryhet decentralizim më i avancuar veçanërisht decentralizim fiskal, 4) Zhvillimi të projektohet realisht pa mos diskriminuar, 5) Në ndarjen e mjeteve nga politika qendrore për komunat të respektohet çështja ekonomike, etnike, demografike dhe kapacitetet e komunave, 6) Komunave tu sigurohet pavarësi më e madhe nga politika qendrore, 7) Komunat kanë nevojë për një sistem më transparent të financimit, etj.
Çdo nivel duhet të synoj të zhvillohet pa pengesa, por është e rëndësishme që ato të funksionojnë e të ndërtohen në mënyrë transparente dhe në përputhje me detyrimet dhe përcaktimet zhvillimore.
Për ta promovuar transparencën, bartësit e niveleve duhet të zotohen që t’i ndjekin rregullat e demokracisë dhe të parimit komplementar. Shkalla dhe shtrirja gjeografike e sistemeve në mënyrë të konsiderueshme duhet të jenë unike. Ky fakt vë në dukje se suksesi dhe cilësia nuk kanë peshë të njëjtë dhe se ato dallohen nga një komunë apo rajon në komunën tjetër. Kësisoj arsimi në përgjithësi si koncept dhe përmbajtje pëson ndryshime varësisht nga ndikimet e politikës qendrore dhe asaj lokale.
Politika qendrore arsimore rri në raport subordinar ndaj politikës lokale. Çka nënkupton kjo? Kjo do të thotë se politika qendrore do të arrijë maksimalisht qëllimet e saja. Pyetja themelore është sa politika qendrore përputhet me politikën lokale arsimore në Shkup, Tetovë apo Gostivar? Mund të themi se prej kohësh nëpër komuna reflekton ndryshe politika qendrore. Në fakt, nuk zbatohen standarde të njejta në shumë fusha arsimore. Të njëjta janë programet nacionale, organizimi arsimor, strukturat arsimore, objektivat e edukimit dhe arsimit, mekanizmi i funksionimit të tyre, ligjësitë universale arsimore dhe burime buxhetore. Po dallimet reflektojnë në standardet e kushteve dhe objekteve shkollore, hapësirave, numrit të paraleleve me nxënës dhe shumë aspekte funksionale – teknike. Pra paraqiten një mori përcaktimesh formale-juridike për realizimin e konceptit arsimor.
Trajtimi dhe vendosja e raporteve midis politikës qendrore dhe politikës lokale arsimore nuk është një çështje formale, por funksionale me atribute politike e vendimmarrëse. Kjo do të thotë se ky raport nuk duhet të bëhet nga pozita partiake, se kush udhëheq aktualisht, zyrtarisht e formalisht, por nga veprimi objektiv. Karakteri i veprimeve të tyre në fushën e arsimit, madje edhe në çdo fushë tjetër kërkon raporte reale që ata kanë ndërtuar me ligjet, aspektet funksionale të veprimtarisë së tyre, aftësive për t’u vënë në funksion zhvillimeve të reja dhe raporteve shoqërore të shkon në të mirë të qytetarit dhe vendimeve korrekte pa politizim, me objektivitet dhe realizëm në të dyja nivelet.
Ky raport apo ky ndikim i politikës qendrore në politikën lokale synon të ndajnë të njëjtat aspirata dhe të njëjtat vlera, të njëjtin koncept të një shoqërie të lirë dhe të hapur të bazuar në respektimin e vlerave, jo për të rrezikuar apo kërcënuar synimet. Fatkeqësisht ndodh shpesh që politika qendrore t’ia marr të drejtat dhe kompetencat politikës lokale në fushën e arsimit, në vendimmarrje siç ndodh me Gostivarin e diku tjetër. Kjo praktikë ngre tensionet dhe minon besimin. Kjo ndodh edhe për shkak të partizimit të skajshëm dhe politizimit të politikës në vendimmarrje. Ndërhyrjet e tilla janë të rrezikshme për cilësinë e vendosjes dhe sjellë në njëanshmëri të realizimit të qëllimeve. Në këtë kontekst, i madh është ai politikan (udhëheqës) që i shikon të gjithë njësoj, që vepron objektivisht, pa anuar, dhe që mendon për të gjithë. Politikani që mendon për interesat e veta dhe interesat partiake është politikan (udhëheqës) i ulët. Këtu është diferenca.
Raporti i politikës qendrore ndaj politikës lokale duhet të përpiqet që së bashku të ndërtojnë “zonë” paqeje dhe prosperiteti, duke i shndërruar dallimet e tyre në një pasuri të përbashkët. Përderisa politika qendrore dëshiron të mos sfidohet nga politika lokale, në anën tjetër politika lokale dëshiron që të mos kontrollohet nga politika qendrore, kjo veçanërisht se si shpenzohet buxheti publik. Kjo është e kuptueshme po të mbajmë parasysh ndarjen e informacionit lidhur me standardet, kërkesat dhe çdo sfidë të tyre të ndërsjellë.
Bashkëpunimi dhe ndërtimi i raporteve qendrore dhe lokale duhet të bëhet duke vendosur rregulla demokratike dhe jo dhunë politike. Në këtë drejtim është bërë shumë, por mbetet për t’u bërë edhe më shumë në fushat jetike, ku përparimi i ndjeshëm pritet me padurim. Prandaj elitat e politikës qendrore dhe lokale në arsim nuk duhet të mbështeten në të drejtën e tyre, apo në qëndrimin absolut për të pasur privilegjin e drejtimit, por raporti i tyre duhet të merret dhe të përcaktohet nga interesat e institucioneve dhe sferën më të gjerë lokale, të cilat shfaqen në këtë rast si interes kombëtar.
PËRFUNDIM
Raportet e politikës qendrore e lokale në fushën e arsimit duhet vendosur mbi bazë të parimit komplementar dhe jo subordinar, suprimues dhe reduktues. Është shumë e rëndësishme që midis tyre të funksionojnë mekanizmat e jetës demokratike, që ato mos veprojnë në kundërshtim me njëra-tjetrën, apo politika qendrore t’ia mohoj disa të drejta ose kompetenca politikës lokale. Çdo kushtëzim apo reduktim i lirisë institucionale në jetën dhe veprimtarinë institucionale arsimore është i gabuar. (koha.mk)