Në arsim, jo çdo gjë shkon sipas parimeve pedagogjike. Zhvillimet politike janë me pasoja kontradiktore përsa u përket raporteve të politikës me arsimin. Në vend që politika të jetë në funksion të zhvillimit të arsimit ajo e bën pengimin e tij duke e politizuar dhe partizuar atë. Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi në arsim siguron koherencën dhe sinkronizimin e veprimeve arsimore dhe edukative
Nga Prof. Xheladin MURATI
Në historinë e pedagogjisë dhe përgjithësisht të qytetërimit arsimi në të gjitha vendet e në të gjitha kohët ka shërbyer madje shërben edhe sot e kësaj dite si një burim për aftësimin e njeriut për jetë përfshi këtu edhe kultivimin e kulturës së përgjithshme, ngritjen e krenarisë dhe ndjenjave kombëtare. Arsimi është një faktor i forcës dhe i qëndrueshmërisë së individit dhe të shoqërisë dhe si i tillë luan një rol të padiskutueshëm në ngritjen e vetëdijes, zhvillimin e potencialeve intelektuale dhe kapacitetin kognitiv të individit. Arsimi vepron si një faktor i ndryshimeve pozitive në shoqëri dhe nëpërmjet rolit të saj në ngritjen kulturore, arsimore, shoqërore, qytetare të nxënësve dhe njeriut në përgjithësi.
PREMISAT
- Imperativa e arsimit është të përqendrohet në dimensionet e saj themelore, në ato që e përcaktojnë fizionominë e tij si fushë pedagogjike me synime të qarta zhvillimore.
- Arsimi duhet të kontribuoj në zhvillimin, aftësimin dhe përsosjen profesionale të individit.
- Arsimi nuk është një qëllim në vetvete, por një funksion shumëplanësh me imperativë konkrete.
- Arsimi duhet të jetë larg politikës kurse politika jashtë arsimit.
QASJET DHE ASPEKTET
Pavarësisht sa folëm më lartë për rolin e arsimit në zhvillimet shoqërore nuk duhet harruar se roli kryesor i arsimit është formimi dhe aftësimi i individit për zhvillimin e tij dhe zhvillimit të shoqërisë. Sepse arsimi është, para së gjithash, një fushë jo politike, një faktor që mundëson zhvillimet politike të artikulohen më mirë. Por gjithnjë duke qenë politika jashtë arsimit. Arsimi duhet t’i shërbeje zhvillimit të individit dhe shoqërisë e çliruar nga politika. Me arsimin të merren njerëzit që dinë, të përgatitur të artikulojnë interesat dhe konceptet arsimore pa implikime politike.
Modernizimi dhe bashkëkohësimi i arsimit është një kërkesë objektive e zhvillimit të individit pavarësisht proceseve komplekse ku zhvillohet arsimi qoftë në vise urbane, rurale, kulturore, të zhvilluara ose më pak të zhvilluara. Arsimi duke synuar të bëhet e të jetë një faktor i ndryshimit të gjendjes sociale, politike, ekonomike e të ngjashme gjithnjë duhet ta ketë për bazë misionin dhe funksionin e tij: zhvillimin e shoqërisë dhe përsosjen personale të njeriut. Kjo ndodh nëpërmjet funksioneve të tij gnoseologjike, aksiologjike, demijurgjike, komunikologjike, sociale dhe emocionale, kështu ai i afrohet misionit të tij. Në këtë mënyrë arsimi është një fushë apo sferë veprimtaria e të cilit përbush synime dhe objektiva të caktuara, të planifikuara e të detyrueshme për t’u arritur nivelet përkatëse të bashkëkohësisë e të përparimit të individit e të shoqërisë.
Dimensionet pedagogjike të arsimit lidhen, siç përmendëm, edhe me imperativat funksionale që i imponohen atij në periudha të ndryshme. Shqetësimet pedagogjike që përjeton sot arsimi në një masë të madhe e kanë burimin e tyre në ndikimet politike
Në realizimin e arsimit duhet të kemi parasysh dy momente. Së pari, margjinalizimi i politikës në arsim përkatësisht çlirimi i arsimit nga politika e cila supozon flakjen e politikës nga arsimi, departizimin e tij dhe udhëheqjen e arsimit nga kuadro profesionale pedagogjike. Ajo që shohim sot në arsimin e RMV-së është ndërthurja e dy faktorëve apo tipareve (politikës dhe teknologjisë) në formën e tyre ekstreme: një arsim fortë i politizuar me një dimension të egër teknologjik. Kjo është sot forma më efikase e arsimit. Mendoj se kjo ndodh për disa arsye:
– tendenca për të bërë ndryshime shpejt dhe teknologjia e okupon arsimin;
– ndryshime shumë drastike të menjëhershme;
– të krahasohen me shtetet më të zhvilluara, që është e pamundur;
– të priten rezultate të jashtëzakonshme.
Bëhen përpjekje për ndryshime që nuk përkojnë me kushtet dhe rrethanat tona. Ja çfarë duhet të kihen parasysh: Është e rëndësishme që arsimi të ndihet i sigurt dhe i fortë, dhe mos harroni se nuk duhet eksperimentuar me nxënësit. Së dyti, arsimi të jetë jashtë politikës. Në arsim të dominon përdorimi i aftësive profesionale në interes të përparimit të tij. Çështja shtrohet qartë e prerë: nuk duhet të ndërhyj politika në arsim sepse politika bën dhunimin e arsimit apo e “pushton” arsimin duke zgjedhë, punësuar vetëm ushtar partiak që nga punëtorët teknik e deri të stafi pedagogjik e udhëheqësi vendos partia në pushtet. Reformat i bën partia, programet i vendos partia, organizimin e bën partia. Askush që nuk është anëtar i partisë në pushtet me librezë partiake, pavarësisht cilësive nuk mund të punësohet.
Por a mund të jetë arsimi vërtetë larg politikës e politika jashtë arsimit? Mendoj se arsimi duhet të jetë larg politikës në kuptimin që individ, grupe të caktuara që veprojnë në arsim nuk duhet të mbrojnë, propagandojnë dhe aq më pak të luftojnë për interesa politike partiake. Arsimi duhet të jetë jashtë politikës në kuptimin që ai duhet të garantojë zhvillimet politike, ai duhet t’i nënshtrohet një politike të mirë kombëtare dhe të kontribuoj në zhvillimin kombëtar të individit e të shoqërisë. Në fund të fundit që arsimi të jetë jashtë politikës do të thotë që të udhëhiqet dhe në të – të punojnë profesionistë, ekspert të fushës që dine dhe janë të pajisur me kompetenca përkatëse. Nuk është e rastit që depolitizimi dhe departizimi i arsimit është një çështje më e rëndësishme që nga kalimi në shoqëri pluraliste demokratike. Mësuesit, arsimtarët duhet të kenë nderin, prestigjin, dinjitetin dhe autoritetin profesional e personal. Bindjet apo përcaktimet politike nuk duhet të reflektohen në veprimtarinë pedagogjike. Mësuesi mund të bëj jetë aktive politike e partiake vetëm jashtë shkollës.
A mund të jetë arsimi larg politikës dhe politika jashtë saj? Unë besoj se mundet. Studiues të ndryshëm i kanë dhënë përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje. Realitetet e ndryshme sugjerojnë gjithashtu zgjidhje të ndryshme. Shoqëritë demokratike të përparuara arsimin nuk e politizojnë dhe as e partizojnë. Nëse ndërrohet garniture udhëheqëse e një partie, në pushtet apo udhëheqës, ministër, drejtor i institucioneve arsimore mbetet njeriu i cili me kompetenca dhe suksesshëm drejton arsimin. Nuk bëhet ndërrime të kuadrove vetëm pse i takon partisë tjetër.
Në krahasim me faktor të shumtë, veprimi dhe ndikimi i të cilave është spontan, madje shpesh edhe kundërthënës, ndikimi dhe kontributi i arsimit në ngritjen intelektuale, sociale, morale, shoqërore është shumëkahësh, i organizuar, i formalizuar dhe i përqendruar. Kjo veçanërisht reflektohet në rrënjosjen e edukatës dhe vlerave kombëtare. Në këtë prizëm është i qartë roli jetik që luan arsimi në ndërtimin e shoqërisë dhe të individit, gjithsesi bashkë me faktor të tjerë siç janë familja, shkolla, feja, shtypi, teknologjia e të ngjashme.
Ndikimet dhe reflektimet pedagogjike e sociale të arsimit në zhvillimin e shoqërisë në tërësi dhe individit janë një aspekt i bashkëveprimit të shumë faktorëve të rëndësishëm. Ky bashkëveprim është një faktor shumë i njohur në pedagogji. Nuk është vështirë të evidentohet bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i niveleve të ndryshme institucionale social-pedagogjike në ndërtimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta edukative e arsimore.
PËRFUNDIM
Në arsim, jo çdo gjë shkon sipas parimeve pedagogjike. Zhvillimet politike janë me pasoja kontradiktore përsa u përket raporteve të politikës me arsimin. Në vend që politika të jetë në funksion të zhvillimit të arsimit ajo e bën pengimin e tij duke e politizuar dhe partizuar atë. Bashkëveprimi dhe bashkëpunimi në arsim siguron koherencën dhe sinkronizimin e veprimeve arsimore dhe edukative. Në këtë bashkëveprim duhet të kihet parasysh gjithnjë kërkesa se politika është shkatërrimi i arsimit, kurse arsimi pa politikë të mirë është i shkatërruar. (koha.mk)