Мësim-besimi nëpër shkollat publike të vendit është sa për sy e faqe për të mbuluar diçka para botës, thonë nga BFI. Ndërkohë që priftërinjtë vlerësojnë se pa arsim fetar do të na ndodhin fenomenet “Katica Janeva” dhe “Boki 13”
Destan JONUZI
Shkup, 15 janar – Pa mësimbesim fetar do të na ndodhin edhe shumë Katica Janavea dhe Boki 13, ka deklaruar së fundmi peshkopi i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Petar. Deklarata e peshkopit е tij ka hapur debatin për sekularizmin nëpër shkolla, etikën dhe përfshirjen e mësim-besimit fetar në sistemin arsimor, që njëherë vetëm se është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Kleriku i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Petar, në drekën e shtruar për Krishtlindje në Prilep ka kërkuar që në shkolla të futet arsimi fetar, me qëllim siç tha ai, që të arrihet ripërtërirje shpirtërore e njerëzve. “Pa mësim-besim fetar do të na ndodhin edhe shumë Katica Janeva dhe Boki 13, do të na ndodhin edhe një tufë problemesh tjera. Me mësim-besimin e instaluar e gjithë kjo do të eliminohet, për arsye se nëse doni përparim të popullit, nuk mund të kërkoni vetëm se avancim material, ekonomik, kulturor, ndërsa shpirtëror të mos ketë. Vetëm nëpërmjet përparimit shpirtëror arrihen të gjitha të mirat tjera”, është shprehur Petar.
Në anën tjetër përgjegjësi për arsim pranë Bashkësisë Islame të Maqedonisë (BFI), Jusuf Zimeri thotë se përfshirja e mësim-besimit nëpër shkollat publike të vendit është sa për sy e faqe për të mbuluar dika para botës. “Meqë edhe ajo që është instaluar nëpër shkolla gjoja si etik fetare, nuk është e rregullt, është fakultative dhe mësohet vetëm se një vit, normalisht se nuk plotëson nevojat e as kërkesat e komunitetit mysliman në vend. Nëse flasim për vlerat ose pasojat nga mos instalimi i besimit fetar nëpër shkolla, duhet pasur parasysh se feja në përgjithësi e ruan balancën mes shpirtërores dhe asaj fizikes (materies). Detyrimisht njeriu është krijesë fizike dhe materie shpirtërore, nuk mund të kontestohet kjo. Ka mundësi edukative që njeriu përmes mësimeve dhe edukimit fetar të largohet prej krimeve dhe të jetë sa më larg tyre, pavarësisht se cilës natyrë janë ato”, deklaroi për KOHA, Zimeri.
Sipas tij, problemi në Maqedoni është se vështirë binden autoritetet dhe pushtetarët se mësim besimi ndikon vetëm se pozitivisht, dhe se aspak nuk ndikon negativisht, siç shprehet ai, qoftë ndaj individit, qoftë ndaj shoqërisë në përgjithësi.
“Këtu tek ne gjithmonë thirren në një farë sekularizmi që për mua është bindje boshe, një frazë që bota e civilizuar e ka tejkaluar moti. Në Serbi 12 vjet është i instaluar mësim-besimi fetar, prej klasës së parë shkollës fillore deri në vitin e katër gjimnaz. Po ashtu ka edhe raste të shumta me shtetet perëndimore etj., edhe ato janë shtetet sekulariste, mirëpo inkorporimi i mësim-besimit në shkollat publike nuk do të thotë se prishet ky postulat. Mirëpo kur duan ta keqinterpretojnë sekularizimin apo ndarjen e shteti nga feja pastaj merren edhe më këtë çështje”, thekson Jusuf Zimeri, përgjegjës për Arsim pranë BFI-së. Sipas tij, BFI është e interesuar që së paku të ndiqen disa modele të shteteve evropiane dhe të aplikohen në sistemin arsimor në vend. “Absolutisht nuk ka asnjë dëm as individual, as shoqëria nga mësim-besimet fetare, sepse këto janë mësime edukuese, mbajnë balancën fizike dhe materiale të njeriut”, nënvizon ai.
Ndryshe, para dhjetë viteve u instalua mësim-besimi fetar në arsimin fillor të vendit, por Gjykata Kushtetuese në vitin 2009 e shfuqizojë, me arsyetimin se shkelet sekulariteti i shtetit. Por pas shfuqizimit, nëpër shkolla fillore të vendit është instaluar lënda e etika dhe religjion e cila mësohet vetëm një vit. (koha.mk)