Këta të sapodiplomuar keq ose ende duke u shkolluar keq ose fare të padiplomuar, këta janë të punësuarit që ecin me kokën lart e bishtin përpjetë, sepse këta janë hallkat e zinxhirit nepotik partiak! Këta nuk paraqesin madje fare diplomë, këta kualifikim kanë teserën e partisë, mbiemrin apo numrin e votave që kanë mbledhur tek lagjja e tyre!
Nga dr. Arben TARAVARI
Për të mos thënë që Arsimi dhe Shëndetësia kanë kapitulluar… për të bërë një lloj diplomacie sa hipokrite aq edhe qesharake, sepse fshati që duket nuk do kallauz, por në emër të pozitivizmit nuk po i shpallim ende të kapitulluar! Por që mezi mbahen në këmbë dhe po na marrin në qafë neve dhe më shumë fëmijët tanë, kjo është e sigurt, është alarmante, është urgjente!
Sapo ka filluar viti i ri shkollor, shkollat janë të mbushura me kaos, me të diskriminuar, me injorancë! Kaosi buron nga politika rastësore, koruptive, denigruese e punësimit. Problemi fillon që nga diplomimi i kuadrove partiakë, të cilët mund të ndodhë që të japin lëndën e gjuhës shqipe, dhe të shkruajnë me gabime të rënda gramatikore, të përdorin sllavizma edhe pse paguhen të mësojnë shqip, edhe pse ju bihen kraharorit si profesionistë, rezulton që kanë nevojë të shkollohen nga fillimi në njohuritë bazë si është gjuha dhe leximi. Profesioni im është mjek, dhe natyrisht që nuk është merita ime drejtshkrimi i analizave të mia, rreshtat e kolumnave të mia kalojnë në syrin profesionist të redaktorit, merita gramatikore është e tij pasi unë nuk jam mësues i gjuhës shqipe, por unë nuk toleroj që të gaboj në neurologji për të cilën edhe jam i diplomuar, imagjinoni sikur të vini tek unë për vizitë dhe unë të ngatërroj ndonjë term mjekësor gjatë kohës që ju shpall diagnozën…pasojat do të ishin katastrofale!
Këta të sapodiplomuar keq ose ende duke u shkolluar keq ose fare të padiplomuar, këta janë të punësuarit që ecin me kokën lart e bishtin përpjetë, sepse këta janë hallkat e zinxhirit nepotik partiak! Këta nuk paraqesin madje fare diplomë, këta kualifikim kanë teserën e partisë, mbiemrin apo numrin e votave që kanë mbledhur tek lagjja e tyre!
Këta janë neo-mësuesit, që po marrin në qafë gjithsecilin që ju rri afër! Janë pikërisht këta të cilët gati trajtojnë me përbuzje mësuesit e vërtetë, të cilët plasin nga brenda kur shohin se si nxënës të dobët tashmë i kanë kolegë! Kur mësuesit profesionistë, kërkojnë dinjitetin e tyre, janë pikërisht këto “mësuesit” partiakë që me funksionin e Kalit të Trojës, tradhtojnë, spiunojnë, shkatërrojnë derisa asgjësojnë përfundimisht këdo që i rrezikon rehatinë profesionale!
Të tjerët të cilët janë në shënjestër dhe goditen përjetësisht nga padituria, injoranca dhe paaftësia e këtyre pseudo-mësuesve, fatkeqësisht janë Fëmijët! Ata shkojnë të bardhë dhe të pafajshëm në shkolla ku i presin pikërisht këta mësuesit që nuk dinë profesionin e tyre, dhe fëmijët njëherë e mirë vulosen me paditurinë e tyre! Mirëpo në gjithë këtë katrahurë lajmi i mirë është që falë Zotit kemi më shumë mësues të vërtetë, të cilëve ju është mbaruar durimi, të cilët po dalin nga guaska e errët ku i futi politika kriminale e një partie që po shkon drejt kapitullimit!
Mësuesit e vërtetë, ata të cilët kanë diplomuar realisht, ata që e dinë rëndësinë e shkronjës Ë, ata të cilët janë pedagogë që e dinë rëndësinë e didaktikës, ata të cilët jetojnë me shqetësimet e nxënësve të tyre, ata që janë inxhinierët dhe arkitektët e atdheut të nesërmen, ata që e duan dhe e kanë pasion edukimin dhe përmirësimin e jetës së njeriut, tek e fundit ata që e duan Humanizmin, ata janë grupi i shoqërisë të cilët kanë përgjegjësinë të marrin në dorë fatin e tyre dhe kështu fatin e fëmijëve tanë! Të gjithë ne të tjerët nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi ushtarë të mësuesve dhe të jemi krah tyre në këtë betejë të Dinjitetit e cila është e vetmja shpresë që Arsimi të shpëtojë! Brezat e ardhshëm dhe historia do t’a shkruaj si një faqe të ndritur në librin e saj ditën kur shkolla do të ketë pedagogë që e drejtojnë dhe jo politikanë të sëmurë që shkelin ligjin me dy këmbë duke punësuar aktivistë të tyre të cilët thjesht e shqip: po na shkatërrojnë Fëmijët!
Ndërkohë tani më duhet të përqendrohem tek Shëndetësia, ju e dini që ajo është edhe thembra ime e Akilit, vendi ku më fle zemra pasi unë ka shumë vite që punoj si neurolog, por e lashë të dytën sepse për nga rëndësisë më besoni që Arsimi është më akut! Aktualisht në vendin tonë vazhdon trendi i 20 viteve të fundit duke shënuar madje kulmin e tij, me eksodin më të madh të mjekëve që Maqedonia e Veriut ka njohur ndonjëherë!
Nëpër spitale shkon me 1 diagnozë dhe del me 5! Kur të caktojnë për operim, 1 anëtar i familjes është duke pritur në korridorin e spitalit, kurse pjesa tjetër ndodhet në bankë duke aplikuar për kredi! Në shumë salla hospitalizimi duhet të marrësh ngrohëse nga shtëpia, ushqim me vete, enë kuzhine, jastëk dhe çarçafë dhe nuk është çudi që ndonjë ditë prit kur të kërkojnë që pacienti të sjellë edhe shtratin me vete! Të zen frika të shkosh në spital, sidomos kur je familje me pak të ardhura, dhe për fat të keq në Maqedoni shumica e familjeve kanë pak të ardhura!
Domethënë sektori i Shëndetësisë nuk ka më numrin e mjekëve që ka pasur, i përzuri politika sigurisht, me rroga që ashtu si të mësuesve, janë ofenduese, dhe nuk ka kushte të paktën normale të diagnostikimit apo hospitalizimit të pacientëve! Nëse nuk merren masa urgjente në këtë sektor ju siguroj që Maqedonia e Veriut do të jetë një vend i shkretë ku do vizitohet nga qytetarë kureshtarë njësoj si vizitohen burgjet apo kampet e internimit në shtetet ish-totalitare!
Këta janë dy çelësat që ose duhet t’i gjejmë ose ndryshe e ardhmja dhe shëndeti ynë dhe i fëmijëve tanë do të mbytet në dhomat e errëta korruptive ku politika ende vazhdon t’i mbajë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)