Arsimi dhe pësimi

Politikat arsimore janë peng i politikave të zyrave të partive që vendosin për fatin e profesorëve në bazë të numrit të votave. Duke vazhduar në këtë mënyrë, ARSIMI do na bëhet PËSIM dhe do na kushtojë shumë më shtrenjtë se sa problemet që kemi!

383

Nga Arben TARAVARI

Shkolla! Kur them këtë fjalë menjëherë zgjohet koncepti i një rrugëtimi të vështirë por garantues i suksesit në jetë! Të gjithë kemi vrapuar pas  arsimit, të gjithë e shohim shkollën si pjesë e jetës tonë. Skot Peku, një psikiatër dhe shkrimtar njujorkez do thoshte që: shkolla është nga të vetmet gjëra që kushtëzon planet tona! Prania ose mosprania e saj!

Shumica e kushtetutave botërore e ka detyrim ligjor shkollimin. Një pjesë e mirë e buxhetit të shtetit investohet në Arsim! Dhe është jashtëzakonisht e mençur për të Ardhmen e Njerëzimit të mbështetet sa më shumë Arsimi pasi presidenti amerikan Barack Obama thotë një nga shprehjet më të drejta në këtë kontekst: NËSE EDUKIMI JU DUKET I SHTRENJTË ATËHERË PRISNI TË SHIKONI SA KUSHTON INJORANCA…dhe për fat të keq Injoranca është armiku kryesor që të paktën këtu në Maqedoni duket se vazhdon ende është në ditët e saja!

Gjithë sistemi arsimor duket se është një strategji që më shumë provokon injorancë, keqtrajtim psiko-fizik, pakënaqësi financiare dhe mbi të gjitha një të ardhme dramatike për popullin tonë. Problemi fillon me Ciklet Shkollore. Fëmijë me eshtra ende të paformuara mbajnë në supet e tyre çanta të rënda, 6-12 kg rëndojnë mbi shpatullat e vajzave dhe djemve 5-6 vjeçarë duke rritur rrezikshëm mundësinë e skoliozës. Shtylla kurrizore të deformuara për shkak se librat dhe fletoret janë të rëndë pasi kështu prodhohen nga Shtëpitë Botuese të cilat pa faj zbatojnë kriteret qesharake të Arsimit…vite me radhë! Pas dëmit fizik që fëmijëve iu shkaktohet posa shkojnë në shkollë vjen dëmi intelektual.

Në librat e tyre janë vendosur programe të zhvilluara por që në mungesë të laboratorëve, të kabineteve të punës, të kualifikimit adekuat të mësuesve për këto sisteme, kthehen thjesht në Programe të Komplikuara!

Mësuesit e nderuar gjenden në kaos, pasi duhet të ligjërojnë sisteme të reja për të cilat shteti nuk i ka çuar një ditë të vetme për specializim. Mësues që ofendohen përditë nga barrikadat politike duhet të durojnë edhe kaosin e teksteve të reja. Si përfundim kemi Mësues të shqetësuar që si derivat prodhojnë dhe nxënës të shqetësuar!

Niveli i objekteve që presin nxënësit dhe mësuesit në të shumtën e rasteve është për të mjeruar! Mure që janë duke rënë, dyer që s’mbyllen, ngrohje që shpesh herë s’ka, mësues të papaguar, nxënës të hutuar dhe prindër të trembur! Të gjithë janë viktima të një sistemi të keq i prekur nga çmenduria politike.

Nuk duhet vazhduar më tej me këtë dramë arsimore. Shteti duhet të ndalojë sa më shpejt aq më mirë këto mekanizma që janë potenciale për një jetë më të varfër e kushte më të këqija. Duhet ndërmarrë aksion urgjent në rehabilitimin e një të gjithë piramidës arsimore. Pasuria e shtetit duhet të riorganizohet duke vendosur prioritet Arsimin si një nga prioritetet që kryesojnë listën e ndryshimeve radikale, për të cilat ky shtet ka nevojë. Duke filluar një fushatë rikualifikimesh të personelit pedagogjik në vendet me standard të lartë arsimor do mund të kthjellohemi që në bazë. Grupe pune duhet të studiojnë në nivel shkencor normat të cilat duhet t’i përmbushë një fëmijë-nxënës e një student! Në bankat e shkollave janë ulur mjekët e ardhshëm, inxhinierët, ekonomistët, gazetarët e të gjithë ata profesionistë që kanë shtetin e nesërm në dorë. Mundësitë e tyre për të mësuar janë në duart e shtetit, mundësitë e arsimtarëve për t’i mësuar janë po prapë në duart e shtetit. Politikat arsimore janë peng i politikave të zyrave të partive që vendosin për fatin e profesorëve në bazë të numrit të votave. Duke vazhduar në këtë mënyrë, ARSIMI do na bëhet PËSIM dhe do na kushtojë shumë më shtrenjtë se sa problemet që kemi! Pasojat që po vijnë janë maja e një Ajsbergu të tmerrshëm që i kanoset shoqërisë tonë e Zoti na ruajt nga fuqia e tij shkatërruese!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)