Në fillim të vitit 1963, në RP të Maqedonisë filloi debati i gjerë lidhur me Kushtetutën e re që duhej të sillej në pjesën e parë të atij viti. Në kuadër të atij debati, u fol edhe për të drejtat e popullsisë shqiptare, ku në pah dolën dy botëkuptime të kundërta. Përderisa një pjesë e drejtuesve politik të Republikës, ishin të mendimit që të drejtat e “kombësive – pakicave nacionale të vendosen në nivelin e garancës dhe obligimit kushtetues”, në anën tjetër, disa të tjerë “shprehën mendimin se Projekt-Kushtetuta nuk do të duhej të trajtohet” shumë gjerësisht, dhe se mjafton “të nënvizohen të drejtat themelore të kombësive – pakicave nacionale”
Nga Qerim LITA
Vitet pesëdhjeta të shekullit të kaluar karakterizohen me një ngecje të skajshme të zhvillimit të arsimit e të kulturës shqiptare në RP të Maqedonisë. Dokumentet e kohës hedhin dritë se deri në vitin 1952, numri i nxënësve që kishin kryer shkollimin fillor tetëvjeçar ishte 983, ndërsa ky numër deri në vitin 1963 arriti në 3.039 nxënës. Problem në vete për nxënësit shqiptarë, të cilët e kryenin shkollimin fillor tetëvjeçar, paraqiste vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm, sepse ata mund të konkurronin vetëm në dy shkolla, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe, gjimnazi në Tetovë dhe Normalja në Shkup. Gjendja faktike e rrjetit shkollor fillor dhe atij të mesëm me mësim në gjuhën shqipe deri në vitin shkollor 1958/59, ishte me sa vijon:
– shkollimi i detyrueshëm fillor tetëvjeçar: 1039 paralele me 31.647 nxënës; Gjimnazi i Tetovës: 4 paralele me 51 nxënës; Normalja shqiptare në Shkup: 8 paralele me 318 nxënës.
Sa i përket shkollimit të lartë, të dhënat arkivore tregojnë se deri në vitin 1954, në Universitetin e Shkupit kishin diplomuar vetëm katër shqiptarë, nga viti 1955-1962 numri i të diplomuarve shqiptarë ishte 298, ndërsa nga viti 1963-1965, diplomuan gjithsej 217 shqiptarë. Në këto numra, një pjesë e tyre vinin nga Kosova.
Zhvillimi i kulturës shqiptare në RP të Maqedonisë zhvillohej kryesisht përmes shoqërive kulturor-artistike. Në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar funksiononin disa ShKA, siç ishin: ShKA “Emin Duraku” në Shkup, ShKA “Xheladin Zeqiri” në Tetovë, ShKA “Bajram Shabani” në Kumanovë, ShKA “Liman Kaba” në Dibër, ShKA “Hadi Basha” në Gostivar dhe disa seksione kulturore në Strugë, Kërçovë, Prespë, Ohër etj. Mirëpo, siç theksohet në një analizë të KQ të PKM-së, përkundër ekzistimit të shoqërive, zhvillimi kulturor shqiptarë në RP të Maqedonisë ishte i zbehtë, përkatësisht i vdekur. E gjithë kjo vinte si rezultat i pasivitetit të shoqërive kulturor-artistike shqiptare, të cilat deri në vitin 1952 nuk kishin organizuar “asnjë shfaqje”, qoftë nëpër qytete ku jetonin shqiptarët e as nëpër fshatra.
Aktivitete më të bujshme kulturore kemi gjatë periudhës kohore 1958-1966, ku brenda ShKA-ve u themeluan grupe të ndryshme, si ato të folklorit, valltarëve, orkestrës, korit etj. Burimet arkivore të kohës vënë në dukje për interesimin e madh të të rinjve e të rejave shqiptare për t’u anëtarësuar në shoqëritë e atëhershme kulturor-artistike. Për rrjedhojë, thuajse në çdo qytet apo fshat ku jetonte popullsia shqiptare, organizoheshin koncerte të ndryshme, me çka jeta kulturore në atë periudhë pati një gjallërim të dukshëm. Gjithashtu, disa shoqëri më me zë, merrnin pjesë nëpër festivalet e atëhershme që organizoheshin në Maqedoni, në Kosovë si dhe në viset tjera të Federatës së atëhershme jugosllave.
Nga viti 1951, në Shkup punonte “Teatri i pakicave nacionale”, në kuadër të të cilit funksiononin drama shqipe dhe ajo turke. Ky institucion deri në vitin 1956 luajti rol të rëndësishëm në jetën kulturore të popullsisë shqiptare, jo vetëm në Shkup, por edhe në brendi përmes turneve të ndryshme. Posedonte një numër të konsiderueshëm të kuadrit artistik. Mirëpo, në vitin 1956, Këshilli Popullor i Rrethit të Shkupit, gjoja për shkaqe financiare, atë e shndërroi në Teatër amator. Pas këtij vendimi, kuptohet se u zvogëlua ndikimi i këtij institucioni si në Shkup, po ashtu edhe në rrethet tjera me popullsi shqiptare, u dobësua kualiteti artistik, sepse për shkak mungesës së mjeteve financiare, detyrimisht duhej të largoheshin nga puna numri më i madh i artistëve, ku pjesa më e talentuar u punësua në Teatrin e Prishtinës. Se çfarë roli luajti Drama shqipe pranë “Teatrit të pakicave” në Shkup, më së miri mund ta shohim nga të dhënat që i ofron Komisioni për pakicat nacionale, ku në të, veç tjerash, thuhet se, deri në vitin 1956, kjo dramë organizonte dhjetëra premiera me mbi 30 shfaqje në vit.
Një çështje tjetër që e ngadalësonte zhvillimin, përkatësisht afirmimin e kulturës shqiptare, ishte hapësira tejet e vogël e emisioneve në gjuhën shqipe në Radio Shkup, si dhe mungesa e shtypit të rregullt në gjuhën shqipe. Nga të dhënat që i ofron Komisioni për pakicat nacionale, deri në vitin 1959, Radio Shkupi emetonte për çdo ditë nga dhjetë minuta lajme në gjuhën shqipe, një emision javor për gratë shqiptare dhe një emision javor për fëmijë, si dhe dy emisione në javë me këngë popullore. Në anën tjetër, gazeta e vetme në gjuhën shqipe “Flaka e Vëllazërimit” botohej dy herë në muaj, përkatësisht në çdo 15 ditë, Përveç kësaj, një herë në muaj botoheshin revistat për të rinjtë dhe për fëmijët “Gëzimi” dhe “Fatosi”. Duhet shtuar se nga viti 1960 “Flaka e Vëllazërimit” u shndërrua në gazetë javore me një tirazh prej rreth 6.000 ekzemplarësh.
Problem në vete asaj kohe paraqiste numri tejet i vogël i botimeve të librave në gjuhën shqipe. Komisioni për pakicat nacionale nëpërmjet një pasqyre të detajuar, informonte Këshillin Ekzekutiv të KQ të LKM-së për ngecjen e dukshme të zhvillimit të kulturës shqiptare në RP të Maqedonisë, veçmas në sferën botuese, ku brenda 13 viteve ishin botuar gjithsej 20 vepra në gjuhën shqipe, prej tyre: “dy origjinale, 18 përkthime /10 nga autorët jugosllavë, 5 nga autorët e huaj dhe 3 publikime me përmbajtje politike/.”. “Kjo pasqyrë, thuhej në vazhdim të informatës, dëshmon se është botuar shumë pak, se gjatë botimeve ka munguar një plan dhe politikë e caktuar, se është botuar në mënyrë të paorganizuar, kur dhe si është paraqitur nevoja e domosdoshme si edhe kur janë paraqitur veprat e përgatitura për botim…”.
Nisur nga ky fakt, Këshilli Ekzekutiv, mori qëndrim që, bashkërisht me Kosovën, të rregullohet botimi për libra dhe beletristikë tjetër, pastaj t’i ofrohet ndihmë “Flakës së Vëllazërimit” që të përforcohet me kuadër dhe të del me më shumë faqe. Vëmendje të veçantë Këshilli Ekzekutiv i kushtoi edhe çështjes së gjuhës shqipe, ku u mor qëndrimi që: “çështja e gjuhës shqipe të zgjidhet në mënyrë parimore”, përkatësisht që midis dilemës së gjuhës letrare shqipe dhe gjuhës që përdoret në Kosovë, u pranua varianti i parë, për shkak se Këshilli Ekzekutiv konsideronte që “nuk mund të shkohej në gjuhë tjetër, përveç gjuhës së shtetit amë”.
Siç u theksua më sipër, problemi kryesor për zhvillimin e ngadalësuar të shqiptarëve, qëndronte në numrin e vogël të shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe. Në dokumentin me titull: “Vështrim ndaj disa problemeve te pakicat nacionale /shqiptare e turke/ në RP të Maqedonisë”, të hartuar në vitin 1960 nga Komisioni për pakicat nacionale të KQ të LKM-së, veç tjerash thuhej se në RP të Maqedonisë, përveç “Normales Zef Lush Marku në Shkup dhe paralelet në gjimnazin e Tetovës”, nuk ka shkolla tjera në të cilat “do të shkolloheshin pakicat nacionale në gjuhën e tyre amtare”. “Për këtë arsye, theksoonte dokumenti, në kohë të fundit janë shpeshtuar propozimet për hapjen e shkollave profesionale dhe të shkollave tjera në territoret, ku kryesisht jeton popullsia e përzier – shqiptare e turke”. Komisioni si shembull e përmend propozimin e paraqitur me shkrim, për hapjen e gjimnazit në Dibër, pastaj për shkollën normale në Gostivar etj. Këto propozime, sipas vlerësimit të komisionit, nuk niseshin nga qëndrimi që të hapen shkolla vetëm në gjuhën shqipe, por me zhvillimin e rrjetit të shkollave profesionale në territoret ku jetonin shqiptarët, “të sigurohet shkollimi i mëtutjeshëm i tyre”, me çka do të lehtësoheshin kushtet për krijimin e kuadrit profesional të shqiptarëve. Në fakt, një ide e tillë u iniciua që në janar të vitit 1959, kur KQ i LKM-së në Analizën që i kushtohej problemit të shkollimit të shqiptarëve, ndër të tjera propozonte që në “shkollat e mesme ekzistuese të hapen paralele të veçanta” me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa për lëndët ku mungonte kuadri shqiptar “mësimi do të plotësohej në gjuhën maqedonase” përderisa nuk krijohej kuadri i mjaftueshëm shqiptar.
Përkundër përpjekjeve që u ndërmorën në atë kohë nga ana e organeve partiake e shtetërore, për gjetjen e një rruge, e cila do të mundësonte zhvillim më të shpejtë shoqëror-politik, kulturor, arsimor ekonomik etj., të popullsisë shqiptare në RP të Maqedonisë, deri kah viti 1963 nuk patën rezultatin e duhur, sepse pozita e saj me përjashtime të vogla, ngeli e njëjta, siç ishte ajo e para vitit 1959. Kjo gjendje ishte si rrjedhojë e rolit destruktiv të Shërbimit për Sigurimin Shtetëror (UDB), e cila çdo kërkesë të shqiptarëve, veçmas nëse ajo buronte nga inteligjenca, e konsideronte si: “irredentiste e nacionaliste”. Mosbesimi ndaj inteligjencës shqiptare nga ana e UDB-ës, vinte për shkak se, siç thuhej në një dokument: “pjesa dërmuese e saj rrjedh nga shtresa konservatore”, përkatësisht “qarqeve fetare, tregtare etj.”, prandaj te ajo kemi “shtrembërime ideore, si dhe dukuri të ndryshme armiqësore”, të përqendruara kryesisht ndaj këtyre çështjeve: “kërkesa që në shkollat shqipe të mësohet historia nacionale shqiptare; kërkesa që të hapen shkolla të mesme-profesionale në gjuhën shqipe; rezistencë ndaj krijimit të shkollave të përziera me motivacion se të njëjtat çojnë drejt asimilimit të popullatës shqiptare… etj”, thuhet, veç tjerash, në këtë dokument.
Në fillim të vitit 1963, në RP të Maqedonisë filloi debati i gjerë lidhur me Kushtetutën e re që duhej të sillej në pjesën e parë të atij viti. Në kuadër të atij debati, u fol edhe për të drejtat e popullsisë shqiptare, ku në pah dolën dy botëkuptime të kundërta. Përderisa një pjesë e drejtuesve politik të Republikës, ishin të mendimit që të drejtat e “kombësive – pakicave nacionale të vendosen në nivelin e garancës dhe obligimit kushtetues”, në anën tjetër, disa të tjerë “shprehën mendimin se Projekt-Kushtetuta nuk do të duhej të trajtohet” shumë gjerësisht, dhe se mjafton “të nënvizohen të drejtat themelore të kombësive – pakicave nacionale”, por jo edhe të “flitet për zbatimin e tyre institucional”, ku si shembull ata e marrin dygjuhësinë.
Pa marrë parasysh dallimet që dolën në pah gjatë debatit, me Kushtetutën е re që u soll më 12 prill 1963, termi “pakicë” që përdorej asokohe për shqiptarët dhe turqit, u zëvendësua me atë të “kombësisë -pakicës nacionale”. Në pjesën e Kushtetutës me titull “Të drejtat e kombësive – pakicave nacionale”, theksi vihet në nenet 72, 73, 74 dhe 75. Në to shprehimisht thuhej:
“ – pjesëtarët e kombësive – pakicave nacionale që jetojnë në RS të Maqedonisë janë të barabartë në gjithçka dhe i kanë të drejtat dhe obligimet e njëjta;
– bashkësitë shoqëror-politike kujdesen që pjesëtarët e kombësive – pakicave nacionale të caktuara të jenë të përfshirë në trupat përfaqësuese të bashkësive shoqëror-politike, duke u kujdesur për strukturën e popullsisë të territoreve të tyre;
– secilës kombësi – pakicë nacionale i garantohet e drejta për përdorimin e lirë të gjuhës së vet, ta shprehë dhe zhvillojë kulturën e vet dhe të krijojë institucione dhe organizata që ua garantojnë këto të drejta;
– në viset në të cilat jetojnë kombësitë – pakicat nacionale, arsimi dhe edukimi i pjesëtarëve të kombësive realizohet në shkolla, përkatësisht klasa dhe institucione edukative, në të cilat mësimi dhe edukimi zhvillohet në gjuhën e kombësisë përkatëse;
– në komunat, në territorin e të cilave jeton numri më i madh i pjesëtarëve të kombësive – pakicave nacionale të caktuara, vendimet dhe aktet më të rëndësishme të kuvendeve komunale shpallen edhe në gjuhën e kombësisë – pakicës nacionale;
– të gjithë banorët e viseve me përbërje të përzier nacionale në RSM, kanë të drejtën e njëjta për ta përdorur gjuhën e tyre në procedurën administrative e gjyqësore;
– mbishkrimet publike në këto territore janë dygjuhësore;
– me statutin e komunës, në pajtueshmëri me kushtet e përgjithshme të përcaktuara me ligj, përcaktohen kushte dhe procedura më të afërta që sigurojnë realizimin e të drejtave të pjesëtarëve të kombësive – pakicave nacionale.
Nuk vonoi shumë, Kuvendi i RS të Maqedonisë, solli Ligjin për gjimnazet, ku për herë të parë parashihej hapja e gjimnazeve, përkatësisht të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe. Këtë e garantonte neni 15, paragrafi 1 e 2 i këtij Ligji, ku shprehimisht thuhej:
“Në territoret në të cilat kryesisht jetojnë kombësitë – pakicat nacionale, për pjesëtarët e atyre kombësive themelohen gjimnaze ose paralele të gjimnazeve, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën e kombësive.
Në territoret në të cilat jetojnë së bashku kombësitë – pakicat nacionale dhe popullsia maqedonase në përbërje përafërsisht të njëjtë, themelohen në përputhje me mundësitë, edhe gjimnaze me mësim dygjuhësor”.
Për rrjedhojë, gjatë vitit shkollor 1965/66, në RS të Maqedonisë paralele të gjimnazeve me mësim në gjuhën shqipe, krahas gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, u hapën edhe në gjimnazet e Kumanovës, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës e Strugës. Krahas problemit të arsimit, gjatë viteve 1963-1966 udhëheqja komuniste maqedonase ndërmori disa hapa edhe në zhvillimin e kulturës së popullsisë shqiptare. Që kjo çështje të përshpejtohet, në vitin 1963, autoritetet politike të RS të Maqedonisë dhe asaj të KSA të Kosovës, nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në lëmin e arsimit e të kulturës, e cila përbëhej prej 6 pikave:
“1. Bashkëpunimi në botimin e librave: nga Prishtina libra në gjuhën shqipe për shkollat në Maqedoni, nga Shkupi libra në gjuhën turke për shkollat në Kosovë.
- Literatura politike në gjuhën shqipe, e cila botohet në Prishtinë të sigurohet për të gjithë lexuesit.
- Aranzhimi konkret në përkthimin reciprok të autorëve maqedonas në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
- Trajtimi i jetës në shtyp dhe në punë në të dy territoret, hapja e revistave edhe për viset tjera për të gjithë autorët.
- Shkëmbimi reciprok – vizita e ansambleve dhe shoqërive kulturor-artistike.
- Ndihma e Universitetit të Shkupit shkollave të larta dhe fakulteteve në Kosovë përmes shkëmbimit të ligjëratave, në fushën e praktikës, në shfrytëzimin e laboratorëve, shkëmbimin e librave etj.”.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 1965, një delegacion i Lidhjes Sosialiste të Popullit Punues të Maqedonisë (më tej LSPPM-ë) i kryesuar nga Gjoko Mitrevi dhe Azem Zulfiqari, zhvilloi një takim pune me drejtuesit e LSPP të Kosovës, me ç’rast dy palët ranë në ujdi që: “të shkohet në marrëveshje më precize (pas kësaj mbledhjeje) për të gjitha format e bashkëpunimit”, pasi ekzistonin institucione dhe organe rreth së cilave mund të grumbulloheshin forma të ndryshme të bashkëpunimit, si dhe bashkëpunimi të realizohej më shumë përmes kontakteve të drejtpërdrejta dhe aranzhimin e institucioneve të caktuara, se sa përmes mbledhjeve. Gjithashtu, në mbledhje u propozuan një sërë çështjesh konkrete për bashkëpunim midis dy palëve, disa prej tyre po i paraqesim në vazhdim:
“…Në botimin e literaturës klasike e politike – vlerësimi përfundimtar për atë se çfarë literature duhet të merret për gjuhën shqipe; afrimi i plan-programeve mësimore, harmonizimi i përbashkët i përzgjedhjes së librave (qoftë të shkruar, qoftë përkthime); përpjekje të përbashkëta (në financimin) për përkthim nga shqipja në maqedonisht e serbisht për arritjet e kombësisë shqiptare; konkretizimi i bashkëpunimit në shkollimin e lartë e superior (që të mos bëhen fakultete të thjeshta provinciale); grupi për gjuhën dhe letërsinë shqipe pranë fakultetit në Prishtinë dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup – nëse nuk mund të kenë në tërësi program të njëjtë të punës, gjithsesi se u nevojitet bashkëpunimi më i fortë; shtypi ditor dhe radio-stacionet nga Shkupi mund të kenë korrespodentë të rregullt në Prishtinë (në Shkup tashmë ekzistojnë korrespodentë për Prishtinë); përgatitja e përbashkët e ndonjë profili të kuadrit: bibliotekistë, dramaturg, për balet, për film…etj”. (vijon nesër)