Arsenali sulmon UEFA-n: As 6000 tifozë nuk do kemi!

Arsenali ka kërkuar shpjegime nga UEFA në lidhje me vendimin për ta luajtur finalen e Europa League në Baku, pas njoftimit se janë vetëm 6000 bileta në dispozicion për tifozët e Topçinjve, ashtu si për ata të Chelseat.

UEFA e ka justifikuar vendimin e vet duke fajësuar shqetësimet në lidhje me transportin dhe infrastrukturën, në një kohë që stadiumi olimpik në Azerbajxhan ka një kapacitet prej 68,700 vendesh.

Me një deklaratë publikuar të enjten paradite, Arsenali ka sulmuar hapur UEFA-n, duke e akuzuar se ka marrë një vendim absurd, ku nuk është menduar fare për tifozët.

“Jemi tepër të zhgënjyer nga fakti se për kufizimet në transport do të kemi vetëm 6000 bileta në dispozicion, për një stadium me kapacitet 10 herë më të madh,”, thuhet në deklaratën e klubit londinez. “Koha do ta tregojë, por ndoshta nuk do kemi as 6000 tifozë në stadium, duke parë sa ekstreme janë sfidat për të shkuar deri në Azerbajxhan”.

“Kemi 45,000 të abonuar dhe nuk është normale që UEFA shkon e zgjedh një stadium ku nuk shkojnë dot as 10% e tyre. E vërteta është se çdo klub që do shkonte në finale nuk do arrinte t’i përballonte kërkesat nga tifozët e vet, por UEFA këtë gjë nuk e ka marrë fare parasysh. Në emër të tifozëve tanë, duam të dimë se në bazë të cilave kritere zgjidhet stadiumi për një finale të tillë”.

Në të vërtetë, ankesa e Arsenalit është mëse logjike dhe zgjedhja e UEFA-s është absurde, për të mos thënë që ka nga pas prapaskena të shëmtuara, politikë e ndonjë gjë më tepër, sepse nuk ka asnjë logjikë që të çosh një finale të tillë mijëra kilometra larg, pa fluturime direkte, me tifozët që do të duhet të presin mbi 24 orë për të mbërritur në Baku, duke ndaluar në Frankfurt, Vjenë, Kiev, Stamboll e Teheran.