Fillimi gri i Arsenalit në Premier League i ka kushtuar disa kritika trajnerit Unai Emery, i cili ka filluar të shohë në tregun global për një lojtar, që mund të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së “Topçinjve”, aktualisht në vendin e shtatë të renditjes së kampionatit anglez.
Dhe në një kërkim të tillë, emri i Christian Pavón është shfaqur në tavolinën e bordit drejtues të Arsenalit. Ky i fundit, sipas “Daily Mail”, do të jetë gati të paguajë 50 milionë euro të klauzolës së përfundimit të kontratës ekzistuese të lojtarit, i cili ka marrë pjesë në Botërorin e Rusisë me kombëtaren e Argjentinës.
Pas Kupës së Botës, vlera e sulmuesit 22-vjeçar u rrit në mënyrë të konsiderueshme, çka e bëri Boca Juniors, e cili zotëron kartonin e tij, që të zgjasë kontratën e tij. Në merkaton e dimrit të kaluar, Manchester United e tundoi Christian Pavón për shkak të komplikimeve që ndodhën me nënshkrimin e Alexis Sánchez. Megjithatë, gjithçka u rregullua me kilianin dhe anglezët hoqën dorë nga “rekrutimi” i sulmuesit të Boca Juniors.